Në Komunën e Starnbergut të Republikës së Bavarisë u hap shkolla shqipe

“Gjuha ruhet aty ku shkruhet”

  

E Premte, më 01.10.2021, kryesia e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari, në bashkëpunim me bashkëkombësit dhe prindërit, që jetojnë dhe veprojnë në Komunën e Starnbergut  arritën suksesshëm t’ua hapin dyert e shkollës shqipe me mësim plotësues fëmijëve shqiptarë, të cilët tash e tutje me mësuesen Enela Markja, në ambientin e gjimnazit të kësaj Komune- Starnberg do ta zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe.

shtypni mb i foto.

   Të pranishëm në këtë takim ishin përfaqësuesit Konsullor, të dy konsullatave shqiptare në Mynih; Z. Afrim Nura, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës dhe z. Dashnor Ibra Konsull i Republikës së Shqipërisë; Kryetari i LAPSh-it, Milazim Ukaj, Mësuesja, Enela Markja, dhe përfaqësuesi i Fondacionit “Besa” Rexhep Nikqi. Po ashtu në këtë takim të pranishëm ishin bashkëkombës dhe prindër nga këto vende: Herrsching, Germering, Gilching e Gauting, të cilët ju bashkëngjiten kësaj iniciativë të shenjtë, me arsyetimin që në të ardhmen, pranë kësaj rreze të kombit, gjuhës shqipe, që të gjithë fëmijët e këtyre qyteteve të jenë pjesë e mësimit plotësues.

   Të pranishmit i përshëndetën përfaqësuesit konsullor z. Nura dhe z. Dashi, si dhe kryetari i LAPSh-it Ukaj, të cilët prindërit i përgëzuan për qëndrimin e tyre të arsyeshëm dhe kombëtar, po mbi të gjitha atë që fëmijëve të tyre po ua sjellin vlerën më të çmuar të atdheut, gjuhën amtare.

  Në këtë takim u shpërndan librat të ardhur nga Qendra e Botimeve në Diasporë(QBD) për tri nivele, ku nxënësit kureshtar me padurim shfletuan librat të cilët i kishin në dorë. Ky projekt i përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm që është një sihariq i të mirë, po mbi të gjitha një shpresë se e ardhmja e unifikimit të gjuhës shqipe në diasporë, jo vetëm që na ndihmon të shkruajmë e të flasim pastër gjuhën tonë amtare, po mbi të gjitha na lidh ngushtë me kulturën, historinë dhe identitetin kombëtar, tha mësuesja Enela.

Pra, qëllimi i këtij projekti është ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditave tona shqiptare, kudo që jemi, e konkretisht në Republikën e Bavarisë, që komuniteti ynë fuqishëm të jetë i organizuar në shërbim të shkollës shqipe dhe të rritjes së numrit të nxënësve, së bashku me institucionet tona. Kjo do një angazhim dhe punë të pareshtur, për të arritur drejt qëllimit, shtimin e numrit të nxënësve; Me moton se  “Gjuha ruhet aty ku shkruhet”. Po ashtu nxënësve ju uruan mirëseardhje dhe mbarësi në fillimin e mësimit në gjuhën shqipe!

Takim u përmbyll me recitimin e poemës së Naim Frashërit “ Bagëti e Bujqësi”.

Redaksi