NE, NUK PO LUFTOJMË QË TË BIEM, POR QË TË JETOJMË !

Ranadan Avdiu

Shkruan: Ramadn Avdiu – Sot më ka ardhur keq që nuk kam mundur të jem në ceremoninë e rivarrimit të bashkëveprimtarit e luftëtarit të paepur për liri Xhevat Qerimi, i cili sot nderohet në manifestimin Flaka e Janarit me rastin e 27 vjetorit të vdekjes së tij. Xhevati sot bashkohet me shokët e bashkëluftëtarët duke u varrosur pranë tyre në varrezat e dëshmorëve në Gjilan.

Fotografia e Ramadan Avdiu
Xhevat Qerimi


Duke e përcjellur ceremoninë nga larg, m’u përfytyrua Xhevat Qerimi me shtatin e tij të gjatë, i heshtur, i gatshëm për çdo gjë, dhe më atë shikimin e tij të mprehtë e vigjilent që e kishte në takimin e parë që e pata më të, në Nëntor të vitit 1989, disa ditë pas rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut.
Me të dhe vëllain e tij Qemalin, fillimisht u njoha përmes Kocit, gjegjësisht veprimtarit që quhet Bajram Kadriu për të vazhduar pastaj rrugëtimin e forcimit të Lëvizjes Popullore të Kosovë, forcimit të rezistencës antipushtuese dhe pregatitjeve për forcimin e radhëve tona edhe për më shumë se kaq, pra edhe në pregatitje për luftë të armatosur.
Në këtë rrugëtim arrita ta njohë Xhevatin jo vetëm si veprimtar por, edhe si intelektual edhe si vizionarë, edhe si organizator edhe si revolucionar, edhe si udhëheqës edhe si luftëtarë, edhe si të përkushtuar edhe si guximtarë, edhe si humanist edhe si solidar, edhe si prind edhe si familjar.
Të gjitha këto tipare e kompletonin personalitetin polivalent të Xhevat Qerimit, i cili kishte marrë përgjegjësi për të forcuar radhët e LPK-së dhe organizimin për çlirim të vendit, veçënarisht në rrethin e Anamoravës dhe Karadakut gjegjësisht në Viti, Gjilan e Dardanë.
Përmes Xhevatit njoha shumë veprimtarë dhe patriot jo vetëm të rretheve Viti , Gjilan e Kamenicë, por edhe në pjesët e tjera të trevave të okupuara shqiptare. Të gjithë thuajse pa përjashtim ata veprimtarë të organizuar nga Xhevat Qerimi do të jenë ndër shkëndijat e para të organizimit ushtarak dhe të luftës Çlirimtare jo vetëm në rrethin Anamoravës e Karadakut, por, edhe më gjërë, dhe tani kur e përkujtojmë Xhevatin në njëzet e shtatë vjetorin e ndarjes fizike nga ne, e shohim dhe nderojmë edhe Nazmi Hoxhen e Arif Seferin, Avdullah Tahirin e Njazi Azemin dhe shumë dëshmorë të tjerë bashkëveprimtarë të Xhevat Qerimit.
Gjithashtu nderojmë edhe punën, saktificën dhe vepren e gjeneratës dhe bashkëluftëtarëve që u brymosën me shpirtin luftarak dhe çlirimtarë në radhë të parë nga shembulli, përkushtimi dhe vetëmohimi i Xhevatit të cilët u rreshtuan në radhët e UÇK-së.
Çkado që thuhet për Xhevat Qerimin është pak. Por ajo cka unë sot mund të them është se nga koha kur e njoha, deri më 10 Janar 1993, kur humbë jetën tragjikisht, Xhevati ka jetuar dhe vepruar si luftëtar për liri dhe zkonisht thoshte: “ të mirat popullit dhe vendit tonë do t’i vijnë vetëm pas çlirimit”.
Asnjë aktivitet çlirimtar në këtë periudhë në rrethet e Vitisë, Gjilanit e Dardanës, qoftë protestë, demonstratë, aktivitet publik apo edhe aksion luftarak nuk është bërë pa praninë, përkujdesjen apo mbikëqyrjen e Xhevat Qerimit. U mbetet tash, bashkëveprimtarëve e historianëve të ndriçojnë tërë aktivitetin çlirimtar të Xhevat Qerimit.
Sot e njëzet e shtat vjet më parë, Xhevati fizikisht u nda nga shokët, nga aktiviteti, nga lufta, nga familja në një mënyrë tragjike. Ndarje çfarë kurrë nuk i ka shkuar në mendje se do ti ndodhë. Ai gjithmonë ndarjen apo rënien e ka menduar në luftë, ndonëse shpesh thoshte: “ nuk po luftojmë që të biem, por që të jetojmë”.
Vepra, angazhimi i pashoq e vetëmohues, përkushtimi dhe gjurmët që la në organizimin e rezistencës dhe në historinë tonë më të re, veprimtari i madh çështjes kombëtare Xhevat Qerimi, kanë bërë që ai dhe emri i tij, të jetojnë gjithmonë. Prandaj edhe kur do ta përkujtojmë në përvjetorë si sot, do ti kemi kaq të freskëta kujtimet me të dhe kujtimin për të.
Lavdi emrit, jetës dhe veprës së Xhevat Qerimit dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për liri.