Në shenjë mirëkuptimi e jo reagimi…

Ç’po bëjnë një pjesë e medieve dhe rrjetet sociale sot, njëzet e katër orë pa ndërprerë, ç’po bëjnë…!?

A është e mundur, a është e arsyeshme, a është njerëzore, a është prindërore, kur u dashka që një profesor (mësimdhënës) të mos reagojë (të mos flasë) në çaste të ndërlikuara…?! Si, qenka njerëzore kur një nxënës a grup nxënësish kacafyten, e profesori (mësimdhënësi) të mos reagojë (mosndërhyrja eventuale, mbase do të shkaktojë tragjedi); si, qenka e arsyeshme një ngjarje që nuk arsyetohet, si, qenka njerëzore, kur është çnjerëzore vepra që e bëjmë, si, qenka e mundur, si ka mundësi…?!

Sikundër kemi krijuar imunitetin ndaj ngjarjeve të pakëndshme, sikundër kemi mësuar të heshtim, kur s’duhet heshtur, të flasim, kur s’duhet folur, të lëndojmë dikë vend e pavend…!? Derisa reagojmë kundër ngjarjeve të këqija, (kushdo që të reagojë) ky reagim duhet vlerësuar e jo përbuzur!?

Goja pas veshi do të na dalë duke folur e folur për edukim e arsimim, e edukata po na mungon dhe, kur mungon edukata, do të na mungojë edhe arsimimi.

Unë nuk po flas për partitë politike këtu, e as s’po dua të flas për to, por duke e politizuar edhe reagimin e dikujt nga mësimdhënësit, që ka për qëllim të shpëtojë dikë nga tragjedia (tragjeditë), sot e kemi gjendjen siç e kemi…?!

Partitë politike po i ngatërrojmë me mësimdhënien. Unë veç po e theksoj se asnjë profesor (brenda shkollës), nuk e ka punë politikën, as s’merret me të, por, fatkeqësisht, mediet e rrjetet sociale sot, njëzet e katër orë pa ndërprerë (një pjesë e madhe e tyre), të gjitha gjërat po i lidhin me politikën, qenë e pa qenë politike, vend e pavend, arsye e paarsye, qoftë drejt a shtrembër, kjo është kështu dhe domethënia e kësaj i bie që jemi kështu siç jemi, qyshkur kështu…!?

Ato (mediet) e bashkë me to edhe rrjetet sociale do të duhej që t’i shërbenin dijes e kulturës, përparimit e edukimit, e jo të bëjnë të kundërtën, siç janë duke e bërë…?! Menduam se e hoqëm një barrë të rëndë nga supet, robërinë, por siç duket i vumë një barrë edhe më të rëndë vetes: përbuzjen e njëri-tjetrit, paudhësinë, intrigën e çka jo tjetër…?!

Zoti na dhëntë mendje e durim në këtë kohë, kur as s’ka kush të të mbrojë, as kush të të udhëzojë. Si duket ne jemi njerëzit më të çuditshëm në botë, apo uroj që unë ta kem gabim…!?

Faleminderit…!