Nga Ahmet Qeriqi
Në orën 8.20 minuta, dy aeroplanë bombardues të armikut marrin në shënjestër selinë e Radios Kosova e Lirë dhe Agjencinë Kosovapres
Jam zgjuar herët në mëngjes por duke parë se ishte mjegull dhe të gjithë ende po flinin, sërish jam futur në shtrat. Ndihem tejmase i sensibilizuar dhe nuk qetësohem. Sa herë që më kaplojnë shqetësime të tilla parandiej ndonjë të papritur. Tërë kjo vjen edhe nga ngjarjet e ditëve të fundit.
Rreth orës 8.00 dola te Lisat, këtu afër shtëpisë së Rizah Berishës dhe po vështroja fshatrat e Drenicës, të cilat i ka mbuluar tymi i zi mbuluar me mjegull. Pas pak u zgjua edhe Isë Krasniqi i cili filloi ta montonte adapterin e telefonit satelitor në akumulatorin e veturës, meqë nuk kemi rrymë. Ndërkohë duke parë dy aeroplanë mbi Blinajë bëj pak hapa tutje drejt gardhit për të hulumtuar se kah po fluturojnë. Në moment kanë bërë kthim të stërshpejtuar përmbi majën e Gradinës dhe të dy paralelisht me furi të rrufeshme janë drejtuar në drejtim të selisë. Instinktivisht jam strukur te gardhi dhe kam mbuluar kokën me duar. Aeroplani ka kaluar përmbi kokë në lartësi ndoshta 80-100 metra. Në moment kam dëgjuar shpërthimet e fuqishme në lagjen te shtëpia e Mehmet Berishës. Livadhi përballë ishte mbuluar me disa elemente të vogla të plastikës, të cilat nuk di se si u shpërndanë dhe kah erdhën. Në Lagjen përballë afër 150-200 metra u dëgjuan shpërthime të fuqishme. Një si re pluhuri kam hetuar te shtëpia e Kadri Mehmet Berishës.
U nisa në drejtim të Selisë, pa e ditur se të gjithë ishin zgjuar. Nga shtëpia dalin me shpejtësi, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Rizah Berisha, Valdet Hoti, Ismet Sopi, Besnik Berisha, Fatmir Dugolli, Berati, Qemali, Meta e të tjerë. Krisma e ka zgjuar edhe Nusretin. Ai ka rënë për të fjetur në mëngjes meqë ka qenë në roje gjatë natës.
Martin Çuni, Ismet Sopi, Besnik Berisha dhe Valdet Hoti janë nisur në drejtim të shtëpisë së Kadri Mehmet Berishës. Pas pak ata kanë lajmëruar se si pasojë e shpërthimit të bombave të tipit kasetë, të hedhura nga dy aeroplanët Mig 21 të forcave armike, ka vdekur Elbasan Jakup Berisha 15 vjeçar, vëlla i katër motrave dhe janë plagosur rëndë e lehtë edhe tetë pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje dhe të një familjeje tjetër mike, që ka qenë e strehuar aty. Janë plagosur edhe prindërit e Elbasanit, dy bijat e Nuhi Berishës e të tjerë.
Ishte ky sulm i paralajmëruar në njëfarë mënyre, por ne nuk kemi treguar sa duhet syçelë, meqë një ditë më parë ishte bombarduar Shtëpia ku qëndronte Zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi. Të gjithë anëtarët e stafit jemi vendosur një 100 metra më poshtë te Zabali, afër varrezave. Atje e kemi maskuar edhe xhipin dhe sakaq Isë Krasniqi e ka transmetuar informatën për sulmin e aeroplanëve në Berishë.
Rreth orës 12,30 në vendqëndrimin tonë Te Zabeli ka ardhur Haxhi Shala, Komandant i operativës së Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova. Së bashku me Haxhiun ka ardhur edhe bija ime, Arbanë Qeriqi dhe ushtar Faruku të cilët kur kanë dëgjuar për sulmin, nga Gryka e Krojmirit, këmbë kanë depërtuar në Kleçkë e prej andej së bashku me ta ka ardhur me xhip edhe Haxhi Shala. Arbana është shqetësuar tejmase, meqë ishte përhapur lajmi se është goditur selia jonë. Pas një gjysmë ore, Arbana, niset në drejtim të Grykës së Krojmirit për t’ i treguar familjes se kemi mbijetuar sulmin.
Edhe pse në natyrë dhe pa kushtet elementare për punë iu kemi rrekur sajimit të informacioneve duke i shkruar me stilolaps në letër, ndërsa pastaj i përshkruan me dorë, Nusret Pllana, me qëllim që informatat t`i lexojë pa gabime.
Luftimet kanë filluar edhe në rrezen e veprimit të Brigadës sonë drejt maleve të Kizharekës, të Arllatit e të Llapushnikut. Serbët kanë bërë përforcime në Komaran dhe kanë filluar të djegin shtëpitë. Banorët e Kamaranit janë larguar më herët nga shtëpitë e tyre.
Ushtarët tanë në Bajrak na bëjnë me dije se një cifël predhe e ka goditur edhe antenën e Radios. Martin Çuni, Valdet Hoti, Rizah Berisha dhe Fatmir Dugolli kanë shkuar te antena me qëllim që nga vendi ku tanimë janë identifikuar antenat të vendosen në një pikë tjetër, meqë në orarin e caktuar dihet të japim informacionet dhe t’ ia bëjmë me dije opinionit se e kemi mbijetuar sulmin shkatërrimtar të aeroplanëve të armikut.
…
Në orën 15.00, pas një rrugëtimi katër orë nëpër grykat e maleve të Baicës e të Nekocit, te Zabeli i Berishës kanë ardhur edhe biri im, Epiri dhe Elhami Qeriqi. Ata me të dëgjuar për sulmin në Berishë kanë mësyrë këmbë. Duken të lodhur e të dërrmuar nga ecja, por nuk duan t ia dinë rrugës kur kuptojnë se kemi shpëtuar. Pas një gjysmë ore, Epiri dhe Elhamiu nisen në drejtim nga kanë ardhur. Duhet të ecin edhe katër orë të tjera deri në Krojmir.
Në orën 16.00, ashtu si gjithnjë pre 4 janarit përhapet në eter zëri paralajmërues i fitores, “Ju flet Kosova e Lirë”. Është kjo një sfidë tejet e rrezikshme, meqë mjetet serbe të informimit kanë dhënë lajmin se është asgjësuar radioja e “terroristëve” në Berishë. Kjo është përgjigjja jonë, tanimë e përjetësuar me qëndrimin e patundur, kthim prapa nuk ka.
…
Pasi është errësuar kemi depërtuar në podrumin e selisë dhe jemi ngrohur te stufa. Të gjithë jemi të lodhur dhe të dërrmuar. As në këto çaste tejet dramatike familja e Rizah Berishës, nuk na ka harruar. Buka është gati. Nën rrebeshin e granatave e ka përgatitur familja e Rizah Berishës.
Kjo na bën edhe më të fortë, sepse tanimë po bindemi përfundimisht se nuk ka forcë që na ndanë, nuk ka forcë që e largon këtë popull nga ushtria e vet çlirimtare.
…
Pasi kemi ngrënë darkë, së bashku me Rizah Berishën, Nezir Myrtajn, Matrin Çunin dhe Nusret Pllanën kemi shkuar për ngushëllim te Kadri Mehmet Berisha. Gjëmimet e topave të armikut po dëgjohen në drejtim të Abrisë dhe të Likocit. Dritë nuk ka askund. Rruga është e mbushur me baltë dhe ujë.
Xha Kadriun, dhe bijtë e tij Jakupin e Mehmetin i gjejmë në shtëpi. Ata kanë dhembje por nuk jepen. Jakupi, babai i Elbasanit martir, e ka një plagë në qafë, të cilën ia kanë lidhur me fasho. Janë plagosur edhe dy bijat e Nuhi Berishës, të cilat janë dërguar për trajtim të mëtejmë, në Shalë te mjeku i luftës, Fitim Selimi. Të tjerët kanë plagë të lehta.
Xha Kadriu qëndron. I fortë duket edhe Jakupi, edhe pse në shpirtin e tij hetoj një dhembje të papërshkrueshme. Elbasani ishte djali i vetëm, i lindur më 28 nëntor të vitit 1983, i lindur në datën më të rëndësishme të historisë sonë. Një koincidencë domethënëse. Jakupi ka edhe katër bija. Është martirizuar djali i dëshirit, vëllai i katër motrave.
Pas qëndrimit njëorësh, nga shtëpia e Xha Kadriut nisemi drejt selisë.
Derisa po rrugëtonim nëpër baltë hetoj se këmbët janë mpirë dhe nuk e kuptoj se trupi po i zvarrisë, apo ato po më tërheqin zvarrë. Dymbëdhjetë orë në këmbë…
Futemi në podrumin e selisë. Dikush ka rënë në një qoshe. Një tjetër gërhet. Njërin e ka zënë gjumi pa u mbuluar me batanije. Një tjetër dremit apo flet përçart. Nëpër terr lëshohemi kush ku mundet… (Nga portali Radio Kosova e Lirë)