Përmbledhje poezish nga poeti, Lumni Nimani

Shkruan: Lumni Nimani

KOSOVA IME 

Ah e dashura ime Kosovë,
Sa herë që zemra më rrahë, 
në prehrin tënd dua të jem.
Prore në trup ndjej dhembje e vrragë
– për shtatin tënd me shumë plagë.

Sa herë që loti i vakët më rrjedh në sy
lus Danubin plak vuajtjet e mallin të m’i rrëmbejë.
Jetën larg atdheut n’mërgim pa ty,
shpirti im i vuajtur çdo ditë e rrëfen,
– si një këngë mallëngjyese me refren.

Eh sa do të doja, ballin e lartë të ta fshij

dhe me duart e mia të të ledhatoja, 
si atëherë që isha i vogël fëmijë 
kur nënën time me dashuri e përqafoja. 
– E këngën e Lirisë për ty ia këndoja. 

Ty të kam – të përjetshmën dashuri!
Këngë – me më të bukurën melodi! 
Në mos u mbyllshin kurrë sytë e mi,
pa të parë pa pranga, e në Liri! 
– Me Flamurin lart të ngritur – kuq e zi. 

NËNËS

Askush në botë nuk është më e bukur, 
Askund një fjalë më mirë s’tingëllon,
Askush si Ti, s’më bën të lumtur, 
Ah Nënëloke, sa shumë më mungon.

Sa herë që loti më rrokulliset, 
faqeve të mia tatëpjetë pa ia nda,
Sa shpejt mua mendja te ti m‘vardiset,
zhgrehem në vaj, fare pa pra.

Kur t’i kujtoj rrudhat e ballit, 
E plagët e zemrës në thellësi.
Trupi më digjet, sa vuan prej mallit,
Për shpirtin tënd me plot mirësi.

Sado që dielli më rreze të arta, 
gjithandej botën e ngrohë dhe ndriçon.
Sa herë që gdhijnë agimet e bardha,
Kjo zemra ime vetëm Ty të kërkon. 

Ti m’je gëzimi dhe dashuria, 
që kurrë s’do të shuhen për jetë e mot.
Qëkur Ty s’të kam – m’iku lumturia.
Buzëqeshja jote nuk kthehet dot.

LARG ATDHEUT 

Atje ku lehtë retë borëbardha.
Qiellin e kaltër butësisht miklojnë,
atje ku dielli dhe rrezet e arta 
T’bukurat lule me vesë përqafojnë.

Gjithandej ku një fushë e blertë shtrohet,
E bilbili ia thotë këngës me plot gaz.
Prore më ikën kjo mendja ime 
Atje më rri – dhe s’kthehet dot pas.

Atje ku lumi rrjedh i kulluar,
dhe i gurgullon e bukura valë,
pse të kam larg – s’të kam harruar 
– Unë të kam nënë – dhe më ke djalë.

Nganjëherë n’këtë botë na qenka jeta.
Sa e padrejtë, po aq  pa mëshirë.
Sa keq po e ndaka të birin nga e ëma.
Në dhe të huaj, fare pa dëshirë.

Kur t’ia them unë këngës për ty.
Mallëngjehet fort kjo zemra ime.
Ndaj shpejt dhe loti më rrjedh në sy,
por s’e ndal dot këtë këngën time. 

Sa herë që shoh unë dallëndyshen,
Loti më ngrinë shpejt në qepallë,
seç ma kujton poet Shirokën,
ah sa shumë kishte për Shkodrën mallë!

Kurdoherë, në një stinëvere.
Unë do të kthehem te ti fluturim.
Dua të çmallem me ty përherë… 
N’Atdhe të prehem – e jo n’mërgim.

ASAJ

Si fushëblertë me lule në muajin maj,
dhe n’gushtin me vapë si i imti shi.
Më gëzon, m‘përkëdhel me flokun e saj,
kur m‘rrëmben furishëm e më fut në gji.

Në ëndrrat e mia përnatë dua ta kem.
Me atë shamikuqe sa shumë i ka hije
Si një pëllumbeshë kur lëshohet në gem, 
duke ja thënë më t’mirës këngë dashurie 

Të bëhem poet – oh sa shumë do t’doja!
E për të të thurja më t’bukurën poezi,
pastaj atë këngë vet do t’ja këndoja,
Tek ai lisi plak në fllad t’hijës së tij.

E rreth e përqark shokë edhe miq të mi
Në pellg t’ahengut valle duke hedhur!
Pëllumbesha ime të më rri përbri, 
duke prirë në valle belin duke dredhur!

Kudo që ti ndodhesh, prore të dua!
Engjëllushë hyjnore ti më lë pa mend.
Faqet si mollëkuqe me aromë si ftua.
Zjarr i dashurisë për ty s’më lë vend!

Më gëzon, më përkëdhel me flokun e saj,
kur më rrëmben furishëm e më fut në gji.
Si fushëblertë me lule në muajin maj,
dhe në gushtin me vapë si i imti shi.

ZAHIR PAJAZITIT

Nga Surkishi[1] thërret kushtrimi,
Si luan vjen Zahir trimi, 
– qet martinën në njërin sy;
U ka zënë pritën hienave

N’derë t’oborrit ende pa hy.

– Ah! ngadalë shkja, m’ka ardhë dita

Me grykë pushke, turrin që ta ndal
M’ke prekë në nder, n’votër  më ke shkel
Prej Karpateve n’Dardani, ti gjarpër i zi!

M’ke vra fëmijë, m’ke pre motra e vëllezëri.
nanën me lot faqeve, m’ke lënë me duar në gji.
M’ke djegur tokë, m’ke shkelë n’sofër!

M’ke harru name e nishan

Se jam shqiptar me sy n ‘shënjestër
Biri i tokës Nënë

Më thonë trim-sokol mali

Ma thoni emrin Zahir Pajaziti.

Lum nëna që t’lindi e t’rriti!
Trim dragua – sokol mali.
Të kujtojmë djalë pas djali

 O hero burrë shqiptari.

Pushka ime e para krisi, 
U dridh Beogradi dhe Nishi
Ndjeu Berlini, Londra e Parisi
Jam i Kombi e me fis
Burrë vigan i Dardanisë!

Llap, Kosovë, mbarë etnia.
T ‘mbajnë në zemër
Shqipe mali në Flamur t’kanë.

Mbi armikun, si rrufe u sule.
Në bisha t’egra hordhitë barbare.
Për Liri kurrë s’u ndale…
Rroftë Ushtria Çlirimtare. 

PRANVERA

Pranvera është aromë e lule;
– është buzëqeshje fëmije
– është e bardha lindje 
– është e shtrenjta liri. 

Pranverë është vet dielli 
– është e shndritshmja hënë 
– është i ëmbli nektar prilli 
– është e shenjta e dashura nënë.

Është ajo vellëbardha nuse me duvak…

Vasha syqielli është vet pranvera,
kur ajo qëndisë shaminë e beqarit;
është motërmira që pret vëllain te dera,
e vajshëm dëgjon këngën e kurbetqarit. 

Është qilim i blertë ngjyra – ngjyra,
Ndër të gjitha shoqet e saja:
-Stina më e bukur;
-Motër më e mira.

E BUKURA THËLLËZË


Verëbardha arrinë derë më derë…
Mendja më shkon përherë te ti.
Porsi bilbili shend e verë,
T’ja themi këngës sëbashkë që të dy.

Kur ta kujtojë të kaltërtin sy,
e flokun e mëndafshtë në ballë,
që n’zemër thellë i kam mbyllë me dry;
pse më s’më do? – Më thua vallë!

Për gojëmblën tënde si kuti,
kaherë vuan kjo zemërmjera,
e për buzët tua si qershi, 
kur i skuq në degë pranvera.

Mbrëmjen me fllad t’asaj nate,
me lot dashurie e ujita,
kah porta ime kur më vajte.
As kokën s’ktheve – kot të prita.

Që nga ajo e zezë natë…
më mungon e para dashuri, 
loti më rrodhi në qepallë,
qajë e dënesë në vetmi.

S’shkohet jeta veç n’kujtime, 
për vitet që ikën, e s’kthehen dot.
Pse s’më do thëllëza ime?
Për ty hap prapë zemrën sot. 



[1] Surkishi – fshat, tri km. në juglindje të Besianës (ish- Podujeva).

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.