Përse nuk fituam?

Nga Bislim Elshani

Nuk e di se si është komentuar mbrëmë ndeshja e ekipit shqiptar kundër atij serb nëpër televizionet tona, sepse nuk i kam ndjekur, mirëpo mendimi im është ky: futbolli është një sport fisnik dhe jo mjet i shkarkimit dhe manifestimit të urrejtjes midis kombeve.

Futbolli është ndeshje sportive në të cilën mund të fitojë ekipi më i ushtruar, më i përgatitur, më profesionist, i ndihmuar edhe nga fati. Për motivim psikologjik, natyrisht që një ekip ka nevojë edhe për përkrahjen dhe brohoritjet e publikut. Strategjitë që ndjek një ekip futbolli për fitore sigurisht që ngjajnë shumë me strategjitë luftarake. Mirëpo futbolli nuk është luftë për atdhe, por vetëm një lojë për atdhe. Fusha e sportit nuk është fushë-beteje. Ngatërrimi i këtyre dy koncepteve çon te një rezultat i kundërt. Me brohoritjet për UCK-në e me vajtimin për Adem Jasharin publiku ynë u vuri mbi shpinë lojtarëve tanë një barrë të pabërballueshme për një shpinë sportisti, atë të hakmarrjes për të gjitha viktimat e gjenocidit serb të 2 shekujve të fundit. Përse duhet vajtuar vrasja e Jasharajve në një ndeshje futbolli? Vallë, një gol i shënuar në rrjetë do të ishte hakmarrja për ta? Mendoj se Shkurte Fejza ka bërë gabimin më të madh, aspak artistik, kur ka pranuar ta instrumentalizojë atë këngë për ndeshjet sportive. Ka mënyra të tjera për të nderuar Jasharajt. Psh. njëra ndër to do të ishte konstituimi i kuvendit që në seancat e para, dhe jo të kalojnë muaj papërgjegjësie të klasës sonë politike që thirret në vlerat e UCK-së e të dëshmorëve të saj. Pastaj një publik që fishkëllen vazhdimisht për të hutuar kundërshtarin, e që nganjëherë edhe hedh ndonjë send të fortë në drejtim të lojtarëve të huaj, i bën dëm edhe lojtarëve vendas, sepse lojtari ka nevojë të nxitet për të dhënë golin dhe jo për ta urryer dhe masakruar kundërshtarin apo për t’u ngarkuar me kompleksin e fajit. Përkrahja e tifozëve tanë nuk ishte aspak inteligjente. Në një ndeshje të ekipit zviceran në stadiumin e Bazelit kam parë organizime mbresëlënëse të tifozerisë, qoftë me këngë të përshtatshme, qoftë me valëvitje fanellash e bezesh ngjyra-ngjyra, me të cilat formoheshin figura që përcillnin mesazhe krenarie e përkrahjeje. Ngarkimi i lojtarëve me misione josportive i bën ata që të luajnë me nervozizëm e zemërim dhe jo me invencion e profesionalizëm. Psh. ndoshta Rei Mane do ta jepte golin e penaltisë po të mos i kishte pasur ato emocione që e ngarkonin me një përgjegjësi të papërballueshme për të. Ndoshta edhe shumë nga goditjet tjera të topit drejt rrjetës do të ishin më të sakta nëse lojtarët nuk do të kishin mbingarkesa të tilla emocionale. Mendoj se me cilësinë që tregoi në fushë ekipi ynë, në mungesë të ngarkesave të tepruara emocionale do ta mundte edhe një ekip më të fortë se sa Serbia. Natyrisht, nuk mund të them se edhe ekipi serb nuk kishte ngarkesa të tilla: ata u karikuan që para fluturimit për në Tiranë nga presidenti serb, një ish-huligan i ekipit të “Crvena-zvezdës”, me një mision mitik, nacionalist dhe aspak sportiv. Mirëpo ata për fat nuk e kishin nëpër tribuna një publik serb që do të bërtiste: “Vritini e therni shqiptarët”. Në një rast të tillë serbët do të luanin akoma më keq. Dhe do të ndëshkoheshin njësoj si 11 vjet më parë.