PLANI “PATKOI”, QËLLIMI STRATETGJIK SERB I SPASTRIMIT ETNIK TË KOSOVËS II

Dr. Sylë Ukshini

Metodat serbe të spastrimit analoge me ato naziste

Shkruan: Dr. Sylë Ukshini – Në librin e tij të kujtimeve, ministri i Jashtëm gjerman, Joshka Fisher, njëri nga politikanët më aktiv evropian për ndëshkimin e politikës represive dhe konfliktuoze të Beogradit, duke folur për takimin e tij me Milosheviqin, tregon se çfarë kishte ndërmend të bënte ai në kohën kur ende nuk ishte hedhur  asnjë bombë e NATO-s. Fakti se politika e tij po shkonte në drejtim të ndryshimit të përbërjes etnike të popullatës në territoret e pushtuara në Kosovë, me ndihmën e vrasjeve, terrorit dhe dëbimit, siç ishte e zakonshme në Evropën e viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluar, pikërisht ishin të majtët ata, të cilët e kanë cilësuar këtë politikë si fashizëm. Edhe metodat e regjimit në spastrimin etnik të Kosovës ishin shumë të ngjashme me ato që ishin përdorur nga regjimi nazist kundër popullatës hebraike.

Sipas Fisherit dhe Noel Malcolm, politika serbe  dhe retorika e saj e viteve 90-ta, pothuajse deri në detaje ishte identike me politikat që ishin zbatuar, ose së paku propozuar nga nacionalisti radikal serb, Vasa Çubrilloviq në vitet 20-a dhe 30-a të shekullit XX. Kjo politikë kishte të bënte me një strategji të përgjithshme të bindjes dhe të shtrëngimit të shqiptarëve që t’i braktisin vendin e tyre, duke ua bërë atyre jetën të padurueshme, duke përdorur format më agresive të represionit dhe të asimilimit.49 Gazeta “Frankfurter Rundschau” e kishte ribotuar këtë dokument, më 28 prill 1999. Qysh në vitet ’30, dominimi i shqiptarëve në Kosovë ka qenë një nga sfidat më të mëdha për nacionalistët serbë dhe për zgjidhjen e këtij problemi. Ata u mbështetën në metodat që i kishte përdorur Gjermania për dëbimin e hebrenjve dhe Rusia për zhvendosjen e popujve jo rus.50 Por, dallimi ishte se tani nuk ishte Evropa e vitit 1937, por e vitit 1999 dhe ajo bazohej në vlera krejtësisht të tjera.

Në planin  për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova, regjimi serb përdori edhe metodën apo taktikën e “tokës së djegur”, sipas së cilës, artileria, automjetet e blinduara dhe tanket qëllonin fshatrat të përzgjedhura. Më pas këmbësoria serbe, duke rrethuar fshatrat nga tri anët, detyronte popullsinë civile të zhvendosej. Ky lloj sulmi bëhej në formë “Patkoi”.51 Sipas Josef Martines, popullata civile nuk dinte me saktësi se çfarë po ndodhte rreth saj, ajo ishte e izoluar dhe e kërcënuar në mënyrë permanente nga ushtria, policia dhe njësitet paraushtarake serbe. Ata që arrestoheshin vriteshin dhe zhdukeshin pa gjurmë. Pas luftës, shumë prej tyre e gjetën në varrezat masive në Serbi, në vendet si: Batajnica, Peruçaci, një lumë në kufi midis Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, në Petrovo-Sello, vend afër kufirit midis Serbisë dhe Rumanisë, si dhe në Rashkë.52  Gazeta angleze “Sunday Times”, në një raport nga Prekazi në mars të vitit 1998 me titullin: “Serbët e kthejnë Kosovën në një fushë vrasjesh”, mes të tjerash, shkruante:

“Një vëzhgues perëndimor, i cili ishte kthyer nga Prekazi, kur filloi sulmi të enjten, tha se refugjatët që po iknin me një traktor rimorkio kishin  raportuar për fshatarë të plagosur, të cilët ishin lënë në gjendje të vështirë në bodrume, tepër të dobët për të pasur mundësi të largohen. “Trupat ishin shtrirë në rrugë”, thanë ata. Ata që ishin lënë në Prekaz u ballafaquan me një pritje dëshpëruese për shpëtim dhe trajtim mjekësor. Të gjitha rrugët në rajon ishin të bllokuara dhe vargan i Kryqit të Kuq, i cili mbrëmë u përpoq që të hynte me medikamente, u kthye mbrapa nën kërcënimin e armëve.”53 Pas largimit të misionit vëzhgues të OSBE-së dhe fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, regjimi i Beogradit shfrytëzoi mospraninë e përfaqësuesve dhe të gazetarëve ndërkombëtarë, për të filluar me intensitet të lartë strategjinë e spastrimit etnik dhe të “tokës së djegur”. Ishte ky një paralajmërim i kahershëm i udhëheqjes serbe në Beograd se në rast lufte në Kosovë , do të dëboheshin të gjithë shqiptarët ndaj të cilëve ai kishte urrejtje raciste. “Shumë njerëz që kanë biseduar me Millosheviqin rreth Kosovës e kanë kuptuar se ai kishte urrejtje raciste kundër shqiptarëve, e cila ishte e përbashkët në Serbi.  Në tetor të vitit 1998, pasi që regjimi i Beogradit u pajtua nën kërcënimin e bombardimit nga ana e NATO-s që të pranonte marrëveshjen për të lejuar vendosjen e 2- mijë vëzhguesve të jashtëm në Kosovë, ai shpërtheu para gjeneralit Wesley Clark . Me një zë të ngritur dhe fytyrë të zemëruar Millosheviqi ulëriu: “ Por gjeneral, e dimë se si duhet qëruar hesapet me këta vrasës dhe dhunues. Ata janë vrasës, janë vrasës të familjeve të tyre, por ne e dimë se si duhet qëruar hesapet me ta dhe këtë e kemi bërë edhe më herët. Në vitin 1946, në Drenicë i vramë, i vramë që të gjithë. Mirë, natyrisht nuk i kemi vrarë menjëherë që të gjithë. Na janë nevojitur disa vjet.” Paraqitjen e Milosheviqit, Klarku në këtë rast e përshkroi si “të shikosh grumbullimin e Nyrmbergut.”54

Përkundër kësaj Millosheviqi provoi që krimin e strukturor shtetëror ta minimizonte në sytë e publikut ndërkombëtar. Që në momentin e largimit të misionit vëzhgues të OSBE-së dhe fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s, ai shfrytëzoi mospraninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe të gazetarëve perëndimorë,  që të fillonte me realizimin  e kërcënimin e tij kaherë për dëbimin dhe spastrimin etnik të Kosovës. Veprim ky i kanalizuar edhe përmes planit të koduar “Patkoi”, i cili rezultoi me dëbimet dhe vrasje masive dhe të papara që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Aparati shtetëror serb, policia dhe ushtria, si dhe strukturat kriminale/paraushtarake filluan në mënyrë të planifikuar dhe të organizuar përndjekjen masive shqiptarëve të Kosovës, në çdo shtëpi dhe vendbanim, duke i vrarë, dëbuar dhe ekzekutuar në masë.55 Në kë fushatë dëbimi dhe vrasje masive ishin shumë aktiv formacioni paraushtarak serb “Çakallët”, i cili më 1999, kreu krime kryesisht në fshatrat: Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq.56 Edhe formacioni “Frenki”, një njësit komando i emëruar sipas udhëheqësit të tij Franko Simatoviq – Frenki, kishte qenë pjesë e forcave speciale të sigurimit shtetëror të Serbisë, të njohur edhe si “Crvene beretke” (Beretat e kuqe), “Operativna Grupa” ose “OPG” (grupi operativ), një njësit elitë i policisë serbe, pjesëtarët e të cilit me krenari kanë quajtur veten “Magla” (Mjegulla), sepse pas aksioneve të ndërmarra ata nuk kanë lënë ndonjë gjurmë. Bazuar në dëshmitë e disa burimeve serbe, pjesëtarët e OPG-s kanë marrë pjesë edhe në disa masakra tjera famëkeqe në Kosovë, në Abri të Ulët, në Reçak, në Qyshk, në Pavlan, në Zahaç e lokalitete te lokalitete tjera të Kosovës dhe se mësohet se këto njësi vrastare paraushtarake merrnin urdhrat nga gjeneralë të lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë. Grupet paramilitare të ashtuquajtur “Munja” (vetëtima). “Munja”, në një raport të organizatës “Human Rights Watch-it” (HRW), përshkruhen se “ka qenë një mishërim i çuditshëm i policëve, kriminelëve dhe të vetëquajturve patriotë, (plotësisht nën kontrollin e armatës dhe policisë), të cilët nga serbët ishin konsideruar si legjendarë, për përleshjet e tyre që kishin zhvilluar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe për sulmet e pamëshirshme mbi civilët shqiptarë”.57

Në funksion të krijimit të klimës së frikës dhe të nxitjes së dëbimit të shqiptarëve është sulmi më 14 dhjetor 1998 në “Panda Café”-në qytetin e Pejës, ku persona të armatosur të paidentifikuar vranë gjashtë të rinj serbë. Për ta legjitimuar fushatën represive ndaj shqiptarëve, autoritetet e atëhershme të shtetit serb për këtë ngjarje fajësuan shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në anën tjetër, Natasa Kandiq, e cila për shumë vjet ishte drejtoreshë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, pas krimit në kafeterinë “Panda”, pati qëndruar në Pejë. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo e përshkruante atmosferën në qytetin e Pejës, në dhjetorin e vitit 1998:

“Selia e ish-‘Beretave të kuqe’, gjegjësisht, njësiteve për Operacione Speciale ka qenë në pushimoret që gjendet afër Manastirit të Deçanit. Ata, me automjetet e tyre ‘hamer’ në vazhdimësi janë vozitur nëpër rrugët e Pejës. Ka qenë njësia lokale ‘Vetëtima’… Kjo ka ngjallur frikë të tmerrshme në qytet. Pas orës 16, asnjë shqiptar nuk ishte nëpër rrugë. Flitej se për këtë vepronte ‘Dora e zezë’ dhe se njerëzit zhdukeshin dhe se automjetet shëtisnin pa tabela regjistrimi”.

Ajo pohon se që atëherë, në mesin e shqiptarëve, por edhe të serbëve vendorë, në Pejë, flitej se krimin nuk e kishin kryer shqiptarët.58

Po ashtu, edhe policia dhe ushtria e rregullt serbe e dislokuar në Kosovë, edhe në periudhën kur aty ishin të vendosur pjesëtarët e misionit verifikues të OSBE-së, kishin një koordinim dhe bashkëpunim në mes vete. “Ushtria granatonte fshatrat nga kodrat e afërta, ndërsa policia hynte në to, vriste dhe plaçkiste shqiptarët, dhe ky tip operacionesh kërkon koordinim më të madh komandues,”59 dëshmoi para Tribunalit të Hagës dëshmitari Karel Drewienkiewicz, gjeneral britanik , në dëshminë e tij në gjykimin kundër Sllobodan Millosheviqit. Po ashtu, ekzistojnë dëshmi se për të gjitha krimet e bëra në Kosovë nga forcat policore dhe ushtarake i është raportuar Milloshevqit, i cili para gjatë dhe pas Konferencës së Rambujesë vuri në veprim aparatin e tij represiv për ta realizuar në plotëni planin “Patkoi”.

Në lidhje me këtë represion dhe fushatë të dëbimeve dhe vrasjeve masive në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe, historiani gjerman Holm Sundhaussen, në librin e tij “Jugoslawien und seine Nachfolgestaaten 1943-2011. Eine ungewöhnliche Geschichte des Gewöhnlichen“, konstaton si vijon: “Me sulmet ajrore mund të shkatërrohen qendrat komanduese të kundërshtarit, magazinat ushtarake, artileria e rëndë dhe shumë gjëra të tjera, por spastrimet etnike, të kryera nga bandat paramilitare, nuk mund të pengohen nga ajri. Pas fillimit të sulmeve ajrore dëbimi dhe arratia e popullsisë shqiptare të Kosovës mori përmasa dukshëm më të mëdha. Nga frika prej akteve hakmarrëse brenda pak javësh afro 800 mijë njerëz u dëbuan me dhunë nga shtëpitë  e tyre dhe shpëtuan kokën e tyre duke u arratisur në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Mal të Zi. Mijëra u vranë dhe u groposën në varreza masive.”60

Fatkeqësisht  fushata e dëbimeve dhe ekzekutimeve kolektive po gjente edhe mbështetjen edhe të shumicës së popullatës serbe, meqë asokohe në Serbi ekzistonte një agresivitet i madh dhe një propagandë nacionaliste e fuqishme. Në fakt, kjo nuk po ndodhte për herë të parë në luftën e Kosovës, por qysh nga lufta në Kroaci dhe në Bosnjë,  ishte bërë motiv mbizotërues (mobilizues) i politikës serbe që nga periudha e fillim viteve 90-a. Ajo çfarë po ndodhte në Jugosllavi, sipas përcaktimeve konvencionale, ishte gjenocid, tendencë për zhdukjen masive të shqiptarëve. Serbët po bënin vrasje masive dhe selektive, duke eliminuar njerëz me reputacion politik apo akademik, me qëllim që të dekurajohej popullata civile shqiptare. Duke folur për përmasat e krimit serb mbi shqiptarët, ish-ministri gjerman i Mbrojtjes, Rudolf Sharping, thoshte se këto vrasje kishin ndodhur për dhjetë vjet me radhë vetëm për shkak të dallimeve në prejardhjen etnike. “Edhe sot inatosem, hidhërohem dhe tmerrohem, kur unë shoh këtë, çfarë shoh ende në Kosovë. Shikoni një herë, si e kam përjetuar unë këtë në Krushë të Madhe, në një shtëpi, prej së cilës kanë mbetur vetëm katër mure 4×4. Gjithçka e djegur. 10 apo 15 centimetra shtresë  e lartë, e zezë, masë e padefinuar. E dallueshëm është vetëm nga masa ku shquhen skeletet[…]. Nëse pritni që një politikan do të qëndronte indiferent para këtij fakti, […] atëherë në rastin tim jeni në adresë të gabuar.”61

Një metodë e tillë kishte analogji të shumta me atë që kishte bërë Hitleri kundër hebrenjve.”Millosheviqi dhe Hitleri janë persona shumë të ndryshëm, por ata të dy janë vrasës në masë dhe fajtorë për një sërë krimesh të tjera. Edhe Hitleri dhe Milosheviqi filluan krimet e tyre në emër të ideologjisë, e cila zhvlerësonte jetët e të tjerëve duke i nisur nga ideja se njerëzit kanë të drejtë që t’i vrasin të tjerët, nëse ata u dalin përpara në rrugë, “62 vlerësonte historiani i njohur amerikan dhe autori i librit “Hitlers Willige Vollstrecker”, Daniel Johan Goldhagen. Ndërsa, Stoessinger thotë se Adolf Aihmani, njeriu i ngarkuar me dëbimin e hebrenjve gjatë regjimit nazist, ka gjasa ta kishte vlerësuar madhësinë e operacionit “Patkoi”.63

Ishte e dukshme se dëbimi i shqiptarëve të kujtonte dëbimin  e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore,64 derisa disa ultra majtistë dhe ekspertë ligjor merreshin me interpretimin dogmatik të disa paragrafëve të së drejtës ndërkombëtare, duke i dhënë të drejtë sovranitetit shtetëror përballë të drejtës për të liri dhe të drejta njerëzore të një populli të tërë. Në rastin e luftës së Kosovës, shumë politikanë ndërkombëtarë përdorën fjalën “gjenocid” dhe për këtë sillnin shumë argumente. Edhe Sekretari i atëhershëm i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan, përdori fjalën gjenocid me rastin e 50 vjetorit të miratimit të konventës kundër gjenocidit në Gjenevë: “Ne po jetojmë nën mjegullat e errëta të gjenocidit.”65

Mirëpo, bota demokratike nuk mund të vështronte indiferente, sepse shekulli XX do të shënohej si shekull i përsëritur dhe do të kuptohej si shenjë se elitat politike dhe intelektuale asnjëherë s’kanë mësuar nga e kaluara. Pra, nuk mund të qëndrohej mënjanë dhe me shpresë së gjërat do të zgjidhen vetvetiu, pikërisht ashtu siç u veprua në fillim të luftërave të Hitlerit.66

Beogradi po përpiqej që t’i eliminonte shqiptarët në gjithë hapësirat e Kosovës. Ishte pra fjala për një projekt të planifikuar. Regjimi serb në Beograd po tentonte ta vinte botën përpara fakteve të kryera në Kosovë.  Me këtë u dëshmua se kundërshtimi i diktatorit serb lidhur me praninë ndërkombëtare ushtarake në Kosovë, ashtu siç ishte paraparë me Marrëveshjen e Rambujesë, ishte në përputhje me planin e tij, i cili parashihte spastrimin ushtarak të Kosovës. “Ushtria Jugosllave kishte komandën e përgjithshme gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s. Sipas ligjit, ajo kishte nën varësinë e  saj policinë dhe forcat paraushtarake, megjithëse zyrtarët e lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme serbe ushtruan dukshëm një influencë të rëndësishme gjatë fushatës. Ushtria kontrollonte rrugët kryesore dhe kufijtë duke koordinuar dhe lehtësuar kështu “spastrimin etnik” (në Kosovë). Policia dhe forcat paraushtarake u përfshinë në mënyrë më të drejtpërdrejtë në dëbimin e civilëve dhe shkatërrimin e fshatrave, për të cilën kishin mbështetjen e artilerisë së ushtrisë (serbe). Gjatë këtyre operacioneve burrat veçoheshin nga gratë dhe fëmijët për t’u marrë në pyetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ekzekutoheshin në vend.“67 Në kë rrethanë, Për NATO-n dhe Perëndimin nuk kishte kthim prapa, pos vazhdimit të sulmeve mbi pozicionet ushtarake serbe, me qëllim që t’i jepej fund politikës së spastrimit etnik dhe vrasjeve masive në Kosovë.

Edhe pse kundërshtarët e sulmeve ajrore të NATO-s kanë provuar të argumentojnë se vrasjen dhe dëbimet masive të popullatës civile shqiptare të Kosovës kishin filluar vetëm pas fillimit të sulmeve të NATO-s, taktika vrastare dhe “pastrimi etnik” i forcave serbe gjatë gjithë vitit 1998 dëshmon të kundërtën. Sipas njërit nga ekspertët më të njohur gjerman të Ballkanit, Matthias Rüb, masakrat dhe dëbimet sistematike në Kosovë kishin filluar plotë një vit më parë para se të fillonin sulmet ajrore kundër caqeve strategjike të Jugosllavisë së mbetur. Kjo ka qenë edhe parahistoria e bisedimeve të paqes në Rambuje dhe në Paris dhe pa këtë parahistori nuk mund të shpjegohet dështimi i negociatave. “Kush thotë më vonë se dëbimet dhe masakrat në Kosovë kishin filluan pas sulmeve ajrore të NATOs me 24 mars 19999, ka harruar ose ngatërruar luftën e verës të vitit 1998,”68 shkruan Rüb. Këtë e konfirmojnë edhe vetë protagonistët serbë të luftës në Kosovë, madje edhe nga radhët e ish-pjesëtarëve të njësiteve policore serbe. Atadëshmojnë për fushatën e spastrimeve dhe vrasjeve sistematike gjatë gjithë vitit 1998. Në mesin e tyre, Sllobodan Stojanoviq, komandant i pensionuar policor “Cërna Trava”, ish- pjesëtar i forcave speciale policore, dëshmitar i dikurshëm i mbrojtur, në një bisedë për gazetë elektronike beogradase “e-novine”, ka rrëfyer për krimet mbi civilët shqiptarë, të cilët i kishte parë vetë gjatë periudhës gusht-tetor 1998.  “Në Kosovë kam qenë gjatë gushtit, shtatorit dhe tetorit të vitit 1998. Gjatë atyre tre muajve kam parë tmerre, si vriten fëmijët, civilët, si burra ashtu edhe gra. Pashë se si plaçkitet me të madhe, brenda një nate kamionët nxirrnin jashtë mallin e vjedhur përmes kanaleve të veta dhe ngjashëm (…) Një pjesëtar i çetës ia kishte prerë kokën një shqiptari të vdekur, derisa  më pas me ditë të tëra e kishte zier në një enë. Ai i kishte nxjerrë tre dhëmbë të arit dhe më pas kishte shkuar në shtëpi dhe e kishte ngjyrosur me llak kafkën, duke bërë prej saj një llambë tavoline. Ai të njëjtën gjë e kishte bërë edhe me një grua të vrarë. Edhe asaj ja kishte hequr kokën, duke e zier në mënyrë të njëjtë, duke marrë në shtëpi dhe duke bërë llambë tavoline. Thoshte se do dy llamba. (…) Në shtator të vitit 1998 po luftonim në fshatrat mbi Prizren, në Res, Lubiçevë, Hoçë, duke kryer të ashtuquajturin pastrim terreni. Nuk dua që ta përmend emrin e policit, ai është ende gjallë, pensionist dhe për pikë të qejfit vrau fëmijën në djep, që nuk kishte më shumë se katër muaj. Me arsyetimin “më mirë një shqiptar i vdekur se një shqiptar i gjallë”69, rrëfen mes të tjerash Stojanoviq.

Mirëpo, bërja publike e planit “Patkoi”, shtyri kreun e lartë serb në Beograd të ndërmarrë veprime për fshehjen e krimeve mbi shqiptarët e Kosovës. Trupat e shumë shqiptarëve të zhdukur nga lufta e Kosovës dyshohet se në mënyrë të organizuar janë bartur për në Serbi. Atje kanë përfunduar me gjasë në varrezat masive, por ka shumë që kanë përfunduar edhe në furra për shkrirjen e bakrit. Gazeta kosovare “Tribuna” ka marrë një rrëfim rrëqethës të dëshmitarit Ivan Pajiq70, i cilika parë nga afër zbrazjen e trupave të civilëve shqiptarë nga kamionët frigoriferë në shkritoren e Borit. “Në frigoriferin që po flasim ka pasur gra dhe fëmijë shqiptarë të vrarë. Unë me sytë e mi kam parë fëmijë në momentin kur janë hapur dyert e atij frigoriferi. Kjo ka ndodhur në shkritoren në Bor, aty ku shkrihet bakri. Aty është shkatërruar gjithçka, të gjitha trupat janë djegur,”71 rrëfen dëshmitari serb Ivan Pajiq.

Pavarësisht se Kosova dhe Serbia ka filluar dialogun me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, çështja e të pagjeturve dhe djegia e trupave të shqiptarëve nga koha e luftës ka mbetur e pandriçuar72, ngase në Serbi këto çështje vazhdojnë të jenë sekrete. Në një intervistë për gazetën “Tribuna” aktivistja për të drejtat e njeriut nga Serbia, Natasha Kandiq, ka thënë se transportimi i trupave të shqiptarëve të vrarë vazhdon të jetë çështje sekrete, për shkak se kështu kanë vendosur ata që i kanë marrë vendimet për këtë operacion.73 Sidoqoftë, ekzistenca dhe zbulimi i varrezave masive në Serbi janë dëshmi se trupat e shqiptarëve të vrarë janë transportuar nga Kosova dhe se ka pasur një plan të skicuar për mënyrën, strategjinë, mjetet dhe dinamikën e spastrimit etnik dhe për vrasjen masive të shqiptarëve (Nga RKL).