Poet i madh revolucionar

Berat Luzha

Shkruan: Berat Luzha: Migjeni është njëri ndër shkrimtarët kombëtar, i cili me krijimtarinë e tij letrare – artistike ka tërhequr vëmendjen e lexuesve dhe ka zgjuar kureshtjen për njohjen gjithnjë e më të mirë të veprës e jetës së tij, por edhe për njohjen e rrethanave politike, shoqërore e ekonomike, në të cilat ai jetoi e veproi.

Fotografia e Berat Luzha
Milosh Gjergj Nikolla

Në rrethana të shtypjes e shfrytëzimit, nga njëra anë dhe të urrejtjes e revoltës, nga ana tjetër, në Shqipërinë e viteve 30-ta u zhvillua një letërsi përparimtare. Kjo letërsi, duke mbajtur anën e popullit, sulmonte e demaskonte, herë hapur, herë me simbolikë, sistemin zogist dhe të gjitha strukturat sunduese të makinerisë shtypëse. Përfaqësuesi më në zë i kësaj letërsie padyshim se ishte Milosh Gjergj Nikolla – Migjeni. Ky shkrimtar më së miri i përjetoi rrethanat e vështira ekonomike e shoqërore që po kalonte populli, u njoh mirë dhe u lidh me masat e gjera, duke ua dedikuar krijimtarinë letrare në prozë e poezi atyre. Migjenin e preokupuan problemet shoqërore, ai i mbrojti të drejtat njerëzore dhe u shqua për një pasion të zjarrtë për zgjidhjen e tyre.
Sa ishte nxënës në Manastir ai mori anën e rretheve revolucionare të rinisë. Nëpërmjet këtyre rretheve dhe nëpërmjet letërsisë përparimtare që ai lexonte vazhdimisht, Migjeni erdhi në kontakt me vepra të njohura letrare dhe me idetë e tyre. Kurse sa qe mësues njohu jetën e zymtë dhe revoltuese të masave të qytetit e fshatit. Kështu, veprimtaria e tij letrare pasqyron kushtet e jetës dhe gjendjen e vështirë të popullit. Migjenin nuk e ka mbërthyer pothuaj asnjëherë pesimizmi, por pezmatimi për masat që shtypen e shfrytëzohen. Ai dallon qartë ndarjen klasore, dallon “të dobëtit” pa pushtet nga “të fuqishmit” me pushtet, duke i vënë këto klasë përballë njëra – tjetrës.
Dalja e Migjenit në arenën letrare qe një ngjarje me rëndësi për letërsinë demokratike të kohës, e cila i kundërvihej letërsisë borgjeze dekadente dhe asaj klerikale. Në kundërshtim me rrymat letrare të deriatëhershme, që idealizonin të kaluarën apo idilizonin jetën e mjerueshme të popullit, Migjeni përqafoi metodën e realizmit, si drejtim më të përshtatshëm të kohës për të pasqyruar jetën e popullit, për të mbrojtur masat e gjëra dhe për të shprehur brengat, revoltën dhe aspiratat e tyre demokratike. 
Në përgjithësi vepra e Migjenit kishte karakter luftarak për kushtet që kalonte vendi. Arti, sipas tij, ishte një mjet për pasqyrimin e jetës e të shoqërisë, si një nga format e shoqërisë njerëzore. Arti, – thotë Migjeni, – ka karakter shoqëror dhe i shërben një klase të caktuar në shoqërinë e ndarë në klasa. 
Realiteti i zymtë feudalo – borgjez ishte një burg për poetin revolucionar. Migjeni nuk e ndjente veten të lirë të shprehte atë që i vlonte në shpirt. Ai ishte realist edhe për rrezikun që do t’i sillte krijimtaria revolucionare dhe këtë e shfaqte duke thënë se “dy armiq konkurronin t’i afronin qefinin e vdekjes”; qeveria dhe tuberkulozi. Sepse, jeta dhe veprimtaria e Migjenit lidheshin ngushtë me lëvizjen antizogiste dhe antiimperialiste në Shqipëri. 
Në qendër të veprës poetike e prozaike të Migjenit është tema e mjerimit, e atij mjerimi që vështirë përshkruhet. Duke shfryrë dhembjen që i shkakton mjerimi poetit, ai vizaton pamje rrëqethëse, jep portrete njerëzish të mbërthyer nga një trishtim i rëndë. Sepse poetin e rëndonte hendeku i pabarazisë shoqërore në rendin ekzistues, kontrasti i luksit të të pasurve dhe mjerimit të të varfërve.
Krahas viktimave tjera të padrejtësisë njerëzore, është me interes paraqitja e figurës së punëtorit, i cili “punon ditë e natë, tue i vlue djersa në gjoks dhe në ballë” dhe në fund, si shpërblim, merr “vetëm lekë tre – katër dhe marrsh”. 
Tema e klasës punëtore do ta tërheq Migjenin në shumë krijime në poezi e prozë. Punëtori i Migjenit endet rrugëve të qytetit të tij pa punë, “porsi kolegët e tij në Berlin e në London” dhe është gati për të shpërthyer si një “revolucion në miniaturë”. 
Në botën e protagonistëve të Migjenit, i cili me besnikëri na jep tablo të shoqërisë në sistemin zogist, na del figura e beut feudal, e agait fajdexhi, e xhandarit e klerit hipokrit e injorant. Kjo kategori njerëzish përbënin përfaqësuesit e shtresave e të klasave të privilegjuara e sunduese, ndërsa, në anën tjetër, del kategoria e njerëzve të shtypur e të shfrytëzuar, që bënin jetë të varfër, në errësirë e pasiguri për të ardhmen, siç janë: punëtori i papunë, lypësi, çiraku, fshatari, zakonet konservatore, etj. Punëtorët, në ato pak fabrika e punishte që ekzistonin, punonin edhe nga 12 orë në ditë, me një pagë fare të vogël e me kushte të mjerueshme të punës. Si pasojë e rrënimit të ekonomisë fshatare, u përhap kriza e bukës. Gra e burra, fëmijë e pleq grumbulloheshin të uritur para dyerve të institucioneve shtetërore për të kërkuar punë, por edhe misër. Të uriturit dhe lypësit endeshin rrugëve, duke shtrirë dorën për një lek apo për një kafshatë bukë. Kishte zënë të shfaqej hapur edhe plaga e zezë dhe e shëmtuar e prostitucionit. Fshatarët rendnin në qytet për të shitur krahun e punës apo prodhimin e paktë të tyre me çmim fare të ulët. Varfëria kishte prekur edhe disa shtresa shoqërore, siç ishin zanatçinjtë, tregtarët e vegjël dhe nëpunësit e kategorisë së ulët. Mirëpo, poeti nuk gjëmonte nga dhembja për të mjerët, nuk i ankohej regjimit në fuqi, por shpërthente fuqishëm në revoltë e urrejtje. Megjithatë, besonte se do të vinte “nji ditë ma e lumnueme”, kur “kangët e pakëndueme” do të shpërthenin “pa frigë e pa zori”.
Bllokimi i “Vargjeve të lira” nga censura e qeverisë nuk bëri që autori të revoltohej e as që vepra e tij të mos njihej nga populli. Adhuruesit e veprës së Migjenit, që ishin të shumtë, i mblodhën shkrimet e tij në poezi e në prozë, që ishin të botuara në organet e shtypit, i daktilografuan e i shumëzuan në kopje të shumta dhe i shpërndanë dorë më dorë. Një shpërndarje të gjerë patën veçanërisht gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, kur u bënë material i çmueshëm propagandistik ilegal. 
Për merita të jashtëzakonshme për edukimin e gjeneratave, Migjeni u nderua me titullin e lartë “Mësues i Popullit” dhe me “Urdhrin e Lirisë të Shkallës së Parë”. Në qytetin e Shkodrës u hap shtëpia – muze e tij, ku u vendos material i çmuar nga jeta dhe krijimtaria e poetit. Me emrin e tij u emëruan shkolla, ndërmarrje, institucione kulturore, rrugë, pastaj grupe amatore e profesionale letrare e artistike etj. Poetët i kushtuan vargje, kompozitorët i krijuan këngë, piktorët e skulptorët i bënë portrete, buste e përmendorecaa. 
Migjeni për ne ka mbetur kurdoherë i ri. Ai nuk ka kërkuar lavdi, por lavdia e ka ndjekë pas Ai mbetet një poet i madh revolucionar dhe mësues përparimtar, i cili talentin e tij e vuri në shërbim të popullit, të demokracisë e të përparimit shoqëror. (Liria, nr. 6, dhjetor 1981)