Prend Buzhala: Si reagojnë katër lexuesë për poezinë e Gjin Morinës

Prend Buzhala

(Ese me shkas i një debati të katër lexuesve), 3

Libri i konfiskuar dhe burgosja e poetit Gjin Morina, po ngjall reagime e debate të ngutshme. Kur diçka bëhet me nguti, pa u peshuar gjërat, atëherë edhe mund të bëhen gabime. Njerëz jemi dhe, mbi të gjitha, edhe njerëz të mëkatshëm. Tashmë ai ka masën e paraburgimit për një muaj.
A mund t’i bëhet leximi policor, prokurorial e gjyqësor poezisë?
Në tryezën e leximit vijnë katër lexues.
Lexuesi i parë tha: nuk mund t’i bëhet, sepse leximi i poezisë është lexim individual.
I Dyti tha: po, mund t’i bëhet.
I treti tha: po, dhe masat e marra nga policia janë të drejta!
I katërti tha: poezinë kanë të drejtë ta shkruajnë e lexojnë të gjithë, edhe engjëllorët e kriminelët.
Po i shënojmë këtu atë debat të katër lexuesve.

  1. LEXUESI I PARË:
    Një krijimi letrar, mund t’i bëhet, përpos leximit të parë, edhe leximi i dytë, i tretë, i dhjetë… Nëse leximi i parë na i zbulon përjetimet e papërsëritshme, reflektimet që na dhurojnë përsiatje të freskëta, një mbushullim të pasur idesh; një lexim i dytë të shpie në të tjera shtigje emocionale e refleksive të leximit… Leximi i një teksti/libri është vetë LIRIA E LEXIMIT. Nëse janë DISA MILIARDA lexues të Biblës, apo Kuranit, apo të ndonjë libri tjetër të shenjtë, janë, pra, disa miliarda lexime dhe disa miliarda mendim-komentime, përjetime… Tradita biblike e leximit, këto i quan KOMENTIME, INTERPRETIME, STUDIME hermeneutike, etj. etj. Këto nocione u bartën në fushën e mendimit teorik-letrar për ta shënjuar pikërisht këtë LEXIM TË LIRË, LIRI TË LEXIMIT. Tradita e leximit kuranor, përbëhet nga Hadithet… që e pranojnë shumësinë e komentimeve. Pra, e paskan lirinë e leximit! Atëherë kush ka të drejtë t’ia rrëmbejë TJETRIT Lirinë e Leximit e, qoftë, edhe lirinë e besimit?! E të thotë se ky apo ai libër është i përsosur pafundësisht!? Nëse i bëhen një miliard komentime, ku qëndron këtu përsosmëria?! Dikush, thotë, LOGJIKA, Fjala e Zotit!!! Mirë, a lejohet që të debatohet, mbi parime logjike atëherë, për një LIBËR (kur Tjetri ta mohon këtë LIRI LEXIMI e KOMENTIMI në emër të LOGJIKËS dhe PËRSOSMËRISË, madje, në emër të uzurpimit të të drejtës së besimit, si të ishte gardian ushtarak a gjeneral ushtarak)?
    Te poezia e Gjin Morinës “Çohu Enver”, ndër të tjera lexojmë vargjet kundër talebanëve:
    Nuk e njohin historinë
    një dreq e di
    se nga na mbinë!
    Nuk po e njohin atin e dheun
    nuk po e njohin Skënderbeun !
    A identifikohen policia, prokuroria dhe gjyqi me atdhemohuesit që autori i quan talebanë (që i lexojmë për çdo ditë nëpër rrjete sociale) dhe që mohojnë Skënderbeun? Sipas masës së burgosjes, po del që po! Pajtohen me atdhemohuesit, historimohuesit a “talebanët”. “Talebanët” e poezisë nuk dënohen, por dënohet ai që mbron Skënderbeun!!! Dhe cila është masa ndaj tyre?!
    Mirë, edhe atdhemohuesit e “talebanët” tanë kanë të drejtë në lirinë e fjalës. Madje ata i dëgjojmë shpesh edhe nëpërdebatet televizive. Madje, një akademik tiranas e doktor “i shquar” filozofie (thotë se është gjakovar) ka dyzina shkrimesh e librash kundër Skënderbeut e pothuajse gati krejt proveniencës së krishterë katolike, të cilën e nxjerr antishqiptare, kurse sulltanët, pashallarët e krejt shqiptarët e besimit mysliman i nxjerr shpëtimtarë në krye me Perandorisë osmane. Kështu i edukon studentët edhe nëpër katedrat universitare, kështu e lexojnë edhe “shumica demokratike” e partive me pushtet e pa pushtet. Kurrgjë kurrkujt! Le të ligjërojë, le të mohojë dhe le të shkruajë. Askush kurrfarë akuze nuk ngrit ndaj tij. Porse këtë liri shkrimi, leximi e ligjërimi atij nuk ia ka dhuruar civilizimi perandorak, por ai europerëndimor. Natyrisht, nga ai nuk do të lexojmë kurrë asnjëherë asnjë rresht kundër diktaturave teokratike në Lindje.
    Kurse poeti Gjin Morina i druhet kësaj diktature në mos po na instalohet: duke e mohuar e rishkruar historinë, duke e krijuar një tjetër komb shqiptar (komb mysliman) siç pretendon akademiku politik); apo duke i futur “obligimet islame” si sistem paralel në arsim e në jetën shoqërore e politike laike.
    Dhe, a pajtohen policia, prokuroria e gjyqi me këtë sistem paralel që merr hov për t’u instaluar sipas modelit oriental, në daç edhe talebanesk?!
    Vargjet e Gjin Morinës, sigurisht, kanë zemërimin e tyre të papërmbajtshëm. Poezia i del jashtë kontrollit. madje, shpërthen në zemërim fundor, të tipit nolian (kujtoni poezitë e marsheve të Nolit apo satirën e Gjergj Fishtës e të Ali Asllanit, ku ka zemërim të tejskajshëm).
    Prandaj, është i gabuar leximi policor, prokurorial e gjyqësor i poezisë.
  2. LEXUESI I DYTË:
    Mund t’i bëhet leximi i poezisë edhe në polici, edhe në prokurori, edhe në gjyq, si lexim kolektiv (si në rresht për një, si në kohën e xhaxhit Enver): dhe ta nxjerrin vetëm NJË KUPTIM, ta pranojnë VETËM NJË LEXIM dhe ta shpallin vetëm një të vërtetë sipas asaj mase. Këtu nuk pranohet liria e tjetrit, leximi i tjetrit.
    Dhe, gjeneralët e tillë shtetërorë të komunizmit hiqnin koka njerëzish në emër të librit e të ndalimit të leximit të një libri! E SOT, kush paska të drejtë që, në emër të uzurpimit të kësaj lirie besimi (a komentimi), posi komunistët, t’ia ndalojë tjetrit bindjet dhe lexim-komentimin?! Madje, nëse e lexon dhjetë apo 100 herë një libër, janë po aq lexime, po aq përjetim-komentime… asnjëherë të njëjta!!! Ndodh posi te ai mendimi gjenial heraklitian për ujët që rrjedh teposhtë që nuk i rikthehet të njëjtës rrjedhë! Ndërkaq, do shtruar pyetjen: në sistemet totalitare (politike a teokratike) a lejohet LEXIMI KRITIK?! Leximi kritik është kusht i mendimit të lirë, i lirisë së krijimtarisë, i fjalës së lirë. Dhe lexuesi i lirë ka të drejtë të shtrojë pyetje nga më të ndryshmet…
    Nuk kemi të bëjmë, në këso rastesh, me “leximin pozitiv”, apo me “leximin negativ”. Sigurisht, që leximi duhet të jetë i tillë, lexim pozitiv… Por, thjesht, do pohuar se ekzistojnë lexime këndvështrimesh të ndryshme …
    E kemi provuar tipin e leximit të tillë nën regjimin komunist. I kemi provuar ndalimet e librave, libër-djegiet, konfiskimin e librave e të dorëshkrimeve. Zhdukjen e librave e të dorëshkrimeve që e kanë. dëmtuar tej kulturën tonë e letërsinë tonë. Nën pushtuesit e ndryshëm, otomanë e sllavë, u zhduk, u shfaros dëshmia jonë, libri ynë, me një fjalë, shpirti ynë.
    E di që në shtetet e Evropës Perëndimore është hequr LIGJI I BLASFEMISË. E përse ndër ne nuk hiqet?! Mirë, liria u dashka të ketë edhe ndalesat e veta. I ka kufijtë e vet. Në emër të këtij cenimi, është ndaluar edhe Gjin Morina, se e rrezikon lirinë fetare. Ama, cilën liri fetare?! Po qe se rrezikohet edhe kohezioni kombëtar, atëherë a e ka atë forcë poezia e Gjin Morinës që ta shpërbëjë këtë kohezion meqë ai përbën një “pakicë”?!
    Por liria e krijimtarisë është e pakufishme. Filmat pornografikë, filmat me përmbajtje të krimit, filmat me përmbajtje të rëndë psikologjike, filmat horror (me imagjinatën më të prishtë e të çoroditur), e kanë siglën e shikimit të moshës.
    Por LEJOHEN nëpër krejt televizionet tona (në qindra sish). Lejohen, naytrisht, edhe librat e Hitlerit, librat e e shokëve Tito e Fadil, lejohen për lexim edhe librat për shfarosjen e shqiptarëve, siç janë ato të autorëve serbë.
    Pse jo, lejohen edhe librat fetarë. Madje, edhe libra fetarë që, duke u mbështetë te ajeti kuranor 5:17, kërkojnë zhdukjen e besimtarëve jomyslimanë.
    Është liria e shtypjes, liria e krijimtarisë dhe liria e besimit.
    Dallojnë liria e krijimtarisë, liria e leximit dhe liria e veprimit që kryen dhunë. Në këso rastesh duhet ndaluar secili, që nga kryetari i shtetit e deri te një fëmijë çilimi.
    Por mua më bëjnë përshtypje se si e lexoj në poezinë apo si e japin lajmin shumë portale që e kopjojnë njëri-tjetrin. Disa portale thonë: “paraburgim për ekstremistin katolik Gjin Morina”, kurse Kryetari i Kishёs Protestante Ungjillore tё Kosovёs, thotë se ai është besimtar i Kishës së tij, pra është protestant. Pyetja shtrohet: a e morën prej policisë apo prej cilit v-burim se Gjin Morina është ekstremist katolik?! Dhe përse dezinformohet publiku në këtë mënyrë?! Me cilat qëllime?! Dezinformimet, me këtë rast, janë të shumta.
  3. LEXUESI I TRETË:
    Po, dhe masat e marra nga policia janë të drejta! Një poezi nuk bën të na trazojë në këtë kohë katrahurash, epidemish, sëmundjesh, krizash e çka mos tjetër. Poezia ka karakter human. Duhet ta ruajmë paqen tonë të brendshme kombëtare, fetare e njerëzore.
    Poezia duhet ta ketë gjuhën e matur. Madje, poeti duhet t’iu kërkojë falje besimtarëve myslimanë. Nuk janë të gjithë besimtarët myslimanë kundër Skënderbeut. Dhe është gjë e mirë që libri është konfiskuar, është gjë e mirë e me mend që shkrimtari është burgosur.
    LEXUESI I KATËRT:
    Kanë ekzistuar shkrimtarë e lexues servilë në kohë diktaturash, në emër të ruajtjes së shëndetit “publik”, “kombëtar” e “shtetëror”. Me ta përtallet në shumë poezi edhe Gjini. kanë ekzistuar njerëzit e oborrit, gazetarët e Oborrit të Presidencës a të Qeverisë, njësoj siç ekzistojnë edhe tani si oborrtarë të partive politike e qeverive q ë vijnë në pushtet. Vetë Lexuesi i Paanshëm, Artisti e Intelektuali, janë sinonime të Oponencës së Përjetshme kundrejt njerëzve të veshur me pushtet.
    Me gjithë respektin për veprat e tyre letrare, dihen e tregohen me gisht ata kalemxhinj shpirtshitur, që kanë luajtur rolin e censorit ideologjik të vrasjes së vlerave në të kaluarën, që e kanë luajtur rolin e përndjekjes së fjalës së lirë e të përndjekjes ogurzezë ndaj vetë kolegut të tij krijues. Shih ti tani: të mësuar dje të jenë afër regjimit e shërbëtorë të tij; nuk është e çuditshme pse edhe sot, posa kanë shtënë në dorë pak pushtet pa shtet, dinë të jenë pagabueshëm servilë edhe të së sotmes. Dhe na dalin hiç do Krijues oborri, hiç më pak se në kohën e fushatave zgjedhore, për t’i thurur lëvdata e apologji të reja, për të dhënë shpërblime të reja për ata që dje vetë i kanë anatemuar! Ani. Haraçlinjtë e rinj të kulturës. Janë ata njerëz pa kurriz, që i ngritin lumturinë e privilegjet e tyre pranë Mbretit, Prijësit, Diktatorit, Presidencës a Pushtetit, duke qenë njerëz servilë; tek i thurin lëvdata, elozhe, apologji regjimit në fuqi apo veprimeve irracionale të Mbretit, Diktatorit, Kryeparit. Diqysh duhet fituar kjo para e mallkuar!
    Por po i kthehemi poezisë e leximit.
    Unë e them: le të ketë liri krijimtarie për të gjithë. edhe për kriminelët. Poezinë kanë të drejtë ta shkruajnë e lexojnë të gjithë, edhe engjëllorët e kriminelët. Poezia nuk njeh autor sipas profesionit. A nuk shkruajnë poezi edhe vetë talebanët nëpër rrejtët tona sociale e nëpër portale?!
    Nuk duhet ndaluar krijimtaria, siç mendonte e vepronte ndonjë profet në të kaluarën që vriste, burgoste e zhdukte poetë e artistë, pse talleshin me të. Pse, a pak tallje e përtallje ka në shfaqjet televizive kundër politikanëve e besa edhe klerikëve?! Madje, ato shfaqje paguhen me tatimet qytetare.
    Mirëpo unë, personalisht, distancohem nga ato vargje të Gjin Morinës nga aspekti profesional: me sa lexova në portale, pashë poezi që vuajnë nga mungesa e lekturimit dhe drejtshkrimit dhe nga një redaktim i mirëfilltë artistik. Jo se u dashka të bëhet ndonjë censurim vargjesh, por t’u jepet atyre një fuqi më e madhe artistike: të hiqen përsëritjet e panevojshme, vargjet e tepërta, të ketë vetëdije krijuese për përdorimin me vend të gegnishtes apo të standardit, e jo të përzihen ato.