Radio – Kosova e Lirë zë i së vërtetës!

Keine Fotobeschreibung verfügbar.
Vaxhid Sejdiu

Nga Dr.Vaxhid Sejdiu

Gëzuar përvjetorin Radio “Kosova e Lirë”, paç festa dhe përvjetorë gjithmonë, së bashku me flamurin kombëtar!

Që 23 vjet, në kohë lufte dhe në kohë paqe Radio “Kosova e Lirë” vazhdon në valët e saj, të shpërndajë zërin e luftëtarëve të lirisë, amanetin e heronjve dhe të dëshmorëve të kombit, britmat e viktimave të luftës, pamjet dhe masakrat mbi popullin shqiptarë. Dhe me një fjalë përpjekjet e popullit shqiptar për liri dhe çlirim kombëtar.

Që 23 vjet, Radio “Kosova e Lirë” me një gjuhë të zgjedhur mundohet të mbaj drejtpeshimin edhe atëherë kur nuk mbahet, me qëllim që Kosova dhe trojet shqiptare të jetojnë më të bashkuara, më të lira, të jetojnë në një mirëkuptim dhe tolerancë tipike shqiptare, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për të ardhmen e gjeneratave të reja.

Që 23 vjet, Radio “Kosova e Lirë” nuk i dorëzohet gjuhës së urrejtjes, gjuhës jo letrare, nuk bie në nivelin e dialekteve, fiseve apo grupeve, por e mban lart e më lart flamurin kombëtar me shqiponjën dykrenore në ballë, duke dëshmuar kulturë kombëtare dhe duke shpërndarë edukim kombëtar gjithë andej.

Ne, të gjithë pa dallim i kemi “borxh” Radios “Kosova e Lirë” që një ditë, ajo të shndërrohet në Radio dhe TV Kombëtar, me qëllim që fëmijët tanë, si dhe gjeneratat e reja të edukohen në frymën kombëtare, sepse vetëm kështu i shërbejmë vendit tonë dhe lirisë së përgjithshme.

Duke respektuar gjakun për liri, duke përkujtuar vuajtjet e popullit në kohë dhe hapësirë i shërbejmë Lirisë dhe Ditës së Re.

Shpresojmë fort , që një ditë Radio “Kosova e lirë” të bëhet zëri i të gjitha hapësirave shqiptare sepse ishte dhe është zë i së vërtetës. Dhe si dje ashtu edhe sot, por mbi të gjitha edhe nesër, ne të gjithë pa dallim, kemi shumë nevojë për zërin e saj, për fjalën e saj, për gjuhën e saj…

Gëzuar përvjetorin Radio “Kosova e Lirë”, paç festa dhe përvjetorë gjithmonë, së bashku me flamurin kombëtar.