Rexhep Rifati – Hapet edhe pika shkollore në Schwerzenbach!

Rexhep Rifati

Çdo shkollë shqipe është rreze dielli për sytë e fëmijëve, të cilët me dashurinë më të madhe, me dashurinë për gjuhën e nënës mundohen ta ruajnë gjuhën amtare. A ka gjë më të bukur se të shohësh prindër shqiptarë, të cilët edhe pse larg atdheut, me përkushtim i shoqërojnë fëmijët e tyre drejt shkollës shqipe në Uster, Volketswil, Ditelikon, Brüttisellen, Glattbrug, Effretikon, Fällanden, Fehraltorf…

Në vazhdën e angazhimeve për hapjen e sa më shumë pikave shkollore për fëmijët shqiptarë të cilët dëshirojnë t`i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe, ditë më parë filloi mësimi në gjuhën shqipe edhe në shkollën shqipe në Shverzenbah, ku fëmijët shqiptarë i ndjekin mësimet në shkollën  Steingarten, çdo të enje nga ora 16:15 – 18:00.

Këto duar të bukura që bëjnë shqiponjën, simbolizojnë dashurinë ndaj gjuhës shqipe, shkollës shqipe, kulturës, traditës, identitetit kombëtar…

Kjo shkollë shqipe iu bashkëngjitet shkollave shqipe të Uster-it, Volketswil-it, Dietlikon-it, Brüttisellen-it, Glattbrug-it, Effretikon-it, Fällanden-it, Fehraltorf-it…, të cilat ofrojnë mësimin në gjuhën shqipe.

Prandaj, thirrja që shoqërohet me një dashuri te madhe për gjuhën dhe shkollën shqipe “Ejani në shkollën shqipe në Schwerzenbach”, të cilën fjali e kemi përdorur edhe për shkollat tjera shqipe është apel i përgjithshëm, që dëshmon se fëmijët shqiptarë pa gjuhën e nënës janë “si  ata zogjtë pa krahë”. Ejani, në shkollën shqipe në “Steingarten” të Schwerzenbach-it, sepse shkolla shqipe po ju pret.

Po ashtu ju ftojnë edhe nxënësit Anili, Tuana, Dritoni, Nafija, Lediari, Durani, Lorena, Alisa, Lisi, Enea, Bertina, Agani etj., ku së bashku me ta, keni mundësinë t`i mësoni shkronjat e shqipes, të mësoni, të shkruani dhe të lexoni mirë e drejtë gjuhën shqipe.

Pasi që misioni ynë është që të shkojmë aty ku gjenden nxënësit e shkollës shqipe, ju bëjmë thirrje të gjithë atyre prindërve të cilët dëshirojnë që t`ua ruajnë gjuhën amtare fëmijëve të tyre le të paraqiten në adresën:  (e-mail: vaxhid_sejdiu@hotmail.com  apo në tel. 076 321 26 94) sepse jemi në vazhdën e hapjes  së disa pikave shkollore dhe qëllimi ynë është që t`i sistemojmë sa më parë të gjithë nxënësit,  të cilët  janë paraqitur kohëve të fundit në takimet me ta.

Suksese nxënës të shkollës shqipe në Schwerzenbach! ( Marr nga portali Prointegra)