RKL: Keqkuptim i Arkivit të lajmeve të luftës së Radios-Kosova e Lirë, si Arkiv i UÇK-së, apo mungesë informimi

Ahmet Qeriqi

Nga Ahmet Qeriqi

Sa i përket Arkivit të Radios-Kosova e Lirë, kemi të bëjmë me botimin në tre vëllime të informatave, lajmeve, komunikatave, komenteve,  zhvillimeve  në terren, lajmeve nga bota, të cilat i ka transmetuar Radio-Kosova e Lirë, prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999. UÇK-ja vepronte hapur, luftonte hapur, informonte hapur dhe nuk kishte kohë as kushte të arkivonte dosje, sepse ishte e zënë me luftën e saj  për ekzistencë dhe mbijetesë…

Pranimi i kryesuesit të delegacionit të Kosovës, z. Besnik Bislimi, në Bruksel,   për hapjen e arkivave edhe të UÇK-së, me të drejtë ka ngjallur reagime të shumta, sepse zëvendës-kryeministri ose është i painformuar,  ose po përpiqet të japë kontribut të veçantë në bisedime me delegacionin serb, mbi kurriz të UÇK-së. Është vështirë të besohet se z. Bislimi nuk di të bëjë dallimin mes arkivave dhe formateve që prezantohen në to. Por është mjaft e papërgjegjshme të pranohet se UÇK-ja ka pasur apo ka arkiva, në kuptimin shtetëror të fjalës. UÇK-ja vepronte hapur, luftonte hapur, informonte hapur dhe nuk kishte kohë as kushte të arkivonte dosje, sepse ishte e zënë me luftën për ekzistencë dhe mbijetesë…

Arkivat, në krejt botën janë shtetërore dhe nuk hapen për një kohë të gjatë, meqë në to ruhen sekretet, ruhen emrat e bashkëpunëtorëve, ruhen të dhënat me interes shtetëror e kombëtar,  të cilat kërkojnë një periudhë të gjatë kohore, për publikim. Arkiva të tilla nuk kishte në Kosovën e kohës së luftës, meqë Kosova nuk ishte shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Një arkiv të tillë, në formë dosjes kundër veprimeve të UÇK-së e kishte LDK-ja, e cila rrodhi në opinion, përnjëherë pas mbarimit të luftës.  Mbi atë dosje arkiv, të LDK-së dhe burimet të bashkëpunëtorëve të Serbisë, Ministria e Drejtësisë së Serbisë e kohës së Millosheviqit, ka paraqitur akuzën kundër UÇK-së, ku janë të përfshitë edhe emrat e rreth 160 luftëtarëve të lirisë, eprorë, ushtarë dhe pjesëmarrës në luftë.

Sa i përket Arkivit të Radios-Kosova e Lirë, kemi të bëjmë me botimin në tre vëllime të informatave, lajmeve, komunikatave, komenteve,  zhvillimeve  në terren, lajme nga bota, të cilat i ka transmetuar Radio-Kosova e Lirë, prej 4 janarit deri më 21 qershor të vitit 1999.

Aty janë prezantuar më shumë se 3.500 informata, të cilat janë lexuar dhe janë shpërndarë  përmes valëve të Radios. Në këtë rast kemi të bëjmë me arkivin e lajmeve të kohës së luftës dhe kurrsesi me ndonjë dosje të arkivuar.

10 vjet ka pritur Radio Kosova e Lirë ta botojë arkivin e kohës së luftës, daljen në dritë të të cilit e ka ndihmuar edhe Qeveria e Kosovës.

Është për keqardhje që këtë arkiv nuk e kanë partitë politike, as institucionet, për të cilat  është shpërndarë gratis. Nga 10 këshilltarë sa kanë ministrat aktualë, si është e mundshme që asnjëri prej tyre nuk ka dëgjuar se është botuar një arkiv i tillë, i cili ka mjaft informata të kohës së luftës, të cilat në raste të caktuara mund të kenë qenë edhe  informata të ekzagjeruara, mund të ketë pasur edhe pasaktësi, sepse ishin lajme nga një burim dhe nuk kishte mundësi në rrethana të luftimeve të përditshme të kesh dy tri burime për verifikimin e të dhënave, sepse veprimin dhe punonim në një zonë ku përditë goditej nga arma armike, dhe nuk raportonim nga Tirana apo nga hotelet e qyteteve  të Evropës.

Nëse dikush mendon se ky arkiv i Radios-Kosova e Lirë, i publikuar qysh në vitin 2010, mund të merret si arkiv i UÇK-së dhe mund të trajtohet si i tillë, paraprakisht duhet të lexohet përmbajtja dhe të merret një qëndrim i caktuar

Më 10. 9. 2021. Ministrja e Drejtësisë,  Albulenë Haxhiu ka thënë për ATV: Arkivat e Luftës konsiderojmë se janë publike, në publikime dhe libra të ndryshme, të shfaqura në radio Televizionin e Kosovës, janë lexuar në Radion Kosova e Lirë, prandaj ne nuk kemi asgjë sekrete ose për të fshehur, por kjo deklaratë e z. Besnik Bislimi po keqkuptohet.

Realisht, zonja Haxhiu ka thënë një të vërtetë, por nuk ka saktësuar se arkivi i medieve, në këtë rast edhe arkivi i Radios-Kosova e Lirë, nuk ka të bëjë fare me arkivat, për të cilat ka folur zëvendës-kryeministri, Bislimi, as është aq fodull kryesuesi i delegacionit të Serbisë, sa të mos dije se cili është dallimi mes arkivit shtetëror dhe arkivit të një mediumi, në këtë rast, arkivit të botuar të RKL-së. Këtë fakt mbase nuk  e dinë as këshilltarët e zëvendës-ministrit.

Po kështu nuk mund të barazohet arkivi i RTK-së me atë të RKL-së, sepse gjatë luftës nuk ka ekzistuar RTK-ja por RTSH-ja dhe kjo nuk është e njëjta.

Duke ditur qëndrimin injorues dhe përbuzës të një segmenti brenda Vetëvendosjes kundër Radios-Kosova e Lirë, më duhet të deklaroj se për të gjitha informatat e transmetuara të kohës së luftës, të prezantuara  në ARKIV I, II,  IIIpërgjegjës i vetëm ka qenë gjatë luftës dhe është edhe sot, drejtori i Radios-Kosova e Lirës, Ahmet Qeriqi, kurdoherë i gatshëm të sqarojë, të mbrojë me fakte e dëshmi relevante krejt atë lëndë shkrimore që është prezantuar në arkiv, sepse ajo është publikuar në bazë të arkivit të ruajtur, në origjinal, i cili po kështu ruhet në ambientet e RKL-së.

Në rastin konkret, emri Arkiv, i botuar nga RKL me emblemën e saj,  mbase edhe i ka hutuar të paniformuarit, të cilët nuk dinë të bëjnë dallimin mes arkivave shtetërore dhe arkivit të një mediumi informativ gjatë luftës së UÇK-së.

Radio-Kosova e Lirë, me të gjitha kapacitetet e veta ka qenë, është dhe do të jetë në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së, në mbrojtje të kreut të luftës, të arrestuar padrejtësisht, nga Gjykata Speciale, të cilët po mbahen në burgun e Hagës, sepse kjo Radio ka qenë është  dhe po mbetet një vlerë që nuk mund të kontestohet me gjuhën e fakteve, por mund të injorohet nga injoruesit dhe abuzuesit e luftës së UÇK-së, ashtu sikur ishte sulmuar me tërë arsenalin e armëve nga kriminelët e Milosheviqit, ku kishin rërë edhe shumë dëshmorë,  dhe ashtu sikur sulmohet edhe sot nga mbetjet e atij regjimi, në Kosovë.

Të vetëdijshëm për ndikimin që ka ushtruar dhe ushtron ky medium te liridashësit dhe liribërisit e Kosovës, jemi në gatishmëri të përhershme të përballemi me çdo sfidë, në mbrojtje të luftës sonë  të drejtë çlirimtare dhe fitimtare. Mbrojtja nga ana jonë është e faktuar, e afishuar, e sistemuar dhe ajo flet vet për ata që e kuptojnë, apo duan ta kuptojnë të drejtën e luftës së UÇK-së.