30 vjet punë e përpjekje për ruajtjen e shqipes në një kanton zviceran

Rexhep Rifati

Nga Rexhep Rifati

Pasditen e së shtunës, në bibliotekën Hardau të Cyrihut u promovua libri autorit, Dr Vaxhid Sejdiu: “Shkolla shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër  e bashkimit kombëtar”, në faqet e të cilit figuron se si për 30 vjet, prindër dhe mësues punuan dhe vepruan në të njëjtat valë, rreth ruajtjes e zhvillimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe organizimit sa më të mirë të shkollës shqipe në mërgim.

Që në hapje të këtij evenimenti, me një fjalë përshëndetëse artdashësve të pranishëm iu drejtua drejtoresha e Bibliotekës Hadau të Cyrihut, Suela Jorgaqi, e cila si zakonisht kur është në pyetje libri zhvillon një bashkëpunim tejet të frytshëm

me shkollën shqipe, por edhe në përgjithësi për dashamirët e librit, që mund të gjejnë këtu edhe qindra tituj në gjuhën shqipe.

Më pastaj autori i librit Vaxhid Sejdiu, një nga mësuesit më kontribuues në mësimin plotësues në gjuhen shqipe, falë angazhimit të të cilit së voni janë hap me dhjetar pika shkollore, bëri prezantimin e librit nëpërmjet fotografive, për 30 vjetorin e shkollave shqipe, duke vu në pah sidomos përkrahjen e prindërve me prejardhje nga të gjitha trojet etnike por edhe vet autoritetet shkollore të shtetit zviceran.

Më pastaj disa nga nxënësit e shkollave shqipe, që përfaqësuan bashkëmoshatarët e tyre plotësuan programin me recitime edhe atë : Anesa Huneli, Aulona Shaqiri, Ajlina Huneli dhe Gentonis Shala, për ta mbyll programin me këngën “Jam Shqiponja”, të kënduar nga nxënësja  e shkollës shqipe në Uster,  Gresa Shala.

Mërgimtarët shqiptarë e kanë dëshmuar dashurinë e madhe ndaj atdheut

Duke shkëput sa fragmente nga ky libër me interes të veçantë jo vetëm për shqiptarët e kantonit që prezanton, autori përkujton se: “Faktet historike dëshmojnë se shqiptarët kanë emigruar, jo vetëm gjatë shek. XX, por  në vazhdimësi në vende të ndryshme të botës, duke kaluar edhe kontinente. Atdheu shpirtëror dhe gjeografik i shqiptarëve ndër shekuj ishte dhe mbeti shënjestër e pushtimeve më të egra, që njeh historia e njerëzimit dhe ky fakt detyroi qindra mijëra familje shqiptare, që ta marrin “botën në sy”. Askush nuk mund ta thotë numrin e vërtetë të shqiptarëve të mërguar jashtë atdheut. Kanë munguar dhe mungojnë përpjekjet apo studimet serioze, jo vetëm nga përgjegjësit e klasave politike shqiptare, por edhe nga Institutet apo nga Akademitë tona Shkencore, të cilat e kanë detyrim kombëtar të merren me këtë problematikë shumë të rëndësishme. Të gjitha migrimet dëshmojnë se mërgimtarët shqiptarë e kanë dëshmuar historikisht dashurinë dhe dëshirën madhe për të komunikuar me atdheun, për ta mbajtur gjallë lidhjen me atdheun, i cili shpeshherë ka qenë i vështirë apo edhe i pamundur. Nëse i studiojmë vendbanimet apo trevat ku janë ngulitur ata, lirisht mund të themi se asimilimi i tyre ka ardhur pikërisht në mungesë të një komunikimi të ndërsjellë kombëtar. Një gjë të tillë e pohojnë me qindra dhe mijëra shkrime të autorëve të ndryshëm. Malli apo dashuria për atdheun shfaqet pothuajse te të gjithë autorët të cilët kanë vepruar dhe veprojnë larg atdheut.

Asimilimi i dhunshëm i qindra e mijëra familjeve shqiptare nën Serbi

Më tej Vaxhid Sejdiu përmend se: Ndonëse në rrethana shumë sfiduese, si zakonisht kanë shpëtuar ato grupe ku ishin ngulitjet më të mëdha, siç bëhet fjalë për Arbëreshët e Italisë, Shqiptarët e Amerikës, Shqiptarët (arnautët) e Turqisë, Shqiptarët e Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë apo shqiptarët e Ukrainës, Rumanisë të cilët mbijetojnë disi. Por një gjë e tillë nuk mund të thuhet për shqiptarët e Egjiptit, Australisë, Sirisë, Libanit, Bullgarisë, Arbëreshët e Zarës dhe të Dalmacisë, Sllovenisë dhe shumë e shume vende të tjera, të cilat janë gurë i rëndë në jetën shqiptare. Në veçanti vlen të studiohet asimilimi i dhunshëm i qindra e mijëra familjeve shqiptare nën Serbi, siç është rasti i shqiptarëve të Tregut të Ri (Novi Pazarit), Nishit, Toplicës, Vranjës dhe më gjerë, në Mal të Zi, apo në Maqedoninë e Veriut (siç është rasti i shqiptarëve ortodoksë), Prejlepit, Velesit, Manastirit, Ohrit apo i arvanitasve në Greqi etj.

Mërgata shqiptare asnjëherë nuk ka ndenjur duarkryq

Por, në një zhvillim të këtillë historik faktet flasin se mërgata shqiptare nuk ka ndenjur duarkryq ndaj zhvillimeve politike kombëtare në atdhe, por është munduar të ndihmojë në rilindjen e përpjekjeve kulturore, arsimore dhe kombëtare nëpër gjithësi. Lirisht mund të thuhet se një pjesë e madhe e aktiviteteve të kohës nuk mund as të paramendohen pa kontributin e mërgatës shqiptare. Faktet janë kokëforta, sepse këto përpjekje nuk kanë qenë të rastësishme, por të organizuara dhe në një koordinim të rregullt me forcat përparimtare në atdhe. Vlen të përmenden disa prej tyre, duke filluar nga përpjekjet e shtypit të gazetave, revistave dhe librit shqip, hapjes së shkollës së parë shqipe në Korçë më 1887, si dhe shkollave të tjera, pastaj te Kongresi i Manastirit (1908) apo te shpallja  e Pavarësisë së Shqipërisë (1912), duke vazhduar pa kurrfarë ndërprerje deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kontribut i jashtëzakonshëm i mërgatës shqiptare në Zvicër

Në këtë rrugëtim kombëtar padyshim se mërgata shqiptare në Zvicër edhe pse e re ka një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimet e fundit jo vetëm politike; në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe më gjerë, por edhe në zhvillimet kulturore dhe arsimore. Një hap i këtillë është ndihma e pothuajse e të gjitha iniciativave në atdhe si dhe hapja e shkollave shqipe në Zvicër dhe mbarë Evropën, si dhe përpjekjet për ta ruajtur gjuhën amtare.

Ky libër është një përpjekje për të prezantuar ardhjen, organizimin dhe angazhimin e shqiptarëve në Kantonin e St. Gallen-it, të Zvicrës, me theks të veçantë hapjen e pikave shkollore dhe përpjekjet për ruajtjen e gjuhës shqipe. Mendohet se ardhja e shqiptarëve në Kantonin e St. Gallen-it ka ndodhur në vitet e 60-ta të shek. XX.

Në dhjetë kapitujt e librit janë trajtuar përpjekjet e mërgimtarëve shqiptarë në Kantonin e St. Gallen-it nga iniciativat individuale për hapjen e shkollave shqipe, duke vazhduar me Shoqatën “Motrat Qiriazi”, Lidhjen Kantonale të Prindërve Shqiptarë “L.P.Sh.”, Lidhjen Kantonale të Arsimtarëve “L.A.Sh.” dhe deri te formimi i L.A.P.Sh. “Naim Frashëri” për Kantonin e St. Gallen-it. Janë trajtuar me kujdes të gjitha fazat e zhvillimit të shkollës shqipe në nivel kantonal si dhe bashkëpunimi i L.A.P.Sh.-it kantonal me shkollat tjera apo me kantonet tjera.

Mëse dy vjet hulumtime për grumbullimin e materialit

Autori në libër përmend se : Më se dy vjet kam hulumtuar në grumbullimin e materialit me shpresën më të madhe që të përfshijë pjesën kryesore të atyre që e bënë shkollën shqipe funksionale në kantonin tonë, që e mbajtën gjallë mësimin shqip në këtë pjesë të Zvicrës, pa ndërprerje më se tri dekada. Jam munduar pa marrë parasysh zhvillimeve në të kaluarën gjërat t`i paraqes në mënyrë sa më reale. Jam i vetëdijshëm se burimi rreth shkollës shqipe është shumë më i gjerë se ky libër, sepse edhe unë nuk kam arritur disa aktiviteteve në kuadër të shkollave shqipe t`iu bëj vend në të.  I vetëdijshëm se një libër nuk mund t`i përfshijë tri dekada pune dhe angazhim vullnetarë dhe të pandërprerë, por, gjithmonë i bindur se ky libër, iu hap rrugë të tjerëve, që të angazhohen dhe të sjellin në dritë materiale të tjera të kohës rreth shkollës shqipe.

Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar

Në krijimtari shpesh ndodhë që titulli i librit del natyrshëm nga përmbajtja e tij. Prandaj, edhe “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar”, doli natyrshëm pas shfletimit dhe përpunimit të materialit të përgjithshëm, që gjendet në arkivin e L.A.P.Sh.-së, të Kantonit të St. Gallen-it. Por, parashtrohet pyetja, pse vatër e bashkimit kombëtar? – Përgjigja është në maje të gjuhës, e cila përkufizohet në bazë të aktivitetit shkollor dhe të aktiviteteve të tjera jashtëshkollore, apo siç themi zakonisht aktiviteteve të lira. Thënë shkurt pa marrë parasysh se nxënësit, prindërit, mësuesit dhe veprimtarët e saj vinë nga të gjitha trojet shqiptare (nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia  e Veriut, nga Mali i Zi, nga Serbia Jugore), përpjekjet e tyre bashkohen në shërbim të gjuhës dhe shkollës shqipe. Për të gjithë, pa dallim gjuha dhe kombi janë një. Ata edhe pse jetojnë me mijëra km. larg vendlindjes, larg atdheut, dhe të ndarë në disa shtete duke poseduar edhe dokumente të ndryshme personale, ata kanë një gjuhë dhe një komb. Dhe këto dëshmi vërtetohen në bazë të materialeve arkivore, të cilat janë dëshmi të forta të angazhimit dhe përpjekjeve të tyre ndër vite.

Prindër dhe mësues punojnë e veprojnë në të njëjtat valë

Më se 30 vjet, prindër dhe mësues punojnë dhe veprojnë në të njëjtat valë, rreth ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe rreth organizimit sa më të mirë të shkollës shqipe në mërgim.

Duke i lexuar me vëmendje kapitujt e librit shihet qartë se “Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit”, konsiderohet palcë e kombit. Ruajtja e gjuhës dhe kulturës kombëtare është obligim kombëtar dhe detyrë morale e çdo mërgimtari, që të kujdeset që fëmijët e tij ta trashëgojnë gjuhën e nënës.

Ky libër është më shumë se një monografi apo një përkujtim për të gjithë ata, të cilët u kujdesen, që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë ta kenë sa më afër shkollën shqipe. Në vazhdimësi dokumentohet për të gjithë ata, të cilët punuan dhe vepruan, se hapja e shkollave shqipe ndihej si obligim kombëtar, nëpërmjet të së cilës mendohej dhe mendohet se gjuha amtare mund të ruhet më mirë nëpërmjet saj. Përveç dëshmive dhe fakteve të ndryshme që paraqesin migrimin e shqiptarëve në Zvicër, organizimin dhe përpjekjet e tyre në rrugëtimin e hapjes së shkollave shqipe dhe angazhimit për t`i ruajtur ato, gjatë këtyre tri dekadave, lexuesi ka mundësi të njihet edhe me studentë shqiptarë të suksesshëm në shoqërinë zvicerane, të cilët në fakt ishin dikur nxënës të shkollës shqipe.

Jo vetëm pedagogët dhe mësuesit shqiptarë që vërtetojnë se shkolla shqipe – është dritare për të ardhmen e fëmijëve mërgimtarë në Zvicër dhe më gjerë, këtë e vërtetojnë edhe ekspertët dhe pedagogët zviceranë dhe të tjerë, të cilët pohojnë në bazë të fakteve, se ai që njeh mirë gjuhën amtare, mund ta mësoj edhe më lehtë gjuhën e huaj. Prandaj në këtë drejtim një numër i konsiderueshëm i prindërve shqiptarë veproi me kujdes në ruajtjen e gjuhës amtare tek fëmijët e tyre. Gjë që rezultoi me sukses edhe në shkollimin e tyre në Zvicër. Një libër që përfshinë pjesën më të rëndësishme të organizimit dhe të riorganizimit të shkollave shqipe në nivel kantonal por gjithmonë duke u bazuar në obligimin kombëtar apo në fjalët dhe udhëzimet e rilindësve shqiptarë: Kurrë nuk kemi të drejtë të quhemi komb qytetëruar, sado që të mësojmë gjuhë të huaja, sepse kombi nuk qytetërohet vetëm me mësimin e  gjuhëve të huaja, por me mësimin e gjuhës së vet”.[1]

Pra, ruajtja e gjuhës amtare dëshmon edhe nivelin edukativ në familje dhe në shoqëri, në të cilën jeton. Në të gjitha aktivitetet shkollore do të shohim se gjuha, flamuri, shkolla, atdheu janë një, dhe të pandara. Ato ruhen, zhvillohen dhe trajtohen me dashuri dhe kujdes, jo një ditë, por në vazhdimësi gjatë gjithë ekzistencës së Shkollës Shqipe në Kantonin e St. Gallen-it, sepse këto janë elemente përbërëse të shpirtit të shqiptarit kudo qoftë ai. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët që lindin dhe rritën në vend të huaj.

Krejt në fund ja vlen të theksohet se krahasuar e situatën pandemike nuk ishte i pakt edhe numri i pjesëmarrësve në promovim ( Marr nga Portali Prointegra).