Shefqet Musaraj u lind më 27 prill të vitit 1914 në fshatin Vajzë të Vlorës, ku mori edhe mësimet e para. Ka kryer shkollën e mesme të tregtisë. Ka shkruar poezi e skica qysh në moshën e rinisë së hershme. Shefqet Musaraj ishte pjesëmarrës aktiv i luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare dhe figurë e dalluar e luftës partizane. Gjatë luftës ka qenë redaktor i revistës “Kushtrimi i lirisë”.
Shkrimtari, poeti e intelektuali, Shefqet Musaraj i takon brezit të shkrimtarëve shqiptarë, të cilët veprimtarinë letrare e kanë filluar para LANÇ-së. Ai është afirmuar plotësisht dhe ka dhënë masën e duhur të talentit të vet aty rreth viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kur ka botuar tregimin “Isha unë Çobo Rrapushi”, e sidomos rreth vitit gjashtëdhjetë e pesë, kur ka botuar romanin e tij të gjatë “Para agimit”. Përpara këtij romani voluminoz, me të cilin pothuaj ka sintetizuar punën e vet letrare, që shquhej me fragmentaritete, Shefqet Musaraj ka botuar edhe poemthin “Epopeja e Ballit Kombëtar” më 1944, poemthin tjetër satirik “Do bëhen zgjedhjet” më 1948, përmbledhjen e pjesëve humoristike Të shkruara – të paharruara më 1957, prej të cilave një pjesë e dukshme janë publikuar gjatë okupacionit në revistën ilegale “Kushtrimi i lirisë”, kurse më 1967 i është ribotuar tregimi “Isha unë Çobo Rrapushi” me të cilin, në të njëjtën përmbledhje, ka dalë edhe tregimi më i gjatë i tij Llaz Qesarati. Përpos këtyre prozave dhe poezive Musaraj ka shkruar dhe botuar reportazhin nga lufta partizane “Shteg më shteg me partizanët e Divizionit të I sulmues”, mandej reportazhe dhe skica nga vizitat që u ka bërë Bashkimit Sovjetik dhe Rumanisë si dhe një numër vjershash që i janë futur edhe në antologjitë e ndryshme, si në analogjinë “Simfoni për atdheun”, e në ndonjë tjetër. Musaraj, gjithashtu, është njëri prej shkrimtarëve shqiptarë që ka provuar të shkruajë ndonjëherë edhe për çështje të ndryshme letrare, në të cilat ka shprehur mendimet e tij rreth problemeve më të rëndësishme të letërsisë së sotme shqipe, duke shkoqitur me gjuhën diskursive pikëpamjet që janë shprehur praktikisht në prozat dhe poezitë e tij. Kjo tregon Sem Musaraj, edhe pse nuk është treguar aq i frytshëm, prapë, si dhe shumica e shkrimtarëve të tjerë shqiptarë të kohës së tij, ka provuar format e ndryshme të shprehjes letrare: vjershën, poemën, tregimin, novelën, romanin, esenë, e të tjera. (Vikipedia)
Veprat e Shefqet Musarajt:
Bujku i Hanko Hallës,
Këngët e sirtarëve,
Epopeja e Ballit Kombëtar- poemth, 1944
Do bëhen zgjedhjet – poemth satirik, 1948
Të shkruara – të paharruara- humoreska, 1957
Isha unë Çobo Rrapushi – tregim, ribotim 1967
Shteg më shteg me partizanët e Divizionit të I sulmues – reportazh
Simfoni për atdheun – antologji.
Letër nga fqinji,
Romani: Para Agimit I II
Unë Mato Labi konservator,
Belxhiku që këndonte vendçe (Nga RKL).