SHKOLLA SHQIPE NË BAVARI TË GJERMANISË

SOKOL PAJA

Nga SOKOL PAJA

Mustafë Krasniqi mësues i shkollës shqipe në Bavari të Gjermanisë dhe nënkryetar i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë, në një rrëfim ekskluziv për gazetën “DIELLI”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, dhënë Editorit Sokol Paja, shpjegon me detaje historinë e mësimit shqip në Gjermani, funksionimin e mësimit shqip në Bavari të Gjermanisë, sfidën për ruajtjen e gjuhës, kulturës, e traditës shqiptare në emigracion, mësimin në kushtet e pandemisë, fëmijët dhe dygjuhësia, punën e Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë dhe projektet në të ardhmen e shkollës shqipe në Bavari të Gjermanisë. 

ORGANIZIMI NË LANDE I MËSIMIT SHQIP DHE HISTORIA E SHKOLLAVE SHQIPE NË GJERMANI

Në Gjermani historia e shkollave shqipe ka filluar që nga mesi i viteve ’80-të, e cila vazhdon edhe sot, por jo në të gjitha republikat (landet). Konkretisht Republikën (landin) e Bavarisë ky proces institucional është ndërprerë dhe ka mbetur në baza vullnetare te bashkëkombësit, meqë kjo republikë(land) ka specifika të ndryshme nga republikat e tjera, të cilat e kishin dhe e kanë të rregulluar sistemin e arsimit për gjuhët e huaj, ku në këtë grup futet edhe gjuha shqipe. Domethënë se në këtë Republikë dhe në Republikën e Baden-Württembergut paga e mësimdhënësit bëhet në baza vullnetare përmes prindit, donacioneve të mundshme, e jo si në disa republika që paga bëhet përmes sistemit të rregulluar të tyre. Por, ajo që na bën të ndihemi mirë është se na e kanë mundësuar mbajtjen e mësimit plotësues në klasa, në ato shkolla ku kemi nxënës të mjaftueshëm, 12 deri 24 nxënës. Gjë që deri në vitin 2007/08 edhe në këtë republikë ka pasur mësimdhënës që kanë marrë pagë nga sistemi i rregulluar i ministrisë së arsimit të këtushëm, ku disa republika të Gjermanisë ende e aplikojnë këtë sistem, kurse Republikën e Bavarisë dhe ajo e Baden-Württembergutë nuk e aplikojnë këtë sistem të pagave për mësimdhënësit e gjuhëve të huaja, që nuk janë në procesin e mësimit të rregullt.

PËRPJEKJA PËR RIORGANIZIMIN E MËSIMIT PLOTËSUES NË GJUHËN SHQIPE NË LANDIN E BAVARISË

Duke parë se komuniteti i mërgatës shqiptare, në këtë republikë, nuk kishte ndonjë interes të dukshëm në këtë drejtim, po aq dhe nuk e shihnin si të mundur dhe të realizueshëm organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe. Gjë që për këtë thua se kishte humbur interesi dhe, çdo hap i ndonjë nisme në këtë drejtim donte një guxim dhe vendosje të palëkundshme, për të arritur qëllimin, vizionin dhe misionin për mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Me të gjitha këto vështirësi që e dija se do të përballem, guximshëm mora këtë nismë edhe pse e dija se do të kem sfida të mëdha gjatë rrugëtimit për të realizuar qëllimin, vizionin dhe misionin për shkollën shqipe. Në vitin 2014/16, organizova mësimin plotësues në qytetin e Rosenheimit me rrethin, duke i falënderuar edhe disa prindër, ku arrita t’i hapim pesë klasë, në katër klasë prej tyre isha mësimdhënës. Që në fillim të kësaj nisme kisha të regjistruar 118 nxënës, po që mësimin e vijonin 89 nxënës, përgjatë këtyre dy viteve numri i nxënësve kishte edhe ndryshime. Gjatë mësimdhënies dhe angazhimit për rritjen e numrit të nxënësve dhe hapjen e klasave të reja, u angazhova që procesi mësimor të tejkalojë përtej Rosenheimit me rrethin (qytet i Republikës së Bavarisë) , e të shtrihej edhe në qytete tjera në Republikën e Bavarisë, ku vullnetarisht mësimi mbahej edhe në qytetin e Landaut dhe në Dingolfing. Për këtë nismë fillimisht ju drejtova Konsullatës së Republikës së Kosovës në Mynih, në atë kohë ende nuk ishte konsullata e Shqipërisë, me një projekt konkret për përkrahjen institucionale për mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Në këtë projekt edhe pse kishte hamendje nga konsullata, po që gjeta përkrahje dhe nxitje të fuqishëm, konkretisht, nga konsullit Hamdi Reçica, i cili më tha: Të lutëm mos heq dorë nga ky projekt madhor e kombëtar, pavarësisht se kush te dekurajon. Kësaj nisme, që kishte qëllim parësor e të domosdoshëm çështjen e ruajtjes së gjuhës amtare, kulturës kombëtare shqiptare dhe mësimin e historisë së kombit ju bashkuan: z. Fran Tanushi, z. Fadil Lumin, znj. Donika Zonja, znj. Hateme Morina, z. Isuf Bytyçi, z. Agron Ibrahimi dhe z. Jonuz Veliçi. Kështu që më 8 Tetor të vitit 2016 themeluam Këshilli Nismëtar, përgjegjës i këtij këshilli, isha unë (Mustafë Krasniqi). Gjatë kësaj periudhe për opinion dhamë një deklaratë, shpërndamë formularin për vitin 2016/17, për regjistrimin e nxënësve, hapëm edhe disa klasa. Ndërsa me 23 Prill 2017, në prani të ish-Ministri i Arsimit, i Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës, z. Arsim Bajrami me stafin e tij, ish-Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës z. Valon Murati dhe drejtori i Departamentit për Arsim dhe Kulturë në Diasporë, z. Avdyl Lipoveci, konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë z. Arten Hanku, konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës z. Naser Idrizi, Këshilltari z. Faket Kajtazi dhe Konsulli Hamdi Reçica, të mësimdhënësve, Këshillave të prindërve, Shoqatave dhe përfaqësuesve të bizneseve që jetojnë dhe veprojnë në Bavari, mbajtëm Kuvendi Themelues, me emërtimin e shkollës shqipe: Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Bavari. Kuvendi zgjodhi kryesinë prej 19 anëtarëve, me kryetar, Unë-Mustafë Krasniqi. Gjatë kësaj periudhe nxorëm shumë rregullore, formuan komisione, Këshillin e Arsimtarëve, Këshilli i Prindërve, mbajtëm seminare, manifestime dhe kuize diturie. Ndërsa donator kryesor kishim Fondacioni “Besa”, pa i harruar edhe donatorët tjerë. Po ashtu ndërtuam lidhje të ngushta me MASHT-in dhe MDIS-in, të Republikës së Kosovës, bashkëpunimi me dy Konsullatat shqiptare në Mynih, të cilët dhe i caktuan përfaqësuesit e tyre: Dr. Dashnor Ibraj nga Konsullata e Republikës së Shqipërisë dhe z. Faket Kajtazi nga konsullata e Republikës së Kosovës. Kështu që në kuvendin e dytë, të mbajtur më 2019, doli kryesia e re, që në këtë kryesi u zgjodha Koordinator i Këshillit të Arsimtarëve të LAPSH-it.

SFIDAT E MËSIMIT SHQIP MES TEKNOLOGJISË, PANDEMISË DHE VËSHTIRËSIA E FËMIJËVE ME DY GJUHË

Kur flasim për sfidat e shkollës shqipe në përgjithësi, e konkretisht në Republikën e Bavarisë, që nga themelimi i saj e deri më tani kemi arritur suksese të dukshme në hapjen e klasave, shtimin e numrit të nxënësve dhe në sensibilizimit e shkollës shqipe te mërgimtarët shqiptarë. Këto përpjekje sfiduese u vështirësuan në vitin e kaluar, ku përballja e mësimdhënësve dhe e kryesisë së LAPSH-it ishte e madhe, ngaqë ishin të detyruar ta ndërronin platformën e mësimdhënies, nga mësimdhënia në klasë të kalonin në formën digjitale, online. E tërë kjo problematikë erdhi si pasojë globalizmit botëror, me shfaqjen e pandemisë Covit-19. Pavarësisht këtyre vështirësive dhe kalimi në një platformë të re, mësimdhënësit krijuan një metodologji pune, të përshtatshme dhe tërheqëse për nxënësit, duke ju falënderuar angazhimit të përbashkët të Këshillit të Arsimtarëve, mësimdhënësve dhe kryesisë së LAPSH-it, të cilët trajnuan mësimdhënësit në platformën Zoom. Vlen të përmendim edhe kërkesën LAPSH-i dërguar Ministrisë së Arsimit të Bavarisë, që gjuha shqipe të jetë e barabartë në mesin e gjuhëve të komuniteteve tjera dhe të futet në listën ku janë gjuhët e komuniteteve tjera joshqiptare. Fatbardhësisht në Mars të këtij viti, Ministria e Kulturës (Kultusminesterium) në Bavari miratoi kërkesën tonë dhe gjuhën shqipe u bë pjesë e listës ku janë gjuhët e komuniteteve të huaja. Ndërsa kur flasim për vështirësitë e fëmijëve me dy gjuhë, e them me plotë përgjegjësi se mësimi i dy gjuhëve nuk do t’i krijon kurrfarë vështirësie për nxënësin, për kundër kësaj vetëm sa e avancon në zhvillimin e dijes së tij. Sa i përket gjuhës shqipe me keqardhje e them se nuk është i mjaftueshëm angazhimi i prindit, shoqërisë dhe as i shtetit të origjinës, se kemi të bëjmë me një brez, brezin e dytë, që ka filluar ta belbëzoi gjuhën, e mos flasim për brezin e tretë që ka drojë nëse ne nuk jemi më të vëmendshëm do të vije deri te harrimi i saj, gjuhës amtare.

BASHKËPUNIMI PRINDËR NXËNËS DHE E ARDHMJA E SHKOLLËS  

Ky bashkëpunim është simbolik, kurse e ardhmja e shkollës shqipe në përgjithësi te mërgata shqiptare është në një krizë të madhe, konkretisht kjo krizë gjithsesi reflektohet edhe në shkollën shqipe, në Republikën e Bavarisë. Edhe pse me gjithë përpjekjet që bëhen në këtë drejtim numri i nxënësve është tepër i vogël, për të mos thënë i dhimbshëm, me numrin e atyre fëmijëve mërgimtarë që duhet të jenë pjesë e mësimit plotësues. Por, ajo që vë në dukje serioze është veprimi i prindit mërgimtar dhe fëmijët e brezit të dytë, të cilët në përpjekje për t’u integruar me kulturën vendase, bëhet më të pa interesuar për gjuhën e origjinës. Apo në anën tjetër e injorojnë, duke krijuar një mendim a bindje shumë të gabuar se gjuha e origjinës po i pengon fëmijët në përvetësimin e gjuhës së vendit, në të cilin jetojnë. Nëse përmes shtetit nuk krijohen rrethanat për të pasur besimin te nisma për shkollën shqipe, suksesi jo vetëm që do të jetë i mangët, por dhe ky numër simbolik nxënësish në shkollë do të shkojë drejt rënies. Për këtë situatë jo të këndshme nuk duhet fajësuar vetëm prindërit, po këtë përgjegjësi duhet ta kenë edhe institucionet tona shtetërore, të cilat nuk kanë krijuar një lidhshmëri institucionale me mërgatën shqiptare, konkretisht për çështjen e shkollës shqipe.

GJUHA SHQIPE SI FORMË E IDENTITETIT KOMBËTAR

Gjuha amtare është forma më e mirë dhe e vetmja, për ruajtjen e identitetit kombëtar. Për këtë dhe jam angazhuar, si shumë veprimtar tjerë, që ta kemi të unifikuar diasporën shqiptare, për shkollën shqipe. Nëse gjuhën e respektojmë dhe nuk e injorojmë, vërtet se do të kemi identitet kombëtar, që përmes saj, gjuhës amtare, do ta identifikojmë vetën se kush jemi. Unë, do të doja që të jemi të kujdesshëm në respektimin dhe ruajtjen e gjuhës, te fëmijët e mërgatës shqiptare, por në realitet kjo po përkon me të kundërtën, me apo pa dashje po injorohet. Pra, e them me përgjegjësi se: Nëse shteti, shoqëria, prindi dhe mësimdhënësi nuk bashkëpunojnë në këtë drejtim, në të ardhmen e afërt do të përballemi me harrimin e gjuhës amtare te brezi i tretë i fëmijëve tanë mërgimtarë. Njëkohësisht kërkoj që shteti ta përkrahë unifikimin e diasporës shqiptare dhe ta parandalojë një asimilim të mundshëm, që heshtur po i ndodh komunitetit tonë shqiptar. Duhet ta kuptojmë se mërgata shqiptare është një dhe duhet të jetë e unifikuar, me qëllim që së bashku të arrijmë rezultate sa më të mira dhe një përfshirje sa më të madhe të fëmijëve shqiptarë në shkollat shqipe në diasporë. Përmes zërit të gazetës suaj u bëjë thirrje institucioneve përkatëse të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, që të jenë më të angazhuar në mbrojtjen e mërgatës shqiptare dhe ruajtjes së gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë. Shkolla shqipe ka vetëm një qëllim unifikimin e saj, larg ndikimit politikë dhe religjionit, të cilat për fat të keq dhe kanë ndikuar në rritjen e numrit të nxënësve.

KËSHILL KOORDINUES I ARSIMTARËVE NË DIASPORË

Këshilli Koordinues i Arsimtarëve në Diasporë (KKAD-ë) është themeluar më 4 Korrik 2020, ku përfshin përfaqësues të 13 shteteve nga: SHBA, Italia, Anglia, Gjermania, Zvicra, Austria, Sllovenia, Kroacia, Greqia, Kanadaja dhe Turqia. Dhe, si kurrë më parë kemi përkrahjen institucionale dhe për këtë besoj se së bashku do të arrijmë realizimin e vizionit dhe misionit tonë për unifikimin e diasporës shqiptare. Ajo që vlen të thuhet se në mesin tonë kemi intelektual me titujt të lartë shkencorë, krijues dhe njohës të mirë të metodologjisë didaktike dhe asaj linguistike, po që dhe janë të përkushtuar për ruajtjen e gjuhës shqipe te çdo fëmijë shqiptar, kudo që janë në botë. Po ashtu të marrë mbi vete përgjegjësinë për një mësimdhënie të unifikuar, e mirë të koordinuar, si një faktor i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në funksionimin e mbrojtjes së gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar. Për këtë së bashku të rrugëtojmë në këtë drejtim institucionalisht me institucionet tona: Ministritë e Arsimit, ato të Diasporës dhe ato të Punëve të Jashtme, të të dyja shteteve shqiptare, Ambasadat dhe Konsullatat e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, për të arritur suksese në ngritjen e numrit të nxënësve dhe ndërgjegjësimin te bashkëkombësi ynë. Kjo përpjekje jo vetëm që do të ketë rëndësinë institucionale, por edhe do të jetë faktor i rëndësishëm për diasporën shqiptare dhe ndërgjegjësimin e saj, për shkollën shqipe. Këshilli Koordinues i Arsimtarëve të Diasporës bëhet pjesë e konsultimeve dypalëshe, me dakordësim paraprak, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, në funksion të marrëveshjeve për mësimdhënien në diasporë”. Këtë miratim presim edhe nga Republika e Kosovës, ngaqë në vitin e kaluar kemi pasur përkrahje nga zëvendës ministri i punëve të jashtme, konkretisht për diasporën, i cili dhe është zotuar se do të punoj në këtë drejtim, për ta njohur siç e ka bërë edhe Shqipëria. Synimi ynë është për të arritur suksese në ngritjen e numrit të nxënësve dhe ndërgjegjësimin e mërgatës shqiptare, për shkollën shqipe.

NJË GJUHË NJË KOMB

Kam nderin që jap intervistë për gazetën “Dielli”, Vatra shqiptare në Amerikë, ngaqë dikur kjo gazetë nxirrej nga ideologët e rilindjes kombëtare dhe redaktohej nga ideologu, atdhetari i shquar, Fan Noli e Faik Konica. Përzemërsisht e përshëndes lexuesin e kësaj gazete dhe uroj që porosia ime të reflektojë në çdo cep të botës ku ka shqiptarë. Porosia ime është: Shqiptarë kudo që jeni: ta ruajmë gjuhën, së bashku ta ngrejmë vetëdijen kombëtare me përgjegjësi, duke ruajtur gjuhën amtare, që përmes saj ta ruajmë kulturën e identitetin kombëtar, mbi të gjitha ta rikthejmë besimin dhe së bashku të jemi për unifikimin e diasporës shqiptare, për shkollën shqipe, që përmes bashkimit të diasporës ta arrijmë edhe synimin e rilindësve tanë: “Një gjuhë një Komb”.

KUSH ËSHTË PROF. MUSTAFË KRASNIQI

Kam lindur në fshatin Shipitullë, Komuna e Kastriotit, ish Obiliq. Shkollën fillore e kam mbaruar në fshat, të mesmen në Prishtinë, drejtimin e gazetarisë, po ashtu edhe studimet i kam mbaruar pranë Fakultetit Filologjik në Prishtinë, dega Gjuhë dhe letërsi shqipe, ku dhe kam diplomuar në vitin 1992. Vij nga një familje atdhetare me peripeci të mëdha gjatë luftërave të shumta, që u zhvilluan në trojet shqiptare, ku stërgjyshi im, Tahir Krasniqi, në vitin 1920 është ekzekutuar nga makineria serbe-çetnike, që më vonë me këtë emër është pagëzuar babai im, ndjesë pastë. Po ashtu dhe gjyshi im, Behram Krasniqi, ka qenë i lidhur me anëtar e LNDSH-së të udhëhequr nga Gjon Sereçi, Ajet Gërguri, Marija Shllagu etj. Tradita atdhetare në familjen tonë u mishërua me ideale të atdhetarizmit, për Shqipërinë e bashkuar, etnike. Si i ri hyra në radhët e grupeve ilegale LPRK-LPK, madje u radhita në aksionin e pajtimit të gjaqeve, me grupin e studentëve, isha kryetar i KMLDNJ-së për Kastriot, njëherë dhe kryetar i SHKA “Zëri i Kosovës” në fshatin Shipitullë dhe më vonë anëtar i SHKA “Rruga e Lirisë” për Kastriot. Po ashtu dhashë ndihmesën time të pakursyer në procesin e rëndësishme të ilegales dhe për themelimin dhe suksesin e luftës së fundit të UÇK-së, si dhe mbeta i angazhuar në çështjen e bashkimit kombëtar, për Shqipërinë e natyrshme e etnike. Kam shkruar në gazeta legale e ilegale të kohës, tashmë jam përgjegjës i gazetës-portalit uraebashkuar.com. Veprat e botuara janë: “Gjarpërinjtë e zinj edhe atje”, “Lumëgjaku”, “Lojë Thikash”, “Gjarpërinjtë e zinj edhe atje”, “Vështrim kritik për poetikën e krijuesve të diasporës”, “Mbrëmja e fundit”, “Eshtrat Pezull”, “Legjenda e dhimbjes së heshtur” bashkautor, “Udhëtari i shtigjeve të lirisë-Xhavit Haziri”, “Cikloni”, “Për Shqipërinë Etnike”, “Kah po Shkon Shqipëria dhe shqiptarët”.