Shkolla shqipe në mërgim dritë e diturisë, por edhe dritë qenësisë shqiptare.

Isuf Ismaili

Nga Isuf Ismaili – “Ne, shqiptarët, duhet ta ruajmë me kujdes gjuhën tonë, si një pishtar të denjë, që të mos na shuajnë erërat armike, që na shpërndanë në dhe të huaj.” (Jeronim De Rada, vepra: “Parimet estetike”, 1861)

Fëmijët dhe bota e tyre e pasur janë një pasqyrë e ardhmërisë sonë, ata janë drita dhe begatia e shoqërisë dhe  zhvillimit njerëzor, nëse ne vërtet punojmë dhe veprojmë, që ata të jenë sa më të arsimuar, kulturuar e begatuar.

Fëmijët në vende të huaja si pjesë e familjeve mërgimtare, ndodhen në një gjendje shumë të vështirë. Ata janë nën ndikimin e shkollave, kulturës, gjuhës së vendit ku jetojnë dhe e gjithë kjo mund të jetë një shtytje drejt harresës të gjuhës së nënës, kulturës dhe zanafillës së tyre,  nëse ne nuk organizohemi mirëfilli, ndërsa ana e mirë është se shumica e familjeve shqiptare e flasin shqipen, mbajnë traditat dhe bëjnë herë pas here festime kombëtare, prandaj natyrshëm këta fëmijë rriten bashkë me këto ndikime edhe të kulturës shqiptare, edhe pse herë – herë nuk drejtohen e nuk udhëhiqen si duhet këto veprimtari e manifestime. Por, nëse  shkollat shqipe kanë mbarëvajtje e rregullsi, kanë ndikim të mirëfilltë te fëmijët në mërgim, kultura gjuha dhe ndikimi e vendeve të ndryshme të botës nuk do të jetë  pengesë e identitetit tonë shqiptar dhe gjuhës shqipe, por fëmijët tanë krahas  mësimit e përvetësimit të gjuhës , letërsisë dhe kulturës shqiptare, pasurohen edhe me dituritë, kulturën e vendeve ku jetojnë.

Shkrimtari, mendimtari, folkloristi, mësuesi e gazetari atdhedashës arbëresh Jeronim De Rada, ka shkruar:

“Ne, shqiptarët, duhet ta ruajmë me kujdes gjuhën tonë, si një pishtar të denjë, që të mos na shuajnë erërat armike, që na shpërndanë në dhe të huaj.”

Mërgata shqiptare kudo nëpër vende të ndryshme të botës është një pjesë shkëputur e trungut tonë të përbashkët shqiptar. Edhe pse, në rrethana të reja, kur teknika, teknologjia dhe mjetet e komunikimit gjithnjë e më shumë po përparojnë, mërgata shqiptare  e shpërndarë në nëpër shtete të ndryshme të botës gjithnjë është e rrezikuar për t’u shkrirë e për të humbur.  Janë shumë faktorë që ndikojnë në këtë drejtim, por fatkeqësisht, ajo që dëmton më së shumti njerëzit e mërguar përgjithësisht, është  mosinteresimi i institucioneve dhe shteteve prej nga vijnë ata të mërguar.

Mërgata shqiptare kurdoherë ka qenë dhe është gatshme të punojë e veprojë për t’i ardhur në ndihmë atdheut, ashtu siç edhe i ka ardhur historikisht. Në të gjitha ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në viset shqiptare, atdhedashësit shqiptarë në mërgatë kanë qenë pjesëmarrës në to, kanë dhënë ndihmesën e tyre të pakursyer, madje janë gjendur shpesh edhe në ballë të këtyre ngjarjeve. Organizimet e shumta të veprimtarive atdhetare, humanitare, financiare e shoqërore kanë qenë, një prej pjesëve ndër të më rëndësishmet e të bëmave atdhetare.

Është shumë fatkeqësi e madhe për këdo, kur shikon dhe analizon gjendjen e shqiptarëve përgjithësisht, kur ballafaqohemi me fakte të hidhura qoftë të gjendjes së mjeruar në trojet shqiptare, qoftë të shqiptarëve në mërgatë. Atdhedashësit e njëmendtë në mërgatë kanë vuajtur e vuajnë tmerrësisht shumë. Dhembja dhe vaji i tyre në buzë është një peshë e rëndë në zemrat e tyre, sepse ata shohin se një pjesë e madhe e njerëzve të tyre, patjetër, si gjak i tyre,  humbet e tretet pak e nga pak e diku – diku gjithnjë e më shumë.

Vendi, tërësia e tij etnike, merr përmasa e peshë më të madhe për këta atdhedashës, sepse e ndjejnë mungesën dheut të tyre që i lindi, i brumosi e i ushqeu me dashurinë e shenjtë ndaj përkatësisë etnike e ndaj pasurisë gjuhësore, kulturore e shoqërore e njerëzore përgjithësisht. Mërgimtari i ndërgjegjshëm e ndjen veten të dërmuar shpirtërisht, hapi i tij hidhet i rënduar në vendin ku jeton e punon, i rëndon këmba e trupi, sepse e ndjehet i plagosur nga mungesa e njerëzve të tij e tokës së tij, e ajrit e pamjeve të  tërësisë së tij atdhetare etj. Por shpresa e tij dhe vullneti për bërë mirë e për t’u kthyer në atdhe e ngushëllojnë, dëshira për t’i ardhur në ndihmë atdheut e popullit të tij e bëjnë të organizohet, të veprojë e të punojë. Këto janë armët e tij të fuqishme shpirtërore, ndaj e shtyjnë atë drejt ndërmarrjeve e veprimeve të tij për të mbajtur të ngrohtë shpresën e vullnetin dhe për të forcuar lidhjet e një  vazhdimësi shqiptare të brezave tanë, të cilët po të ushqehen mirë shpirtërisht, siguria e vazhdimësisë të rrënjëve dhe zanafillës e gjakut të të parëve tanë është shumë e madhe.

Dashuria e përkushtimi ndaj atdheut në mërgim shihet më së mirë tek vëllezërit tanë arbëreshë. Ata edhe qëndrimin e marrin duke u drejtuar nga Arbëria. Thuhet se Jeronim De Rada në ballkonin e shtëpisë së tij ulej nga drejtimi i Arbërisë dhe sikur kuvendonte me të. Ky mall, kjo dashuri nuk mund të përshkruhet besnikërisht, ajo ndjehet thellë në zemër dhe ashtu ngelet pa u zbërthyer në tërësi. Arbëreshët kanë më shumë se pesëqindepesëdhjetë vite dhe shumicës  prej tyre edhe sot e kësaj dite   sikur ju vjen  një jehonë nga shekujt që i mbanë zgjuar, por edhe duke e pasur në deje gjakun e etërve tanë të përbashkët të kohës së Skënderbeut nuk e harruan gjuhën, por e mbajtën shumë të ngrohtë dashurinë e përkushtimin për Shqipërinë.

Lënia e mërgatës në fatin e pamëshirshëm, mos organizimi dhe mosfunksionimi i shkollës shqipe, mos përmbledhja dhe mos regjistrimi i shqiptarëve nëpër botë, pa mundësia për të shkuar punët e veprimtaritë kulturore mbarë e mirë, janë po ashtu faktorë që ndikojnë shumë keq e në dëm të shqiptarëve të mërguar.

Përçarjet dhe prirjet  kokëforta të njerëzve me drejtime të dëmshme politike e të njëanshme, janë gjithashtu ndikime të zbehjes së fuqisë dhe mundësive të dobishme për të gjallëruar jetën kulturore artistike e shoqërore shqiptare, për të organizuar mirëfilli mësimin plotësueses të nxënësve e të të rinjve shqiptarë në mërgim.

Të gjitha këtyre fatkeqësive në mërgatë mund dhe duhet t’ iu japin zgjidhje dhe fund shtetet tona shqiptare, institucionet e tyre, ambasadat dhe konsullatat e shteteve tona shqiptare, bashkë me të gjithë atdhedashësit e njëmendtë shqiptarë si intelektualë e veprimtarë në mërgim.

Si një pikë e parë mbarëvajtjes së mërgatës shqiptare është organizimi i mirëfilltë i shkollës shqipe, kudo në mërgatë, kudo ku ka shqiptarë nëpër shtete të huaja, sidomos në ato shtete të zhvilluara evropiane etj.,  të cilat kanë ligje dhe nuk mund t’i anashkalojnë ato, sepse janë  ligje të miratuara për minoritetet e pakicat dhe njerëzit e huaj që i kanë si punëtorë e veprimtarë brenda organizimeve të jetës e aktiviteteve të tyre shoqërore. Janë pikërisht këto ligje që na mundësojnë të kemi një përkrahje institucionale të shteteve evropiane etj., por duhet në radhë të parë të jetë një organizim të mirëfilltë dhe një këmbëngulje e institucioneve të shteteve tona shqiptare, njerëzve të ambasadave e konsullatave të shteteve tona në këto vende ku  janë të mërguarit shqiptarë.

Një punë e veprimtari shumë të mirë e të mbarë po e bën Ambasada e Republikës së Shqipërisë, në Berne të Zvicrës dhe pikërisht, ambasadori Ilir Gjoni e ka dhënë një ndihmesë e përkrahje të madhe në këtë drejtim, por duhet të organizohen të gjithë së bashku edhe institucionet të tjera të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, pse jo edhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut, kur mund të gjenden mundësitë dhe njerëzit vullnetmirë, por natyrisht edhe të gjithë ata intelektualë e veprimtarë atdhedashës, kështu edhe  institucionet e shteteve evropiane janë të detyruara të zbatojnë ligjet e tyre për mbështetjen e mbarëvajtjen e organizimeve shkollore, kulturore etj.,  për të  huajt.

Po, kështu veprimtaria për arsimin e kulturën shqiptare në Zvicër e profesor dr. Vaxhi Sjediut, nga Kumanova është jashtëzakonisht e madhe e shumë dobishme. Ai është edhe organizator, por edhe mësimdhënës shumë i përkushtuar. Ai me këtë punë e veprimtari të madhe, vullnetare, duke zotëruar mrekullisht profesionin, kurrë nuk është lodhur, por hidhet sa në një qytet e një fshat të Zvicrës, në një qytet e fshat tjetër të këtij shteti dhe kështu suksesi nuk i ka munguar kurrë, meqë e ka bërë çdo veprimtari e punë me një përkushtim e dashuri të madhe. Kështu ai mban lidhje të shkëlqyera me prindërit, me mësimdhënësit, pra me shokët e shoqet e punës, me Ambasadorin Ilir Gjoni e me institucionet arsimore, me institucionet për diasporën të Republikës së Shqipërisë, të Republikës së Kosovës si dhe me ato segmente institucionale vullnetmira të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Lidhje të tilla, të domosdoshme, natyrisht, ai mban edhe institucionet arsimore në Zvicër.

Kështu me nismën, ndihmën e përkushtimin e tij të madh janë hapur shkolla të shumta në kantonet zvicerane si Cyrih, Sant Gallen, Turgau, Shafhauzen, Lucern, Berne, Lozanë, por ka shpresa se edhe në kantone të tjera do të hapen shkolla shqipe në përbërje të organizatës kulturore: “Shkolla shqipe në Zvicër”, organizatë kjo që e drejton profesor dr. Vaxhid Sejdiu. Për të gjitha këto nisma e veprimtari arsimore e kulturore profesor Vaxhidi ka pasur e ka edhe përkrahjen e Ambasadorit Ilir Gjoni.

Mësimdhënës të përkushtuar e veprimtarë të palodhur nga të gjitha viset shqiptare kanë dhënë e japin mësim në këto shkolla.

Këta shembuj vlejnë për të na shtyrë dhe për të na ndihmuar edhe më shumë që edhe institucionet dhe organizatat, por edhe të gjithë ne intelektualët e mësimdhënësit e denjë e vullnetmirë të organizohemi dhe të vëmë në udhë të drejtë e të përfshijmë sa më shumë fëmijët e familjeve shqiptare kudo në vende të ndryshme të botës, në organizimin e mbarëvajtjen e shkollave shqipe.  Për ndryshe, nëse këta fëmijë të moshave të ndryshme, nuk do të arsimohen denjësisht në shkollat shqipe,  do të kenë një kujtesë shumë të dobët për kulturën, gjuhën, letërsinë, historinë e qenësinë shqiptare,  dhe kështu fatkeqësisht do të shkojnë  drejt asimilimit e shuarjes së zanafillës dhe qenësisë shqiptare.

Në qoftë se para bashkatdhetarëve tanë dalin, ambasadorët, ose njerëzit e caktuar nga ambasadat, ose nga institucionet tona shtetërore për të organizuar shkollën shqipe e jetën kulturore e shoqërore, njerëzit tanë janë shumë më të gatshëm të marrin pjesë gjallërisht në këto drejtime të rëndësishme organizative. Po kështu , kur këto autoritete shtetërore të institucioneve tona paraqiten tek institucionet arsimore e kulturore të shteteve evropiane, sigurisht se do të funksionojë çdo gjë më në rregull, sepse kështu bëhet edhe ai organizimi i mirëfilltë.

Organizimi dhe mbarëvajtja e shkollës shqipe është domosdoshmëri, është mundësia më e mirë për ta mbajtur sa më afër zemrës gjuhën shqipe, letërsinë, historinë e kulturën shqiptare përgjithësisht.

Shkrimtari ynë i madh i letërsisë shqiptare, bilbili gjuhës shqipe Naim Frashëri ka shkruar:

 “Është turp të mos dijë shqiptari gjuhën e tij e të mos e këndojë e ta shkruajë. Djemtë  e vegjël e vashat e vogla lipset të mësojnë gjuhën e tyre, ta këndojnë drejt e ta shkruajnë mirë.”

Por, që të mësojnë fëmijët tanë mirë, bukur e rrjedhshëm gjuhën shqipe, që ata të mos shuhen, të mos asimilohen e të mos treten, të mbetën shqiptarë të mirëfilltë, duhet të shkojnë në shkollat shqipe. Shkollat shqipe nuk mund të organizohen mirë pa mbështetjen, pa përkrahjen e institucioneve të shteteve tona shqiptare, prandaj që të kemi një ardhmëri të sigurt, që të kemi një vazhdimësi të pashkëputur shqiptare, kërkojmë me ngulm që shkollat shqipe të hapen kudo ku shqiptarët jetojnë në dhe të huaj dhe kjo mund të funksionojë siç duhet vetëm nëse institucionet dhe ambasadat e shteteve tona shqiptare, organizojnë mirë shkollat shqipe në mërgatë, na mbështesin e na përkrahin.