VOSKOPOJA – QYTETI MESJETAR TRI HERË I DJEGUR, SOT FSHAT TURISTIK

Berat Luzha

Nga Berat Luzha

Kemi lexuar, kemi dëgjuar e kemi mësuar në shkollë për qytetin mesjetar të Voskopojës, po pak kush e ka vizituar për ta njohur për së afërmi. Ndodhet mbi një pllajë, në lartësi mbidetare 1160 m., rreth 20 km në perëndim të qytetit të Korçës. Voskopoja është themeluar në vitin 1330 nga shqiptarët, arumunët (popullsi autoktone ilire e romanizuar) dhe grekët. G. V. Hahn ka shkruar se Voskopoja është themeluar nga Petro i Muzakajve të Beratit në vitin 1338, kurse Joahim Martiniani, i lindur më 1875 në Voskopojë, ka thënë se qyteti është themeluar nga 16 familje blegtorësh, të ardhur nga fshati Voskop (Voskopi është një vendbanim shumë më i vjetër, në rrugën për Voskopojë). Në dokumentet historike vendbanimi shfaqet edhe në trajtat Voskopol(is) dhe Moskopol(is).

Fotografia e Berat Luzha
Voskopoja


Voskopoja kishte një status të veçantë brenda Perandorisë Osmane, ku bashkëjetonin tri bashkësi etnike; shqiptare, vllahe e greke. Para disa shekujve ishte një qytet me zhvillim të lartë të arsimit, kulturës, artit, religjionit, ekonomisë, tregtisë. Kulmin e zhvillimit e ka arritur në vitet 1720 – 1769, kur qyteti kishte rreth 30 mijë banorë. Mirëpo, Voskopoja pësoi tri herë djegie e shkatërrime masive gjatë shek. XVIII; në vitet 1769, 1773 dhe 1789. Në vitin 1789 trupat e Ali Pashës e kanë shkretëruar përfundimisht. Kështu, voskopojarët filluan të iknin masivisht nga qyteti, duke u vendosur nëpër qytete tjera, si në Korçë, Manastir, Ohër, Berat, Elbasan, Tiranë, por edhe Hungari e Austri. Në periudhën e lulëzimit qyteti kishte 24 kisha, kurse tash kanë mbetur vetëm pesë a gjashtë dhe një manastir. Gjithashtu, Voskopoja kishte Akademi, Bibliotekë, Shtypshkronjë, spital, jetimore etj. Qyteti ishte si një urë lidhëse mes qyteteve e vendeve, mes lindjes e perëndimit, mes Greqisë e Turqisë. Lidhjet tregtare i mbante edhe me Venedikun, Triestën, Vjenën, Budapestin, deri në Poloni e Gjermani.

Fotografia e Berat Luzha


Me nismën e Joasaf Gondes nga Voskopoja, mitropolit i Korçës, në vitin 1710 u hap një shkollë e mesme, e cila në vitin 1744 u ngrit në nivelin e akademisë, e quajtur “Akademia e Re”, e barasvlerëshme me akademitë e Bukureshtit, Konstandinopojës, Meçovës, Janinës etj. Njëri nga drejtorët e Akademisë ishte Theodor Kavalioti (1718 – 1789), autor i një fjalori tregjuhësh greqisht – arumunisht – shqip. Në Akademi mësohej edhe shqipja, kurse Voskopoja ishte bërë një qendër për studimin e gjuhës shqipe. Mirëpo, pikërisht gjuha shqipe ishte shkas për shkatërrimin e Voskopojës. Ndërsa Shtypshkronja, ku janë shtypur shumë libra në shqip, greqisht e arumunisht, ka filluar punën në vitin 1731. Pos shtypshkronjës së Konstandinopojës, kjo e Voskopojës ishte e vetmja në Perandorinë Osmane. Mirëpo, Voskopoja ka qenë cak vjedhjeje e keqpërdorimi shekuj me radhë.
Në Voskopojë ruhen vlera të mëdha të artit mesjetar. Ajo ka trashëguar monumente historike, fetare e arkitekturore, pastaj rrugë me kalldrëme, shtëpi karakteristike prej guri të gdhendur, ura e çezma të vjetra. Nga monizmi ka trashëguar ish-Kampin e Pionierëve, që sot është shndërruar në një hotel me kushte të mira të vendosjes. Voskopoja ka dhënë shumë personalitete të shquara intelektuale e kombëtare, të cilët jetuan apo vepruan në këtë qytet. Të tillë ishin Joahim Martiniani, Anastas Kavaljoti, David Selenica, Teodor Kavaljoti, Grigor Voskopojari, Dhaskal Todhri, Adam Haxhiu, vëllezërit Zografi, etj. Një voskopojar, Naum Korrnara, tregtar i njohur, i lindur dhe i martuar në Voskopojë, ka jetuar e vepruar në Beograd, duke u bërë sekretar i A. Karagjorgjit, prijësit të kryengritjes së parë serbe të vitit 1804. Ky është vrarë me tradhti, bashkë me Karagjorgjin, dhe kokat e tyre janë dërguar në Stamboll për t’u ekspozuar në qytet shtatë ditë me radhë.

Sot në Voskopojë kemi një rilindje të vërtetë, me ndërtime të reja të infrastrukturës rrugore, urbane e turistike. Fshati me rreth 200 familje, është shndërruar në fshat turistik. Rreth 70 për qind e tërë veprimtarisë ekonomike të fshatit lidhet me turizmin. Në fshat ka dy hotele, rreth 30 bujtina, 12 restorante, kafene, dyqane suveniresh etj. Pos tjerash, këtu zhvillohet edhe turizmi sportiv, skijimi, kalërimi, çiklizmi, hikingu etj. Gjatë dimrit funksionon pista e skijimit, ku zhvillohen garat dhe kampionatet në skijim. Funksionon edhe shoqata “Rilindja Voskopojare”, e themeluar para 90 viteve. Popullsia merret edhe me bujqësi e blegtori, me përpunimin e drurit, me veprimtari artizanale, me mbledhjen e bimëve medicinale etj.

Fshati tashmë është kthyer një vend të pëlqyer turistik, i rrethuar me kodra, male e pyje, ku dominojnë pisha, bredhi e ahu. Klima gjat verës është e freskët, gjatë dimrit e ftohtë e me borë. Ajri i fshatit njihet për pastërti dhe i pasur me ozon, që është shërues për sëmundjet e frymëmarrjes dhe mushkërive. Prandaj, pos për vizita, sport e turizëm, njerëzit këtu shkojnë edhe për t’u shëruar në ajrin dhe ujërat shëruese. Janë edhe gatimet tradicionale, lakrori i njohur i juglindjes, petaniku, qengji i pjekur në hell, rakia e kumbullës, likere të ndryshme që të bëjnë për vete.
Voskopoja ka një natyrë të gjelbruar, me peisazhe të bukura e me monumente të vjetra. Vizitat kishave deri 700-vjeçare, ecja shtigjeve natyrore, shtëpitë karakteristike prej guri e rrugët e kalldrëmta e ushqimet tradicionale të lënë përshtypjet më të mira dhe dëshirën për t’u kthyer përsëri. Mjafton të themi emrin Voskopojë dhe menjëherë do t’na ngjallet dëshira për ta parë e shijuar sa më parë.