Shkruan: Mustafë Krasniqi – ËNDRRA SHËTIT PA MUA…

Fejtoni nr. IV

Te krijimtaria e poetit, atdhetarit dhe humanistit të çështjes kombëtare, Martin Çuni, shohim një angazhim  të fuqishëm të mendjes dhe bindjes së tij përkrah botës reale. Mbase mund ta themi me plot bindje se është poet i frymëzimit të sinqertë, hulumtues i ndjenjave kombëtare, sepse këto ndjenja i rrjedhin lehtë nga U-ni i tij shpirtëror, përmes trajtesës së motiveve që i shtjellon në poezinë e tij, përmes metaforës, figurës etj. Megjithatë, emocionet e poetit janë të prekshme, të arsyeshme. Përmes botës reale dhe asaj areale përshkruan në mënyrë poetike kronologjinë e jetës së tij dhe kombit, të krenarisë, po edhe i këndon  dhimbjes, plagës, mallit, atdheut, nënës, prandaj me këtë emër  e identifikohet me nënën fiziologjike, por edhe me nënëmadhen Shqipëri, pra me Atdheun.

Krijimtaria e Martin Çunit, sidomos në poezi, është  një trajtim i motivuar, i shumanshëm, si për nga forma ashtu edhe për nga përmbajtja, shtjellimi dhe ngjyrimi; por ajo edhe më e fuqishme bëhet atëherë kur përmes figuracionit na e paraqet botën reale dhe vlerën artistike në vargut të tij. Me një fjalë, nga ky figuracion i shprehur me ngulm, poeti e ka zbërthyer fshehtësinë shpirtërore të tij, ku dhe thotë:

Na kanë lënë/ Lëkurës shtatë palë dredhë, dredhas/Na kanë heqë/Në shpirt e në zemër petka të zeza/Na kanë veshë


 Si te çdo poet tjetër që është i angazhuar pas së bukurës, artit, stilistikës, edhe Martin Çuni ka një pasuri vlerash poetike duke trajtuar tema dhe ide të ndjeshme e të çmuara njëkohësisht. Natyrshëm mbizotëron tema kryesore atdhedashurisë, përjetimi i ndjenjës i sakrificës për atdheun i gatshëm për të flijuar me shembuj konkret, si veprimtar i shquar për liri, pavarësi e bashkim kombëtar. Ish i burgosur politik, më vonë përkrah bijve e bijave më të shquar në luftën heroike të UÇK- ës famëmadhe, gazetarë i shquar i luftës. Prandaj është shumë e natyrshme që në krijimtarinë e tij të shquhet përkushtimi për atdheun dhe për flijimin e dëshmorëve dhe heronjve të atdheut.

Duke lexuar krijimtarinë e tij e shohim si një gdhendës të mirë të poezisë dhe tregimit, ndaj është një krijues i kohës, i cili e ka përjetuar në lëkurën e tij dhunën, burgun, luftën dhe së fundi mërgimin. Të gjitha janë përjetime të vështira, të egra, por mërgimi kaq i gjatë sikur e ligështon, duke pasur mallin e pashuar për atdheun dhe dhembjen e përjetimeve larg tij.    Poeti,  Martin Çuni, në vargjet e tij del i plotë si artist i fjalës së shkruar. Ai me fuqinë e tij krijuese bëhet një poet i brezave, të cilëve përmes vargjeve ua rrëfen historinë dhe zjarrin e shpirtit e të  dashurisë ndaj atdheut, ndonëse në ca vargje sikur poeti lë përshtypje se është ligështuar nga fatkeqësia e kombit. Ja disa vargje të poezisë “ACARI”:

Kur vetmia të rrethon/Robëria të behët kurorë/Kur në log thahet rrapi/Atdheu mbulohet me borë/Kur një vend e mban xhelati/Krijuesit akulli i mbulon/Atëherë Bota kthehet mbrapa/Truri i kombit nuk punon.                           

     Poeti sikur shkrumbohet nga dhimbja dhe pëlcet përmes këtyre vargjeve:

Fajet i ka Koka
Fajet s’i ka Bota
S’bëri gjë Evropa

 (“Ecje” M.Ç)

Me këto tri vargjet e fundit sikur e shohim poetin se sa i ndejshëm është ndaj të padrejtës, e sidomos kur ajo i bëhet atdheut, kombit shqiptar. Me këtë poeti figurativisht rrëfen për gabimet tona si komb, përmes figurës së kokës, ndërsa me të drejtë dhe në mënyrë artistike e paraqet Evropën si  të keqen më të madhe të kombit shqiptar. Përveç kësaj, ajo ishte dhe mbeti përgjegjësja kryesore për copëtimin e trojeve shqiptare. Pa këtë konstatim dhe analizë nuk do të ketë përmbyllje të mirëfilltë për vargjet e poetit, atdhetarit, dhe humanistit të përkushtuar Martin Çuni. Paqësimin dhe revoltën sikur e shohim në fuqinë e poetit te vargjet:

Nëpër shekuj rrebeshet njëra pas tjetrës

Trojeve tona vërshuan sa e sa herë,

E sërish lulëzuan fole më të mira

Malet shqiptare gjirin plot me jetë.

Në dy vargjet e kësaj poezie e shohim një përshkrim artistik, ndërsa te dy vargjet e fundit, shfaq një motiv dashurie, të shprehur si forcë emocionuese nga edhe na del më shpresëdhënës dhe më krenar, prandaj  shpirtin e mbush me dashurinë ndaj atdheut duke shprehur në art. Kështu lexuesin e motivon edhe nëpërmes shijes stilistike të të shkruarit dhe muzikalitetit.

 Poeti, Martin Çuni, shpesh e pyet vetën me keqardhje: “Pse Martini nuk është atje ku ka vepruar, ku la djersë, pika gjaku për atdhe, për atë tokë që  aq shumë shkruan”. 

Poeti e shpreh revoltën ndaj padrejtësive që ia kanë bërë të huajt Shqipërisë.

Por ai do t`i kritikojë edhe të gjithë ata që sot nuk bëjnë asgjë për atdheun dhe e shpreh kundërshtinë e tij me mendimet e të tjerëve se gjoja vetëm bota i paska fajet.

Ec e ec shqiptarët
Dy hapa përpara
Një hap prapa
Merren me pasojat
Vuajnë nga lëngata
Fajet i ka Bota
Shohin ëndrra të kota

Tërësia e poezisë është në përputhje të vargjeve të rregullta, qoftë për nga konstrukti, tema, po ashtu edhe për nga shtjellimi dhe rima, prandaj ka arritur dimensionet e saja artistike.

Në këtë poezi shohim një harmoni poetike si në një këngë popullore, prandaj shohim se fuqia artistike baraspeshon edhe me mençurinë popullore.

Kjo poezi e arrin fuqinë e vet në përshtatjen e gjuhës së popullit, ndaj përmes këtyre vargjeve ka shprehur ndjenjën e filozofisë popullore me një mjeshtëri të lartë artistike, sidomos në dy vargjet e fundit të kësaj strofe e ka arritur kulmimin e shtjellimit poetik.

Përkushtimi i tij, dashuria për nënë Shqipërinë, si një tërësi e natyrshme dhe etnike është e fuqishme, është dashuri e një  biri të  devotshëm të saj, i një poeti që i këndon kësaj nëne sa heroike aq edhe madhështore.

Si te çdo poet tjetër, e gjejmë edhe te Martini, vargun që loton, vargun e mallit, dhembjes, por edhe dashurisë, buzëqeshjes, krenarisë. Poezia e tij sikur e bënë lexuesin për vete dhe e shëtit nëpër bukuritë e motivuara letrare. Vargu i tij është i kapshëm, i lehtë për t`u kuptuar,  sepse dëshiron që atë ta kuptojë çdo lexues i pasionuar apo i rëndomtë.

Te Martini gjejmë edhe imazhet, përjetimet në vargun e tij sikur na thotë:

Kujtim mbi kujtim/Me nxënësin tim/Shembull dhe mburrje/Valë kujtimesh , vuajtje/Gjolulit, Berishës/Balidemajve të Malësisë/Krenari , malësorë Malësie/ Ngadhënjeni si dasmorë

 (Kujtim Amerike)

Poeti, Martin Çuni, na vjen me vargje përmbledhjesh të krijimtarisë poetike, për të rritur dhe për fëmijë, si edhe  me tregime për fëmijë, po ashtu edhe me reportazhe, si dhe  me  katër libra tjerë si bashkautor, e librat e tij janë:

 “Jetë furtune, reportazhe lufte”, “Jetë për jetën, themelet e jetës dhe ëndrra shëtit pa  mua…”

Kur flasim për librin “Jetë për jetë”, kemi të bëjmë me një përmbledhje poezish për fëmijë, përmes së cilave na del vetë poeti personazh dhe thuajse  në tërësi fillon nga vetja, sepse edhe ishte i shtrënguar ta zbërthente revoltën e vet përmes vargjeve. Në këtë përmbledhje gjejmë përjetime, ëndërrime, vuajtje, lot, mall dhe dhimbje, por edhe buzëqeshje, krenari, dashuri.

Poeti, përpos që ju ka shkruar të afërmeve, ai e ka përshkruar  edhe botën reale të fëmijëve, e sidomos te poezia “Letër Babait, del sa melankolik, i mallëngjyer, por edhe i suksesshëm në realizime artistike:

 Jam përmalluar për ty

Qava tërë botën

Babi, po më duket

I kam shpenzuar lotët.

Ndonëse tërë krijimtaria e tij është një ligjërim i thjeshtë poetik dhe te këto katër vargje, sikur ai i mallëngjyer shpërthen shpirtin e tij, sidomos në strofën e fundit poezinë e fuqizon me lirimin e tij nga burgu dhe thotë:

Kur të kthehesha nga burgu

Mami le të qaj nga gëzimi

Nëse do edhe motër Teuta

E unë do të jem i lumtur.

Autori përmes këtij libri sfidues, krijoi një komunikim të rëndësishëm me lexuesin, qoftë me të rriturit, qoftë me fëmijët. Përmes vetës  ai shtjelloi dhimbjen, përjetimin. Është mbase e çuditshme të themi, por ai edhe me penën e përgjakur nga plagët e tija, ka shkruar për dashurinë, për fëmijët, ndaj edhe thotë:

Çupa ime e vogël/Me mall po të flas/Do të të mbaja në prehër/Dhe doçkat t’i ngas.

    Si dhe te strofa e fundit e shpreh revoltën e mallit me afsh shpirti, ku thotë:

Puthje dhe përqafime/Më dërgove nga larg/Do t’i ruaj në kujtime/Si dhe në këtë varg.

Ky zhanër krijues i Martinit ka një veçori dalluese, sepse poezia e tij ka dalë thjesht nga shpirti, ka buruar përmes shkopinjve të gomës, qelive, e goditjeve, më vonë përmes tytave të pushkës dhe përpëlitjeve të valëve te “Radio Kosovës së Lirë”, përmes së cilës ka përçuar zërin e lirisë tek populli, zë që e gjejmë edhe në vargun e poezisë që i ka krijuar, prandaj te poezia e tij kemi raste kur ju shkruan fëmijëve, babës, motrës, vetes dhe lirisë, po kështu e te poezia e fundit e gjejmë atë vetë, “jeta-Liria ime”

Shpresën e kam në ju/Trëndafiltë e mi të bardhë/Gëzimin e kam në ju/Emira nga zemra të dalë.

         Apo

Të rënda janë ditët/Jeta- liria ime.

Në këtë përmbledhje lexuesi do të mësojë për jetën, dhimbjen, lotin dhe mallin që e kishte poeti. Përmes këtyre përjetimeve lexuesi sheh dashurinë e poetit për fëmijë, lirinë dhe rrëfen për burgun, mbase pas lirimit të burgut, ai e sheh se burgu më i vështirë ishte edhe mërgimi.

Libri “Ëndrra shëtit pa mua…” është një libër i cili ndër të tjera e në veçanti i bën jehonë virtyteve të larta si trimëria. Këtu Martini shfaqet me një tufë poezish, të cilat  kanë vlera qoftë për nga forma, apo shtjellimi, po ashtu për nga ana teorike,  siç e shohim te poezia “Ikja e urave”

Kur çizmja osmane/Shkeli tokat,tona/Lumenjtë i lanë urat/E ndërruan kahun,

Kur përdhosja serbe/Vërshoi tokat tona,/U rrënuan edhe urat,/Midis shqiptarëve.

Poeti përpos metaforës, përdor edhe anaforën si një fuqi e poezisë së tij, si:

Re mbi lisa/Re mbi male/Re mbi plisa/Mos qofshin re/

Po buka jonë e re. Apo

Re mbi histori/Re mbi shqiptarë/Re mbi hyjni/Mos qofshin re/Po e ardhmja jonë liri.

Përmbledhja në fjalë përbëhet prej tre cikleve “ Ikja e Urave”, “Pezmi i idhujve”, “ Bukë Burgu” që në vete shtjellon një bagazh ngjarjesh, që nga ato historike, e deri tek liria dhe dashuria. Në përgjithësi e shpjegon botën me plot virtyte atdhetare e njerëzore përmes krijimeve të tij artistike, që lidhen me heroin, atdheun, familjen, vendlindjen. Kështu edhe te  cikli i dytë “Pezmi i idhujve” autori krijimet e tij e ka lidhur ngushtë me personazhin-hero. Ai shkruan edhe për poetin, veprimtarin, e idealistin e kombit, Adem Demaçi.

Kur flasim për heroin ai thotë:

Të kisha në çeli përbëri/Ti qëndroje si burrat/Vetëm zërin ta kam dëgjuar/Rininë seç jua morën horat.

Apo:

……………………….

Jeta jonë do të jetë e bukur:/

“U pafshim në Kosovën e Lirë”!

Poeti edhe po të dojë t’i shmanget vetes nuk mundet, sepse heroi është lidhur me atdheun, qoftë në burg, apo në luftë. Te  tri vargjet e para kemi një shpjegim se si poeti ka folur me heroin Afrim Zhitia, ndërsa vargu i fundit i strofës së parë na del paksa i vetmuar, por fuqishëm e ka shprehur zemërimin e tij, ndërsa te dy vargjet e fundit të dhëna më sipër sikur poeti motivohet dhe gjallërohet, por për fat të keq, pas daljes nga burgu, poeti nuk e gjen bashkëbiseduesin e grilave në fushën e pritjes, por e gjen të shndërruar në hero dhe thotë:

Të gjallë do të jeni si yjet/Gur mbi gur të mëmëdheut.

Po ashtu kemi edhe fuqinë e poezisë “Rënia e yllit”

Gjaku u shndërrua në rreze drite

 E drita flakëroi në shkëlqim lirie.

Martini, përpos krijimtarisë poetike si në poezi dhe tregime, ka shkruar edhe radiodrama për fëmijë e të rritur, sidomos te libri “Themele e jete”, gjejmë një fuqi poetike përmes rrëfimeve, përrallave, tregimeve etj. Rrëfimet janë të sinqerta dhe ato bëhen pikërisht për vendlindjen e tij. Përmes përshkrimit, lexuesit ia  freskon trurin me bukurinë e bjeshkëve, fushave, maleve, krojeve, si dhe bëhet rrëfimtar për luftërat që kanë kaluar nëpër historinë tonë, sa të dhimbshme aq krenare. Po me mjeshtërinë e tij arrin që t’i vërë në sipërfaqe para lexuesit edhe doket, zakonet, besën, burrërinë, duke mos lënë anash as dashurinë për shtazët e egra, përmes së cilave fëmijëve ua sjell një botë të brendshme natyrore nga edhe dalin gjithfarë shtazësh.

Autori, që nga tregimi i parë “Shtëpia pa themele”, që për personazh ka Xha Rrapin, përshkruan natyrën e tij ku thotë:

“mustaqet e thinjura,… ndërsa mjekra i farëfrinte bardh si bora faqe bjeshke. Tjerqit i mbante galana me tri fije gajtana…. dhe më pastaj rrëfen se si xha Rrapi ka kaluar nëpër burgje të krajlit e të mbretin. Në këtë tregim shohim sa bukur ka bërë një tërheqje vëmendjeje për lexuesit kur është fjala për bashkërenditjen e të dy kohërave prej së cilave me një shkathtësi shpjegon që prej fëmijërisë e deri te pasardhësit e tij.

Po, në fund të këtij tregimi kemi një ndryshim ku e ka përsosur vargun, si:

Për xha Rrapin, gëzimi i jetës ishin nipërit dhe mbesat që ia mbushnin shtëpinë, shkollat që po i bënin të ditur dhe kështu ia realizonin ëndrrën e rinisë.

Të gjitha tregimet e tij kanë një porosi të qartë, por ajo që të bën të mendosh është tregimi “ Syka dhe Ujku”, ku përmes figurës së deles, ujkut, gjyshes, dajës na personifikon me ndërgjegjen, karakterin, moralin, mbrojtjen, edukatën etj. Përmes këtij tregimi bëhet rrëfimtar i brezave fëmijërorë, se si duhet të mundet e keqja, vjedhja, armiku, sepse përmes Sykës dhe Ujkut e pasqyron një botë reale, se si duhet të jemi të bashkuar, sepse “bashkimi bën forcën, ndërsa vetmia të ha edhe kockën”.

…-atje, atje…. Prite, prite!

Kot. Ujku dhe Syka nuk u dukën më, kishin tretur në përroin plot shkurre.

Krijimtaria e poetit, Martin Çuni, është një krijimtari e ngjeshur, e dalë nga Un-i i tij shpirtëror, nga dhimbja, loti, tortura, qofshin ato fizike apo psikologjike. Të  gjitha  rrëfimet përjetimet, dhimbjet, malli, dashuria, të shprehura në veprën tij i paraqet në mënyrë artistike. Frymëzimi i tij nuk vjen si te shumë poetë pranë lumit, në shëtitje, apo në mes të natës; frymëzimi i tij del i skalitur  nga vuajtjet e tij dhe ato marrin hapësirën e vargut ashtu si i rrah zemra dhe i thotë shpirti,  në disa raste poeti qëllimisht i është shmangur një vargu të figurshëm, sepse ka dashur që para lexuesit të dalë sa më i çiltër.

Po, veprat e tij kanë një formë e shtjellim të thjeshtë në vështrimin e parë, por të bukura artistikisht, shumë të rëndësishme për nga përmbajtja qëllimi dhe porosia atdhetare e njerëzore, ndaj natyrshëm për lexuesin janë të kapshme dhe të mirëpritura.

Duke vështruar vargun e Martinit, jetën e sakrificat e tij veprën e  gjithanshme, vjen vetvetiu përfundimi logjik, se është njëri nga poetët dhe krijuesit që jo vetëm lë emër të mirë në letërsi, por edhe si njeri, atdhetar e bir i devotshëm i Shqipërisë përmbush  tërësinë e vlerave njerëzore e shqiptare njëkohësisht.