Shtegtime nëpër Atdhe (XXXIX)

Shkruan: Berat Luzha

ORIKUMI – QYTET I VEÇANTË I HISTORISË DHE TURIZMIT

Orikumi është një qytet – bashki në fundin e gjirit të Vlorës, nën këmbët e siujdhesës dhe të malit Karaburun, 17 km në jug ë Vlorës. Është nga qytetet më të reja në Shqipëri, një qytet modern turistik me shumë pasuri natyrore e historike. Lidhet me rrugën Vlorë – Sarandë dhe, përskaj detit Adriatik, edhe me bazën ushtarake detare, Pasha-Limanin. Emrin e ka marrë nga qyteti antik i Orikut, njërit nga qytetet antike më të vjetra në Shqipëri dhe rajon, më i vjetër edhe se Apollonia dhe Durrësi.
Vendi, ku sot ndodhet qyteti Orikum, më parë ishte kënetë dhe kullosa. Për herë të parë, në vitet 1956 – 1957, u ndërtuan 20 banesat e para për ushtarakët rusë, që kishin ardhur në bazën detare të Pasha-Limanit dhe 72 banesa tjera për oficerët dhe marinarët shqiptarë. Pallati i Kulturës, i përuruar në vitin 1960, sikur i dha frymën e një qyteti që po lindte e që do të zhvillohej me ritme të shpejta.

Fotografia e Berat Luzha


Edhe pse një qytet me perspektivë turistike, Orikumi ka fatin e keq të emigrimit të popullsisë. Një pjesë e mirë e banorëve të Orikumit morën rrugët e kurbetit, kurse pjesa e mbetur u orientuan kah turizmi. Vetëm gjatë vitit 2019 vlerësohet për një rënie drastike të popullsisë, rreth 20 për qind, pasojë e emigrimit në shtetet evropiane dhe SHBA. Bashkë me zonën, Orikumi ka rreth 10 mijë banorë, kurse muajve të sezonit turistik ky numër trefishohet.
Pranë qytetit të sotëm të Orikumit, vetëm 4 – 5 kilometra larg, shtrihet qyteti antik i Orikut, i ndërtuar në shek. VI p.e.r. në tokën e fisit ilir të amantëve. Qyteti antik ishte ndërtuar nga kolonët e ardhur nga ujdhesa greke, Eubea. Si një qendër e njohur arkeologjike dhe si një vend i qytetërimit të hershëm, Oriku ndodhet mes Orikumit dhe Pasha-Limanit, në një kodërzë të vogël, të quajtur Paleokastër. Përmendet nga autorët antikë, nga Skylaksi në shek. VI – V p.e.r., Herodoti dhe Hekateu i Miletit, në shek. V p.e.r. Apollonius i Rodosit ka shkruar se qytetin e kanë themeluar eubeasit para se të riktheheshin në Trojë. Tit Livi thotë se kur Filipi V i Maqedonisë e sulmoi qytetin, e pushtoi lehtë, pasi “qyteti nuk kishte… mure të forta”. Kurse Leka i Madh e ka pushtuar në vitin 214 p.e.r. Nga romakët qyteti është shfrytëzuar si bazë për luftëra kundër ilirëve dhe maqedonëve, sidomos ishte bërë arenë luftërash civile romake mes Cezarit e Pompeut në vitin 48 p.e.r. Pasi ka zbarkuar në Palasë, Çezari ia ka mësyrë Orikut, që sundohej nga njeriu i Pompeut, Luc Torkuati. Mirëpo, në pamundësi të mbrohej, Torkuati ia hapi dyert dhe iu dorëzua Çezarit. Në shek. II p.e.r. qyteti u shkatërrua dhe një pjesë u zhyt në det nga një tërmet, kurse u rindërtua shumë, shumë më vonë, në shekujt V – VI e.r. Për herë të fundit në burimet antike përmendet në shek. II e.r. Qyteti megjithatë ka mbijetuar deri në antikitetin e vonë, ndërsa në mesjetë dhe në kohën e Bizantit ishte një port i vogël, me emrin Jeriko. Qyteti antik i Orikut është shpallur Park Kombëtar Arkeologjik.
Në Orik janë zbuluar gërmadhat e disa objekteve të rëndësishme antike, siç është teatri ose odeoni, i ndërtuar në shek. III – II p.e.r., me kapacitet prej rreth 600 vendeve. Teatri antik i Orikut ka vlera, jo vetëm arkeologjike, por edhe historike e kulturore dhe ka ngjashmëri me teatrin e Trojës. Pos teatrit janë edhe shkallët antike, të gdhendura në shkëmb, është akropoli, muri rrethues 950 metra i gjatë, pusi i ujit, shadërvani, ujësjellësi etj.
Në afërsi të Orikumit dhe të Orikut ndodhet një lagunë, që lidhet me një kanal uji me Detin Adriatik. Laguna, me sipërfaqe 1.5 km katrorë, me gjerësi mbi një kilometër dhe thellësi deri tri metra, ka vlera historike dhe është e pasur me florë e faunë, me lloje të shumta të shpendëve dhe të peshqëve. Mirëpo, kjo mrekulli e natyrës, për shkak të mosmirëmbajtjes, gjithnjë e më tepër po i ngjanë një kënete, e cila po i rimerr tokat, që iu kishin marrë më parë.
Në afërsi të Orikumit, 6 – 7 km larg, në brigjet e detit dhe e futur në malin e Karaburunit ndodhet baza e dikurshme detare e Pasha-Limanit. Kjo bazë ushtarake, që ishte ndërtuar në vitin 1957 me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, tashmë nuk e ka rolin dhe rëndësinë që e kishte dhe, nga ana tjetër, ende mbetet e mbyllur për turistë, edhe pse mund të shndërrohet në një pikë mjaft të vizituar turistike e historike. Viteve të fundit në këtë bazë u ndërtua një kantier për ndërtimin e anijeve patrulluese ushtarake të standardeve bashkëkohore. Ka fjalë që Pasha-Limani mund të shndërrohet në një bazë detare të paktit NATO.
Një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar në shek. XII me gurët e marrë në rrënojat e qytetit antik në një kodërzë rrëzë malit të Karaburunit, jo larg detit dhe fare pranë Orikut, është kisha bizantine e Marmiroit, njëra nga kishat më të vjetra në Shqipëri, i shpallur monument i trashëgimisë kulturore.

Fotografia e Berat Luzha


Orikumi është një vend dhe një qytet që duhet të vizitohet dhe të pushohet. Është qytet dhe zonë që zhvillon turizëm familjar, ekologjik, historik dhe kulturor. Në Pasha-Liman dhe në tërë Gadishullin e Karaburunit zhvillohet turizëm natyror dhe historik, duke përfshirë bazën e madhe detare, si dhe nëndetësen 105, në të cilën është realizuar filmi “Ballë për ballë”. Në kuadër të Bashkisë së Orikumit bëjnë pjesë, pos Orikut dhe Pasha-Limanit edhe pushimorja e njohur e Llogarasë, fshatrat Dukat, Tragjas, Radhimë, si dhe pothuaj e tërë siujdhesa e Karaburunit. Tërë kjo zonë është e mbushur me monumente historike, natyrore dhe të trashëgimisë kulturore. Orikumi ka një plazh shumë të gjatë, disa kilometërsh. Shtrihet nga afërsia e qytetit të Orikumit e deri në afërsi të Pasha-Limanit.
Duke qenë se e ka Parkun Arkeologjik, bazën detare të Pasha-Limanit, lagunën, detin, objektet e trashëgimisë kulturore, pallate të reja e objekte hoteliere e turistike, Orikumi mbetet një qytet me interes të veçantë ekonomik e turistik.

Fotografia e Berat Luzha