Sytë e lokës kah dera rrijnë

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Sytë e lokës, gëzuar thanë
në natën e ikur pa hënë
n’pikat e shiut u thyen gotat
vera e kuqe u përplas…

N’pritje të mesnatës 00:00
flakruan meditimet botës
n’pritje me ankth të gjatë
për ikjen nga toka nënë!

Gëzuar e përlotur tha nata
retë i gjujtën me shtiza
po shemben gravurat e vjetra
fotografit mbesin rrugëve.

Era thanë lulkuqen n’selishtë
djepa thatë si relikt n’kullë
vetëm me hijen e kujtimit
sytë e lokës kah dera rrijnë.

T’buzëqeshur thyejmë dashurin
vërbohemi pas lakmisë
selishta n’kujtimet e vjetra
shtegu i oborrit mbyllur rri!

Urime për mote lokja lutet
mos e humbni fisin botës
se po shembet oxhaku i kullës
princesha po e qanë kohë!