TAKIMI I KRYESISË SË LAPSH-IT NË BAVARI, ME BKSA “SHQIPONJA NË ROSEHEIM

Mustafë Krasniqi

 Shkruan: Mustafë Krasniqi – Në  Rosenheim, më 17.01.2020, kryesia e LAPSH-it në Bavari mbajti një takim pune me përfaqësuesit e Shoqatës BKSA “Shqiponja”, ku u trajtuan tema të ndjeshme, që po e preokupojnë  komunitetin e mërgatës shqiptare në këtë qytet.

Ndërsa kryetari i BKSA “Shqiponja”, Afrim Xhaferi, pasi përshëndeti përfaqësuesit e LAPSH-it, kryetarin z. Milazim Ukaj, koordinatorin z. Mustafë Krasniqi, sekretarin Avdi Kolukaj dhe të pranishmit tjerë, i informoi për gjendjen momentale të shkollës shqipe në këtë qytet me rrethinë, i cili ndër të tjera tha: „Vijim i mësimit plotësues në gjuhën shqipe nuk është dhe aq i kënaqshme, kur llogaritet numri i përgjithshëm i komunitetit tonë shqiptar, por shpresojmë që në të ardhmen në bashkëpunim edhe me LAPSH-në të gjejmë forma për të avancuar këtë proces“.

Më pastaj fjalën e mori Milazim Ukaj, ku shpalosi vizonin dhe programin e LAPSH-it, konkretisht u ndal te bashkëpunimi me shoqatat, të cilat e ndihmojnë shkollën shqipe dhe te modeli i një veprimi të përbashkët me bashkëkombësit, konkretisht dhe me dy Konsullatat tona shqiptare në Mynih. Ukaj ndër të tjera shtoi: “Si kurrë më pare jemi të angazhuar, në bashkëpunim edhe me dy Konsullatat tona, ta vetëdijesojnë mërgatën tonë, për t’i sjellur fëmijët në shkollën shqipe”. Ngaqë përkrahje kemi edhe nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjik dhe të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Republikës së Kosovës.

Mësuesja (momentalisht në pushim të lehonisë) Ardiana Mani paraqiti shqetësimin e saj rreth mungesës së nxënësve, e cila konkretisht kërkoj nga z. Krasniqi që të ushtroj ndikimin te bashkëkombësit, meqë ka një ndikim të madh, ku dhe përgëzoi për punën e tij organizative, konkretisht në mësimdhënie. Krasniqi përpos që u zotua se do të jetë në shërbim të komunitetit të mërgatës shqiptare, konkretisht të hapjes së klasave me mësim plotësues në gjuhën shqipe, do të angazhohet edhe për një bashkëpunim të ngushtë me të gjitha shoqatat dhe bizneset që veprojnë në Rosenheim, por edhe në bashkëpunim me bashkëkombësit, individët tjerë, që dëshirojnë të jenë pjesë e këtij angazhimi, sa human aq edhe kombëtar.

Ndërsa Refki Tafa tha: “Ne kemi qenë dhe jemi përkrahës të LAPSH-së, si dhe jemi të interesuar që numri i nxënësve të rritet dhe të gjendet një model veprimi“. Po ashtu pas shumë diskutimeve dhe analizave, në pajtim me të gjithë pjesëmarrësit u caktua grup punues prej 7 vetave, të kryesuar nga kryetrari z. Milazim Ukaj, z. Mustafë Krasniqi nga LAPSH-ja, mësimdhënësja Ardiana Mani si dhe anëtarët e shoqatës “Shqiponja” Avni Sallauka dhe Refki Tafa. Pra, ku dhe u propozua që në ardhmen e afërt, deri me 2 shkurt, të bëhet dhe një takim tjetër, mundësisht të përfshihen të gjitha shoqatat funksionale në Rosenheim me rrethin, që sëbashku të punojmë për shkollën shqipe.

Nga të pranishmit kishte mendime se edhe kultet fetare duhet të përfshihen në çështjen e organizimi, meqë kemi edhe raste që kanë dhënë kontributin e tyre. Andaj, ne, duhet të jemi bashkëpunues me të gjithë bashkëkombësit, pavarësisht bindjeve që kanë, duhet t’ju ofrojmë programin dhe qëllimin e LAPSH-it. Konkretisht po e citoi një  thënie të imamit të Nyrnberg, Sevgani Asani, gjatë ceremonisë së hapjes së shkollës shqipe në këtë qytet, i cili tha: “Unë jam shqiptar dhe zoti ka dashur që unë të jem shqiptar e jo diçka tjetër dhe për gjuhë ta kem gjuhën shqipe. Meqë jam i lindur shqiptar dhe kam gjuhën time-shqipe, atëherë jam i detyruar ta respektoj. Nëse unë nuk e respektoj gjuhën time-shqipen, që më ka falur zoti me të, atëherë jam kundër dëshirës së zotit”, tha Krasniqi!

Në përmbyllje u diskutuan edhe disa çështje administrative, konkretisht LAPSH-ja në Bavari të jetë bartëse kryesore e shkollës Shqipe, e cila do të jetë në bashkëpunim me të gjitha shoqatat, të cilat e ndihmojnë mësimin plotësues.