Shkruan: Mustafë Krasniqi
Lidhja e Arsimtarëve dhe e Prindërve Shqiptarë në Bavari (LAPSH), në prani të mësimdhënësve, Këshillave të Prindërve dhe të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ku ishte i pranishëm edhe Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Munih, z. Dashnor Ibra, e mbajti takimin e pare të këtij viti.

Kryetari i LAPSH-it, Milazim Ukaj, i përshëndeti të pranishmit, nxënësit mësimdhënësit, z. Hotin dhe z.Ibraj, si dhe përfaqësuesit e Këshillave të Prindërve. Ndërsa takimit i dha emocion kënga “Xhamadani vija vija”…dhe poemën “Unë”, të përformuar nga nxënësit e mësueses Nife Arifi dhe Blerina Shabani.

Më pastaj Hoti ju drejtua nxënësve, ku ndër të tjera tha: “Nxënës të dashur, përmes librit ju mund ta krijoni personalitetin tuaj, të formësoheni në mënyrën më të mirë të mundshme për të ardhmen tuaj. E ardhmja jonë nuk mund të ndërtohet pa u përkushtuar ne për ju, sepse pa arsimimin e juaj ne nuk mund ta përjetojmë as lirinë, as Kosovën, e as Shqipërinë dhe vise tjera. Pra, ju bashkëkombës mërgimtar shqiptar, që jetojnë dhe punojnë në landin e Bavarisë duhet ta kuptoni se jeni pjesa e pandashme e atdheut, shqiptarëve që jetojnë në Ballkan, pjesa më e rëndësishme dhe vitale e popullit tonë”. Hoti pos tjerash foli edhe për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës, traditës e kulturës shqipe në diasporë dhe për mundësinë që Programi Nacional për Rininë ofron për nxënësit shqiptar në diasporë.

Hoti për nxënës ndau dhurata, komplet libra, kurse për aktivistët dhe anëtarët të kryesisë së LAPSH-it ndau mirënjohje. Takimin e përshëndeti edhe Dashnor Ibra, ku ndër të tjera tha: “Dhurimi i librave, për nxënësit shqiptarë në Bavari, është një hap i duhur për ruajtjen e gjuhës shqipe”. Njëkohësisht vlerësoj bashkëpunimi mes shtetit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë në këtë drejtim. Gjë që dhe vlerësoj punën dhe angazhimin e kryesisë dhe të mësimdhënësve të LAPSH-it, e cila krahas vullnetit, punës së saj, për ruajtjen e gjuhës shqipe, është e angazhuar për rritjen e numrit të nxënësve, ku për këtë ka merita të mëdha, tha z. Ibra!
Takimi vazhdoi me punimet e rregullta të LAPSh-it, ku dhe u diskutua rreth disa pika të ndryshme. Ajo e ngritjes së numrit të nxënësve, paga për mësimdhënës-it/et, bashkëpunimi me biznese dhe shoqata që veprojnë në landin e Bavarisë.
Në këtë takim u shqyrtua pikat të cilat ishin me prioritet, po gjithashtu u morën edhe me rregulloren e punës së mësimdhënësve, si dhe angazhimin për manifestimin e Pavarësisë së Kosovës.
