VËSHTRIM PËR VEPRËN POETIKE MISIONI I HESHTUR TË DIAR STATOVCIT

Ma . Sc. Fatmir HALIMI

Shkruan: Ma . Sc. Fatmir HALIMI – Krijuesi i ri, por i talentuar Diar Statovci me këtë fillim vit para lexuesve tanë po paraqitet me veprën e tij të parë Misioni i heshtur.             

  Qysh në titull të librit vërejmë se Diari ka një qasje tjetër, një qasje të re ndaj vargut që thur, por edhe ndaj letërsisë e sidomos ndaj gjinisë së saj, poezisë. Libri Misioni i heshtur  si vepër poetike në vete ngërthen motive e ndjesi të ndryshme, ka një larushi të ideve dhe ngjarjeve që trajton. Por tematikë e saj mbetet jeta aktuale e popullit tonë pas pavarësisë së vendit, pra pas lirisë së fituar. Marrë në tërësi si temë, kjo është e mbështjell me ngjarje të ndryshme, të cilat e rrethojnë individin e në rastin tonë të riun e pasluftës, mllefin e tij për dukuritë negative, për ngecjen e zhvillimit të jetës, për oportunizmin, e për shume e shumë dukuri të tjera.              

       Në përgjithësi libri poetik i Diarit përveç temave që trajton, ka edhe poezi përkushtuese, që për nga numri janë simbolike, siç është poezia për gjyshin Kampion i trimërisë, për nënë, poezia Ushtari i ri, për mbesën, Jetën ta duash, Aja, e disa të tjera. Vargjet e poezive janë kryesisht të rimuara, por shumë prej tyre edhe nuk e përfillin konvencën e rimimit, gjë që poezitë i bën moderne dhe aktuale.                                         

Sa i përket figuracionit poetik poezitë e poetit të ri Statovci, përgjithësisht kanë një figuracion të mjaftueshëm që ato të trajtohen si poezi me vlera letrare artistike. Me ketë rast kisha thënë se poeti ynë i ri ka edhe tendencë të krijimit të figurave dhe tropeve stilistike të reja, për te cilat ndoshta edhe nuk i kemi hasur deri me sot te poetët tanë që po e zhvillojnë poezinë bashkëkohore, e që mund të jen këto si: misioni, pseudolumturi, hajdute zemrash, oportunizmi, konsumues, e shumë të tjera. Shikuar nga ky aspekt Diar Statovi si krijues i ri, në këtë fillim shekull të ri, me temën që trajton me motivet dhe me stilin e të shkrehurit në vargje dhe me futjen e figurave të reja stilistike, duket si një Migjen i ri i shekullit tonë që po e jetojmë sot.                      

Autorit Statovci i uroj të mos ndalet së shkruari, që edhe në të ardhme të na sjellë poezi me kaq ndjesi e frymëzim të ri.