THERANDA – QYTETI I MËRGIMTARËVE QË IA PA SHERRIN PRIVATIZIMIT

Shtegtime nëpër Atdhe (CLXXXIII)

Nga Berat Luzha

Theranda, e quajtur edhe Suhareka (sll. lumi i thatë), është një qytet i bukur në jugun e Rrafshit të Dukagjinit, qendër e Podgurit të Prizerenit. Ka pozitë shumë të mirë gjeografike, nga përshkojnë rrugët më të rëndësishme që lidhin Prishtinën me Prizerenin dhe Kosovën me R. e Shqipërisë, siç janë Udha e Kombit dhe rruga Prishtinë – Prizeren. Theranda shtrihet në një fushë të gjelbër pjellore në lartësi mbidetare 400 m, dhe largësi rreth 63 km nga Prishtina dhe 19 km nga Prizereni. Me rrugë të shkurtër lidhet edhe me Rahovecin e Ferizajn. Nëpër Therandë kalon lumthi i Therandës.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, qyteti i Therandës ka rreth 10 mijë banorë, kurse bashkë me 42 vendbanimet, që e përbëjnë komunën e saj, ka rreth 60 mijë banorë. Emrin Therandë e ka marrë pas luftës sipas qytetit antik të Therandës, i cili mendohet të ket ekzistuar diku mes Therandës së sotme dhe Prizerenit.

Territori i komunës së Therandës ka qenë i banuar që nga parahistoria. Këtë fakt e vërtetojnë lokalitetet arkeologjike dhe tumat ilire, siç janë Hisari (shek. VIII-IV p.e.r.) dhe Shiroka (shek. VIII-VII p.e.s.). Në fshatin Peçan është zbuluar një stelë ilire (pllakë guri e shkruar dhe e zbukuruar) e shek. II apo III. Gjatë sundimit osman Theranda ishte kadillëk i Sanxhakut të Prizerenit dhe bajrak i 42 fshatrave, gjatë Jugosllavisë mbretërore ishte qendër e rrethit të Podgurit ndërsa nga viti 1945 është qendër komunale.

Popullsia e komunës së Therandës tradicionalisht është marrë me bujqësi, blegtori dhe posaçërisht me vreshtari. Dikur komuna e Therandës njihej si komunë vreshtare dhe industriale, me industri kimike, ushqimore, të tekstilit etj. Ndërmarrja më e madhe ishte industria e gomës dhe kimike “Ballkan”, me rreth 1900 punëtorë, që prodhonte shirita transportues prej gome. Kjo ishte një fabrikë model, e vetmja e këtij lloji në ish-Jugosllavi, e ndërtuar në vitin 1961. “Ballkani” është privatizuar në vitin 2005 me “spin of special” nga një investues turk me çmim qesharak prej 1.5 milion euro, me kusht për investime 6 milionë euro dhe punësim të 375 punëtorëve. Mirëpo, në fakt privatizimi, jo vetëm që nuk e zhvilloi, por e shkatërroi këtë gjigant ekonomik, duke e dëmtuar, tjetërsuar e në fund, duke e mbyllur. Hapësirat e saj sot i shfrytëzojnë dy ndërmarrje private tregtare, të cilat aty kanë ndërtuar dy supermarkete.

Ndërmarrja bujqësore industriale “Suhareka” prodhonte verë dhe prodhime tjera prej rrushi. Pas privatizimit, në vitin 2006, edhe kjo ndërmarrje është futur në rrugën e shkatërrimit. Ndërmarrja kishte 1170 hektarë tokë, nga të cilat 700 hektarë ishin vreshta. Vreshtat u shkatërruan, u shkatërrua edhe bodrumi i verës dhe të 96 kazanët apo rezervoarët, që janë shitur për skrap në Mal të Zi. Kështu, mbi 400 punëtorë mbetën pa punë. Si rajon vreshtar, edhe sot rreth 2000 bujqë kultivojnë rrushin në rreth 1700 hektarë vreshta. Në të njëjtën gjendje është edhe fabrika për prodhimin e pijeve joalkoolike “Schwepps”, pastaj fabrika e tekstilit në Mushtisht, fabrika e gomave “Damper”, fabrika e dyerve e dritareve të metalit “Seco”, fabrika për prodhimin e elementeve të betonit në Reshtan etj.

Në vitin 1995 në Therandë është ngritur fabrika e këpucëve “Solid”, në fillim me 25 punëtorë, sot ka rreth 300 punëtorë. Fabrika prodhon 700 – 800 mijë palë këpucë në vit dhe një pjesë të mirë të tyre e eksporton në vendet e ndryshme të Evropës. Edhe pse gjatë luftës forcat serbe e kishin djegur në tërësi, pas luftës rilindi, duke krijuar një kapitull të lartë suksesi.

Në përgjithësi ekonomia e Therandës doli nga lufta pothuaj e shkatërruar. Shkatërrimet nga lufta, pastaj shkalla e ulët e zhvillimit ekonomik dhe privatizimi i vonshëm dhe i dështuar kanë krijuar shkallë të lartë të varfërisë dhe të papunësisë, si dhe gjendje e terren të përshtatshëm që të rinjtë t’ia mësyjnë kurbetit. Kështu, mund të thuhet se Theranda sot është vend i mërgimtarëve. Sipas regjistrimit të vitit 2011, komuna e Therandës kishte rreth 28 mijë mërgimtarë apo rreth 32 për qind e popullsisë, duke marrë vendin e parë në Kosovë për numrin e tyre. Sot ky numër është shumë më i madh. Ikja e popullsisë në emigracion, sidomos ajo e moshës së re, si dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë kanë shkaktuar proces të vazhdueshëm të shpopullimit të territorit, sidomos të shpopullimit të viseve kodrinore e malore të komunës.

Një problem të veçantë Theranda e ka me gjendjen e mjedisit, veçanërisht me ndotjen enorme të lumit të Therandës, lumë që kalon përmes qytetit. Në këtë lumë derdhen kanalizimet dhe hudhen mbeturinat, sa uji i lumit kundërmon, duke paraqitur edhe rrezik për shëndetin e banorëve që jetojnë në afërsi të tij. Vende-vende gjenden edhe grumbuj të deponive ilegale të mbeturinave. Pos këtij problemi, Theranda ka mungesë të hapësirave të gjelbëruara, shkatërrim të tokës bujqësore, problem me furnizim me ujë të pijes, problem me ujëra të përdorura etj.

Në komunën e Therandës lufta ka shkaktuar dëme të mëdha në njerëz dhe dëme materiale. Janë djegur e shkatërruar rreth 10 mijë shtëpi ose 83.5 për qind e numrit të shtëpive të banimit, në vlerë prej 216 milionë euro, kurse vlera e dëmeve të përgjithshme mbërrinë në rreth 500 milionë euro. Dëme që nuk mund të çmohen me para janë humbjet e rreth 500 viktimave civile, duke përfshirë fëmijë, gra e pleq. Veçanërisht, theksojmë masakrën e forcave serbe mbi familjen Berisha në Therandë më 26 mars 1999, kur forcat serbe mizorisht vranë 48 anëtarë të kësaj familjeje. Për ta fshehur krimin, trupat e viktimave u bartën në Serbi dhe u varrosën në varreza masive afër objektit të milicisë në qytetin Batajnicë. Lokali ku është bërë masakra sot është shndërruar në një muze në përkujtim të martirëve të familjes Berisha, që është e pajisur me fakte për krimet serbe mbi popullsinë shqiptare. Lufta ka shkaktuar edhe ikjen e shumë familjeve në vende të ndryshme të botës, të cilat nuk janë kthyer më. Megjithë dëmet e mëdha, paslufta solli frymëzim dhe përkushtim për tejkalimin e pasojave të luftës, për rindërtimin e ndërtimin e shpejtë të objekteve të banimit, si dhe kthimin e pjesës më të madhe të refugjatëve të luftës.

Komuna e Therandës ka disa zona të bukura turistike, siç janë Bjeshkët e Bukoshit dhe ato të Dollocit, Guri i Dollocit, pishina “Solid” në Buçallë, pishat dhe vreshtat e Biraçit, pastaj fshatrat malore të Budakovës e Greiçecit, Gurra e Kadisë, Livadhet e Papazit, Shtigjet e ecjes në Therandë etj. Edhe trashëgimia kulturore është mjaft e pasur, të cilën më së miri e shpërfaq muzeu i qytetit, që është i pajisur me eksponate që nga antika e deri te lufta e UÇK-së. Në vendlindjen e Heroit Fadil Vata në Sallagrazhdë është ndërtuar shtëpia – muze e tij, në fshatin Bllacë është rindërtuar kulla e Ramë Bllacës. Theranda e ka edhe Parkun e Dëshmorëve dhe sheshin e rindërtuar të qytetit, që i jep qytetit një pamje të magjishme.

Sot po rilindet Theranda e re, që ka marrë pamjen e një qyteti bashkëkohor, një qendre të rëndësishme ekonomike, kulturore e arsimore.