Tufë poezish nga profesor Fetah Sheholli

Fetah SHEHOLLI: THIRRJE E FORTË PËR SHQIPTARIZMIN… – Bashkimi i Shqiperise
Fetah Sheholli

KULLAT TONA

Shtëllunga tymi si valë deti
S‘bënte dritë as vetë dielli
Vdekja kafshonte ditë e natë
Kullat tona shkrepnin flakë
Dhëmbë ujqish lëviznin nofullat
Sy të çartur mësynin shkabat
Shpirtprishur e kokëtërbuar
Kullat tona me gurë të shpuar
Korbat donin pa tym oxhakun
Frëngjitë me zjarr mbronin pragun
Rrëzoheshin muret e skuqej Plisi
Kullat tona si Feniksi
Erdhën bishat gjakuritur
Fisin e fismë për ta zhdukur
I shitoi Zana dhe i vrau reja
Kullë e pamposhtur UÇK-ja

BISEDË ME BABËN

Dimën tepër i ftoftë.
Dy lumejtë e fshatit tim janë mbulue me akull.
Shtatë vjeç djalë, me abetare në dorë.
-Pse po shkoni natën në shkollë? – e pyeta babën.
-Po na thërrasin, m’u përgjegj shkurt.
-Kush po ju thërret?
Natën mësuesit flejnë e shkolla asht e mbyllun, i thashë me mendjen e fëmijës.
-Jo, jo djalem! Hyqymeti po na kërkon armë!
-Fort i lodhun po kthehesh nga shkolla…
-Shumë stupca po thehen në shpinat tona, më tha dhe u mërrol në fytyrë.
-Nuk po të kuptoj, babë, çka po thue?!
-Punë të fella janë këto, biro. I mëson kur të rritesh…i
E ndërpreva bisedën.
Në fytyrën e babës lexova se punët i kemi shumë keq.
Dhjetë vjet më vonë e plotësuem bisedën e ndërpreme.
Ramja e Rankoviqit nuk e përmirëson pozitën tonë.
Vetëm largimi i Serbisë na e sjell lirinë.
E, kjo tokë s’duron kambë të huej…

FATE TË DHIMBSHME

„Herticë e bukur, vendlindja ime
Hajriz më pagëzove e nuk më rrite
Në këto lugina, fusha e kodra
M‘u ndal rrita e m‘u ndërpre loja…
Ju përkujtoj ditë e natë
Arë e Lisit e Përroi i Gjatë
Te Tyrbja e në Udhë të Prishtinës
Më mbeti ëndrra e loja e fëmijës
Në tokë të huaj, në Anadoll
Jetë e rëndë, me shumë mall
Për atdheun e gjuhën e zjarrtë
Për shqipen porsi mjaltë!
Ah, Serbi, ti qofsh mallkuar!
Mos paç kurrë ditë të gëzuar!
Na degdise, oh, medet!
Vatrat tona na i le shkret“…

KUR TËRBOHEN BISHAT…

Shkallëve më puthiteshin këmbët rëndë si plumb.
Ndonëse diell pranvere, prapa derës, errësira më verbonte sytë!
Nëpër korridor përdridhnin trupin, si gjarpinj, uniformat gërditëse…
Secila kthinë e skutë jehonte: çjerrje, britma ulurima…
Dhoma tmerr e ferr.
Gjuhë nëpërkash përplot me helm.
Në sytë e tyre pashë vdekjen…
Zbrazej dufi shtazarak.
Kërbaçi më mëshonte-duart katran.
Pullat e këmishës më kërcyen në tavan!
Zullumi flet me gjuhën e vet: “Oj egërsira nuk e keni larg”!
Pas lisave po lyhen me dyll tytat. Plagët tona-kushtrim!
Nënave do t’u shkoni si kërma erëmbytëse.
Pinjollët tuaj, në pllaka varri, do të marrin mësimin:
Mos mësyni tokat e Shqipeve, sepse aty ju përbin dheu!

MËNGJES PRANVEROR

Gëdhihej, gëdhihej errësira u tret
Mëngjesi pranveror lëshoi krahët e vet
Dielli në hapësirë u ngrit ngadalë
Fshatit i dha dritë…dritë të valë
Një puhizë e lehtë lëshohej ngadalë
Një melodi gjethesh dëgjohej në mal
Kënga e zogjve veshët m‘i ledhatonte
Thellë në zemër më depërtonte
Horizont i këndshëm, natyrë magjike
Mozaik ngjethës me shkëndija drite
Hapësirë e veshur me rrobe të arta
Ngrihem unë i riu me duar të zjarrta

E KAM DITUR

E kam përjetuar
Se robëria vyshk sythat në rrem
E në vend të vesës pikon helm
Edhe Diellin e bën ombrellë të ftohtë
E kam pritur
Se Toka rënkon për dritën e humbur
E Kosova ime e dashur
S’e ndal hapin për të gjetur Diellin
E kam ditur
Se prangat e robërisë këput trimëria
E syri i zjarrtë gris errësirën
E kam ditur se do të vijë Liria

FILLIM NATE – SHPRESË DRITE…

Nga deti e nga ajri
Gërsheta dritash si vetëtimë qiellin përshkojnë
Përbindëshin shitojnë
Si termete dhjetëshkallësh
Jo tanke e topa..
Edhe shkëmbinjtë i bëjnë copa-copa
Xhelati në pallat dridhet
I shastisur, me duar në kokë
Vërdallë sillet
Është në siklet
Shurdhueshëm bërtet:
“Çka, çka të bëj tash, unë i ziu
Do të strukesha edhe në vrimë miu”?!
Katilëve, natën në tokën tonë
Gjëmimet këmbët ua shkurtojnë
Shtëpitë i urrejnë e malet i mallkojnë
Lemeritën
As të vdekur, as të gjallë
Flasin përçart:
“Ku, ku të fshehim kokën, të shpëtojmë”?
Shpërthimet e frikshme
Qielli i përflakur:
Varr për kanibalët
Për të ndjekurit, fatet e shkelura
Lajm xixëllonje:
“Do të ktheheni në vatrat tuaja
Me fluturim shqiponje”!
NATO faleminderit përjetë e mot
UÇK-në e ke aleat në tokë!