Shkruan: Lan Qyqalla
Tregim postmodern

Dje e takova Migjenin në Veternik. Ishte ulur në cep të një kafeneje, pranë dritares. Dukej sikur kishte ardhur nga një kohë tjetër. Përballë kishte një filxhan kafeje të ftohur dhe sytë i mbante ngulur te njerëzit që hynin e dilnin.
Jashtë, qielli ishte mbuluar me re të rënda. Brenda, zhurma e lugëve dhe e bisedave krijonte atë iluzionin e zakonshëm se gjithçka ishte në rregull.
Por Migjeni shikonte më thellë. Gjithmonë kishte ditur të shikonte më thellë. Në tavolinën pranë nesh ishte ulur një vajzë e re. Veshja e saj ishte e thjeshtë. Një palë atlete të bardha, pak të konsumuara. Një xhaketë e lirë. Asgjë që të binte në sy. Përveç syve. Ata sy kërkonin diçka që nuk gjendej në atë kafene.
Drejtësi.
Përballë saj rrinte një burrë afër të gjashtëdhjetave. E njihja. Ish i burgosur politike atebote.
Ai fliste me zë të ulët. Ajo dëgjonte. Herë pas here shtrëngonte filxhanin e çajit.
– Unë kam ardhur për vendin e punës që ma keni premtuar – tha vajza.
– Gjërat nuk ecin aq thjeshtë – buzëqeshi zyrtari.
– Kam përfunduar studimet master me rezultate të shkëlqyera.
– Ka plot të tillë.
– Atëherë pse më thirrët?
Burri e afroi karrigen. Në buzë i lëvizi një buzëqeshje që nuk kishte asgjë njerëzore.
Migjeni uli kokën.
Dukej sikur e kishte parë këtë skenë qindra herë. Vetëm se dikur ndodhte në hanet e qytetit. Tani ndodhte në kafene moderne.
– Vajzë e mençur je – tha zyrtari. – Duhet të kuptosh si funksionon bota.
Ajo nuk foli. Vetëm e shikoi.
– Nuk punësohet askush me diploma sot.
– Me çfarë punësohet?
Burri heshti për një çast. Pastaj buzëqeshi. Ishte një buzëqeshje që e thoshte gjithçka pa thënë asgjë. Dhe vajza e kuptoi. Në atë moment fytyra iu zbeh. Në shtëpi e priste një familje pa të ardhura. Një baba i sëmurë. Dy motra më të vogla. Muaj të tërë kishte kërkuar punë.
Dhjetëra konkurse. Qindra dokumente. Asnjë përgjigje. Për një çast dukej sikur po luftonte me gjithë botën. Me varfërinë. Me padrejtësinë. Me frikën. Me veten.
Migjeni ngriti sytë nga tavolina.
Ndoshta edhe ai po priste fundin e kësaj historie. Si dikur. Si në kohën e tij. Por vajza nuk ishte nga ato që përkuleshin. Papritur u ngrit në këmbë. Karrigia u përplas pas dyshemesë. Në kafene ra heshtje. Ajo mori filxhanin e çajit dhe e derdhi mbi tavolinë. Pikat e nxehta spërkatën këmishën e bardhë të zyrtarit.
– Mbaje vendin e punës! – tha me zë të lartë.
Të gjithë kthyen kokën.
– Nuk dua asgjë që blihet me poshtërim.-Zyrtari mbeti i ngrirë.
– Kujdes si flet…
– Jo. Kujdes si jeton ti.- zëri i saj ushtoi në të gjithë sallën -Kërko ndonjë tjetër për pazaret e tua. Unë kam ardhur për punë, jo për turp.- askush nuk foli.
Askush nuk qeshi. Askush nuk e mbrojti zyrtarin.
Vajza pagoi çajin e vet te banaku. Pastaj doli. Atletet e saj trokitën lehtë mbi pllakat e lagura nga shiu. Dhe u zhduk në rrugë. Pa punë. Pa përkrahje. Por me kokën lart. Zyrtari fshiu këmishën. Shikoi rreth e rrotull. U përpoq të buzëqeshte.
– Femrat e provincës janë të vështira – murmuriti.
Askush nuk iu përgjigj. Ai la paratë mbi tavolinë dhe doli qetësisht. Sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Sikur të mos ishte pjesë e problemit. Sikur të mos ishte vetë problemi.
Migjeni e ndoqi me sy derisa humbi pas derës së kafenesë. Pastaj nxori nga xhepi një bllok të vjetër.
Shkroi diçka.
E mbylli ngadalë dhe ofshani.
– Mjerimi nuk paska vdekur – tha. – Veçse paska ndërruar kostumin.
Jashtë filloi shiu.
Ndërsa vajza me atlete vazhdonte të ecte përpara