Etika dhe shoqëria shqiptare

Shkruan: Mustafë krasniqi

Etika dhe shoqëria shqiptare, veçanërisht në Kosovë dhe në hapësirat ku jetojnë shqiptarët, po përballet me një krizë të thellë të mungesës së saj në të gjitha sferat jetësore, sociale, ekonomike dhe deri te ato të komunikimit publik. Kjo krizë ka ardhur si pasojë e etjes për pushtet dhe jo e përpjekjes për të ngritur një pushtet të drejtë, siç është synuar dhe është dashur të jetë.

Andaj, Kosova me këtë klasë politike është shndërruar në një interes grupor e partiak, duke ia humbur çdo vlerë përpjekjes për ndërtimin e një shteti të vlerave, pa presione korruptive e mashtruese, të cilat, për fat të keq, po ndodhin çdo ditë.

Përpos këtij presioni zhvatës, ka humbur edhe kuptimi i etikës së fjalës së lirë, e cila në traditën tonë shqiptare ka pasur peshë dhe respekt fjala. Çfarëdo që thuhej, dëgjohej me vëmendje dhe kishte peshë, përmbajtje e përgjegjësi për atë që e shprehte, qoftë në familje, në mesin e njerëzve apo në debatet publike.

Kohëve të fundit, ky fenomen është shndërruar në një përçudnim të vlerave dhe ka ndryshuar karakteri i etikës njerëzore. Papërgjegjësisht, figurat politike shfaqin dobësitë e tyre duke mos e njohur vetveten dhe duke u paraqitur me emocione të pakontrolluara e arrogancë, si pasojë e mungesës së njohjes dhe besimit në vetvete. Me këto horizonte të munguara krijohen situata joetike, qoftë në debate, në fjalime apo deri te fyerjet e përgjithshme e individuale në televizion, në tubime apo përballë debatuesve.

Ky lloj politikani apo deputeti, ku një pjesë e tyre kanë ardhur rastësisht në politikë, nuk bart kurrfarë përgjegjësie edhe atëherë kur, emocionalisht, përpiqet ta mposhtë kundërshtarin me çdo kusht, duke përdorur shpifje publike. Me arrogancën e tyre nuk tregojnë kurrfarë respekti për etikën, ndonëse do të duhej të ishin shembull për ndjekësit e tyre.

Kjo mendësi vjen pikërisht nga ata që kanë frikë nga vetvetja dhe janë të etur për pushtet. Duke mos gjetur forma të mirëfillta veprimi, ata përgatisin një klasë njerëzish në terren që bien pre e kësaj fryme; njerëz që për pushtet nuk njohin asnjë normë të etikës njerëzore.

Kështu krijojnë një masë simpatizantësh të programuar, me qëllim që të arrijnë synimet e një politikani pushtetar, pavarësisht pasojave që kjo i sjell shoqërisë dhe shtetit. Këtë nuk e shohin si çështje të mirëqenies së përgjithshme, por si mundësi për ngritje në pushtet, sepse synimi i tyre është pushteti dhe jo zhvillimi i shoqërisë dhe i shtetit.

Përmes pushtetit synohen përfitime marramendëse financiare. Nga njerëz që dikur nuk kishin as kushtet elementare të jetesës, për pak vite shohim milionerë me shtëpi luksoze, vila shumëkatëshe dhe pasuri të mëdha, duke u shndërruar në njerëz të paprekshëm. Fatkeqësisht, kjo po ndodh hapur dhe pa u penguar fare.

Përveç korrupsionit, populizmit dhe mashtrimit, kjo dukuri e ka pushtuar shoqërinë tonë edhe me një fenomen tjetër. Në vend të arsyes dhe komunikimit të qytetëruar, në fjalorin e politikanëve është futur gjuha denigruese dhe fyese. Nëse jepet një kritikë reale mbi situatën dhe krizat që i prodhon klasa politike, e cila nuk i shkon për shtat pushtetarit, ai në vend të argumentit zgjedh etiketimin përmes rrjeteve të grupit të tij.

Ajo që është edhe më e rëndë është dëmi që shkaktohet përmes komenteve të ulëta. Fatkeqësisht, jo vetëm që shumë prej tyre nuk e shkruajnë mirë shqipen, por edhe e dëmtojnë gjuhën tonë të bukur me fjali të copëzuara dhe fyese. Me këtë fenomen nuk merret askush dhe nuk u tërhiqet vërejtja nga organet kompetente, që të mos lejojnë një gjuhë të tillë të shfaqet hapur, sepse ajo po bëhet përçarëse dhe poshtëruese për vetë shoqërinë shqiptare.

Kush po e përçan shoqërinë?

Kjo përçarje vjen pikërisht nga klasa politike, e shoqëruar nga disa analistë të papërgjegjshëm, të cilët mendojnë se përmes servilizmit, zhurmës dhe përkrahjes ndaj të preferuarve të tyre do të fitojnë mbështetje shoqërore. Për fat të keq, një pjesë e shoqërisë ka rënë nën ndikimin e populizmit, duke u mashtruar se e ardhmja e tyre do të jetë më e mirë nga premtimet që paraqiten si projekte të realizuara, ndërsa në realitet ato mbeten vetëm premtime që përsëriten nga një palë zgjedhje në tjetrën.

Një fenomen tjetër shqetësues që po shfaqet në Parlamentin e Kosovës, madje edhe nga disa deputetë, është fyerja ndaj luftës së shenjtë të UÇK-së. Veteranët quhen njerëz të armikut pa kurrfarë përgjegjësie, madje ka raste kur dëshirohet që emri i UÇK-së të fshihet nga faqet e historisë.

Përkundër kësaj, shkruhen edhe libra kundër luftës së drejtë të UÇK-së, vetëm për të arritur qëllime të ulëta politike. Është krijuar një klimë urrejtjeje, sikur të ishim ende në luftë me armikun. Përmes shpifjeve, secili përpiqet ta bindë përkrahësin e vet se heroi apo veterani që ai ka respektuar nuk ka qenë ai që mendonte se ishte, duke i injoruar dhe mohuar vlerat e tyre.

Andaj, politika e Kosovës është shndërruar në një politikë sjelljesh të papërgjegjshme, ku përveç shpifjeve dhe fyerjeve mungon strategjia për ndërtimin e shtetit. Në çdo zgjedhje vijnë me populizma dhe akuza të tipit “ti je me serbin”, por rrallëherë paraqesin programe reale për atë se çfarë do t’i sjellin vendit në të ardhmen.

Për elektoratin e tyre sjellin premtime të pamundura, sikur të ishin anije kozmike që nesër do t’i kemi në oborr. Simpatizantët i besojnë këto premtime, ndërsa vitet kalojnë dhe ato nuk shihen as të projektuara, e jo më të realizuara.

A duhet të ndryshojë kjo qasje?

Kjo qasje duhet të ndryshojë përmes programeve të arsyeshme dhe bashkimit të forcës së rinisë përparimtare, të cilën, për fat të mirë, e kemi mjaftueshëm si në vend ashtu edhe në diasporë. Me këtë forcë duhet ta ndërtojmë të ardhmen e shoqërisë dhe të shtetit, duke i injoruar politikanët dhe deputetët arrogantë e të papërgjegjshëm.

Populli duhet ta kuptojë njëherë e mirë se shteti nuk ndërtohet me mashtrime dhe premtime, por me punë, vizion dhe përkushtim. Ai ndërtohet përmes programeve konkrete, ideve të qarta dhe bashkimit të profesionistëve të fushave të ndryshme.

Na duhet një qeveri e përkushtuar dhe jo një qeveri fjalësh e premtimesh. Na duhen ministra njohës të fushave që drejtojnë dhe jo vetëm emërime politike. Na duhen ekspertë dhe profesionistë, e jo analfabetë funksionalë që pengojnë zhvillimin e shtetit.

Në fund, ndërgjegjësohuni se populli nuk ua ka borxh këto lojëra të pista, fyese dhe denigruese. Të paktën ju, si mandatarë të zgjedhur nga populli dhe të besuar me votën e tij, thuajeni me guxim fjalën tuaj dhe përfaqësoni interesin e atyre që ju kanë zgjedhur. Punoni për mirëqenie, siguri dhe një shtet funksional, e jo për lojëra me numra dhe pretendime për të qen i pushtetshëm.