Vizita e Ministres  Kushi  në landin e Bavarisë

Nga Mustafë Krasniqi

Vizita e Ministres së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë znj. Evis Kushi, në landin e Bavarisë ishte me  ftesën e Sekretares së Shtetit të Bavarisë për Arsimin dhe Kulturën, znj. Anna Stolz.

Kushi gjatë takimit me Stolz dhe disa deputet të Parlamentit Bavarez foli për bashkëpunimin në fushën e Arsimit, mes Shqipërisë dhe Bavarisë. Po ashtu mori pjesë edhe në seancën plenare të Parlamentit Bavarez, e cila ngrohtësisht u mirëprit nga  Nënkryetari dhe deputetët e këtij Parlamenti, si dhe pati takimet tjera shkencore dhe atë kulturore. Këto takime u bënë në kuadër të projektit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, mes Republikës së Shqipërisë dhe Landit të Bavarisë. Vizitë e cilat do t’i paraprijnë takimeve të muajit korrik, të Zyrës së Përfaqësimit Ekonomik të Bavarisë në Tiranë.

Kushi vizitoi edhe Katedrën Albanologjike të Universitetit Ludwig Maximilian në Mynih, si dhe zhvilloi një takim me përfaqësues e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH-it) në Bavari, e cila u mbajt në Studion Ligjore “Schuhmann Rechtsanwälte“ të z. Dr. Markus Schuhmann, konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Bavari. Të pranishëm në këtë takim ishte z. Arten Hanku – Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Mynih, z. Milazim Ukaj – kryetari i LAPSh-it të shoqëruar me mësimdhënësen, Enela Markja. Në këtë takim i ftuar ishte edhe nënkryetari i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë (KKAD) z. Mustafë Krasniqi.

U diskutua edhe për sukseset, sfidat e LAPSh-it se si po përballet me zhvillimin e procesit të mësimit plotësues në gjuhën shqipe, si dhe për vështirësitë e punës së kryesisë dhe të mësueseve në realizimin e misionit të tyre, për shkollën shqipe.

Me theks të veçantë u diskutua rreth rritjes së numrit të nxënësve, hapja e klasave të reja dhe forma e sensibilizimit të bashkëkombëseve shqiptar, për t’i dërguar fëmijët në procesin mësimor të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Ministrja Kushi pasi u njoh për së afrimi me sfidat e LAPSh-it, paraqiti platformën dhe angazhimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë,  ndër të tjera theksoi:

– Rëndësinë e krijimit të një regjistri kombëtar, ku të gjithë mësimdhënësit kanë mundësinë të regjistrohen dhe licencohen.

– Shpërndarjen e librave për nivelin e dytë dhe të tretë

– Pjesëmarrjen e mësimdhënësve në specializime e seminare kombëtare, si p.sh seminari që do organizohet në fund të muajit korrik në qytetin e Vlorës;

– Interesin për të vazhduar bashkëbisedimin me homologun e saj në Bavari për lehtësimin e procedurave në infrastrukturën e mësimdhënies në Bavari.

Në fund të takimit përfaqësuesit e LAPSh-it në Bavari falënderuan organizatorët e takimit, personalisht Ministren Kushi, për interesin dhe angazhimin e saj, në përmirësimin e infrastrukturave në mësimdhënie.