BOTA LIRIKE E MËRGATËS SHQIPTARE

Cikel poezishe nga Baki Ymeri | IWA BOGDANI
BAKI YMERI
Keine Beschreibung verfügbar.

Shkruan: Baki Ymeri – Poezia është ilaçi i shpirtit, eliksiri i jetës dhe mjalti e fjalëve. Poezia e Ganimete Jakup Demirit është pjesë përbërëse e qenies së saj. Ajo krijon një dialog permanent dhe të mrekullueshëm me vetveten, me botën, me njerëzit. Me prezencën e poezisë në shpirtin e saj, autorja nuk ndjehet kurrë e vetmuar! Lirika meditative e Ganimetes, te vëllimi poetik Eliksir shpirti është e gërshetuar edhe me subjekte kushtuar dashurisë. Fjala dashuri për të është fjalë e bukur dhe madhështore. Pse? Sepse pa dashuri asgjë nuk arrihet në këtë jetë:

Ne duam më shumë dashuri,
Nuk duam të largohemi nga asnjëri,
Duam përqafime, ngrohtësi,
Duam të jetojmë në këtë botë, në liri,
Kemi shumë dëshira për t’i plotësuar,

Vargjet e Ganimetes janë një kontribut i veçantë që reflekton meditimet e një poeteshe të talentuar të mërgatës shqiptare. Ajo tashmë e ka krijuar profilin e saj të veçantë letrar. Poezia është një art i veçantë dhe i pakufishëm. Fjalët e Ganimetes nuk kanë kufij. Ato shërojnë plagët e shpirtit dhe hapin sytë e të verbërve. Për një poet, nevoja për të thënë fjalë është si nevoja për të marrë frymë. Autorja vjen para nesh me ndjenja dhe ide. Ajo e fshikullon përtacinë dhe dyfytyrësinë. Shkruan për Kosovën, për heshtjen që flet, për të vërtetat, për zogjtë shtegtarë, për kurbetin. Ganimetja i përdor me kujdes fjalët, që e ndihmojnë të shprehet gjithmonë duke pasur diçka për të thënë.
Nga vargjet e Ganimetes kuptojmë se ekziston një botë ku zemra ndjen dhimbje, dhe e cila me askënd nuk flet:

Është pena që më shoqëron,
Shpirtin ma qetëson.

Dhe më tej:

Shkrimi është pasqyrë e jetës,
Ku e gjej forcën dhe mbështetjen,
Kur fletën dhe penën i bëj bashkë,?
Nga brendësia shkruaj për çdo çast.

Sipas autores, jeta ka befasitë e veta:

“Njerëzit që i duam më së shumti
Njerëzit që i duam më së shumti
Në shpirt na lëndojnë
Ata që si duam – fare s’na interesojnë.
(Doni vetveten).

Në vargjet e Ganimetes ekzistojnë shumë botë, bota e ndjenjës atdhetare dhe bota e sentimentit poetik. Lirikës së saj i mungon banaliteti dhe artificialiteti. Ajo është një lirikë reale që buron nga zemra. Në vargjet e saj reflektohet bota realiste e përshkrimit poetik:

E dua poezinë si zogu lirinë,
Në çdo vend të botës vargjet dua të arrijnë,
Të jap mesazhe paqeje e dashuri për njerëzinë,
Të mos ketë asnjëherë kufij për letërsinë
.
(E dua poezinë).

Veprat e këtilla e pasurojnë botën tonë letrare dhe e fisnikërojnë qytetërimin e një kombi, duke qenë realizime të bukura etike dhe estetike, sinteza të një koncepti për jetën, dëshmi të mendimit dhe ndjeshmërisë së një populli në kontekstin e historisë aktuale të sentimentalizmit shqiptar.
Ganimete J. Demiri është ndërgjegjja estetike që aspiron drejt objektivitetit. Ajo është një poete e lindur, që nuk e kopjon realitetin, sepse realiteti për të është jo vetëm një pretekst për të krijuar një botë të re, por edhe për krijimin e ligjeve të reja të ndjeshmërisë dhe harmonisë.