
Përmbledhje nga AZEM OSMANI
GJENE TË REGJURA
Rrekem të gjej një emër
Ta pagëzoj pranverën e këtij moti
Dua të kundroj ngjyra bulëzimesh
Të nuhas aroma lulëzimesh
Degëve të shartuara
Me kalemat e drurëve të huaj
I prekja rrënjët…
Ushqyer me gjak betejash
Strehuar nën dheun e pëlleshëm
Nga mbetjet e bereqetit nëpër kohë
Jo vetëm furtunat e vendit
Por, as shartimet e huaja
Nuk mund të lënë gjurmë
Në gjene të regjura kromozomesh
KJO KAFKË…
Nuk di si ta pagëzoj kafkën
Që shiti trurin me kilogram
Nëpër hekurishte
Të kohës së ndryshkur
Vrimave të syve
I rrinte uji
Që ngjante
Në liqenin e peshqve të ngordhur
Gropës së hundës
Ia behën gjarpinjtë e fshehur
Nga frika e helmit të vet
Dhëmbëve të buzëqeshjes së ngrirë
U doli në pah
Gënjeshtra metropolitane
Me arkitekturë maskarenjsh
E ndërtim budallenjsh
Kjo kafkë…
Qelizash të vdekura në trupin e gjallë
HARTË E LECKOSUR
Në atë mur të lyer
Me vrushkuj gëlqereje të shurdhuar
E me gjak të zbërdhulët në akuarel loti
Kokulur shoh hartën e leckosur
E zier, e shtypur
Vakumeve të zhubrosura të harmonikës
Nën tinguj marramendsh
Të gishtave me thonj të paprerë
Që gërvishtin veç lëkurën e vet
Lëkurë e zgjebosur fekaleve të huaja
Rrjedhur lumenjve qorr
Hartë e leckosur, lesh i shkulur
Si kurmi i dashit cuklan…
SY AUTOSTRADE
Pas çdo zgjimi të bujshëm
Në xhamin e avullt
Shoh sy autostrade
Udhë e hardallosur
Rrungajë gomash
Që kruajnë zgjebën
Në çakëll të nxirosur
Rrugë me degë rrugëdaljesh
Sytha që mbushin e zbrazin mall
Rrugë që kurrë gjumë nuk bënë
Në heshtje horizonteve e kundroj
Se si puthet me qiellin
E urat në qafë
Rrathë rruazash mbanë
Gumëzhimave ia ndiejë
Kollitjet prej gazrave
Mbi kurriz të vijave
Avullon lotin e lektisjes
Për zogjtë e lemerisur
Nga shpejtësi morti
Vetëm një ditë ngjau
Kur një shqiponjë
Iu soll rreth e rrotull
E nuk ngurroi
Ta ndajë me mua ngazëllimin
Kjo udhë e gjallëshme
Më çmendi fare
Herë m’i hap e herë m’i mbyll
Portat e mëmëdheut
DERA E PUSHTË
Në pragun pa shputa e pa fërkemë
Lektiset derë e pushtë
Derë e përhumbur në cergë marimangash
Në vorbull vuajtjesh
Prehej gjethe e vetëflijuar
Lapidar në xhamin e derës së braktisur
Gjethe e një vjeshte të harruar
Derë e pushtë, që rri nëpër vite
Në prangat e kyçit të ndryshkur
E zgërlaqur nga dhembshuria
Për lotët e barit të pashkelur
Përrrobat që bëjnë orgji me pluhurin
E për mbufatjen e oxhakut
Nga glasa zogjsh të shkujdesur
TELALL I PRANVERËS SË DASHURISË
Buzagazet t’i përpiu humbellë malli
Zigzakeve të kohës kumbimi t’u shterrua
Tok me cicërima zogjsh
Sfilitur nëpër kate kafazesh
Ku mbete…?!
Pritjet ma zhubrosën lëkurën e durimit
Dita më përpëlitet vagëllimave të djersitura
E nata stërzgjatet me shpresën
Se një ditë, hëna do t’ia fal mëkatet
Deri kur, rob i akrepave të orës?!
Shoqërues zëri në kor kukuvajkash
Për ata sy, që ngjallin bulëzime ahishtash
Për atë buzëqeshje, që preh dallgë të azdisura
Për atë zë, telall i pranverës së dashurisë
VARKË E ZHVESHUR NGA PRUSHI
Vadës së ngazëllimit më shpure mbi re
Krah pa pupla e pa motorrë
Më ktheve drejt tokës si me parashutë
Shtegut të aortës përplot gjak
Dhe kur shputat në hoje mjalti prekën
Zemra jote më priti me ritual
Në sy ta sodisja botën, ushqyer me shpresë
Një varkë me vela, fundosur ndër shekuj
Nëpër stuhi vuajtjesh e dallgë zemërplasura
Sa thellë u përhumba mes avujsh
Nga kjo shkritore algash gjelbëroshe
Varkë e zhveshur nga prushi
Sekrecion i tëndes dashuri
Qiellin harlise kur varkës ia hoqe zaptimin
Kafazi i errësirës e samari i algeve
Në gjah nga zemërimi për një tjetër fundosje
Koha numëronte pulse lundrimi
Drejt dritës së vagëlluar të fenerit
Mbirë mbi atë shkëmb me lot
Nuk e pandehja grindjen nga xhelozia
Të erës verore me velat e dashurisë sonë
As puthjen e varkës me dallgët e ngadalëta
Ndërsa brigjet me sy gapërruar na pritnin
Si heronj të Kullës së Fildishtë
MË DRITHËROJNË PRITJET!
Pritja e autobusit me goma të gozhduara
Shtatë unaza kurrizi m’i shkallmoi
M’u zbardhën shtatëdhjetë qime floku
Pritjeve të skanimit të dijes në provime
Një ditë më peshonte
Tonelata ortek pritjesh
Zbrita shtatëqind ujkesha
Vargmaleve të ngrira
Ta kafshonin kohën e pritjes
Që ti, të më vije sa më parë
Si një hyri hirmadhe
E bekuar me ujin e Syrit të Kaltër
Andaj, dhe më drithërojnë pritjet!