IKË SI AVULL QË TË KTHEHT SI SHI !…

Nga Shefqet DIBRANI

Sylë Bajrami, “NËN HIJEN E FJALËS”, poezi, botoi “LENA”, Prishtinë 2023, faqe 130. Redaktimi & Lekturimi: Mentor Thaqi, Musa Jupolli. Recensent: Bashkim Halilaj, kurse piktura në ballinë është punuar nga Fran Tanushi. ISBN 978-9951-29-351-8.

Poeti Selman Syla, është i njohur me pseudonimin artistik Sylë Bajrami, dhe si asnjë krijues tjetër, ai ka bërë emër me tekstin e këngës “Thërret Prizreni mori Shkodër”. Kënga është interpretuar gjithandej nga këngëtarët më të njohur të Estradës Shqiptare, nga Aurela Gaçe, Shkurte Fejza, Shefqete Gosalci, Afrim Muçiqi e deri te Barbara Dini, dhe shumë e shumë të tjerë. Vlenëtë theksohet se ky tekst lirik dhe epik, për të parën herë është kënduar nga rapsodi Rrahman Pagarusha. Sivjet autori i këtij teksti botoi librin e dytë me poezi, “NËN HIJEN E FJALËS”, përmbledhje kjo poetike që përfshinë lirikat e shkruara kohëve të fundit, kurse në titull të librit, “si ylber qëndron një metaforë e bukur lirike!”

PËRQAFIMI

Përqafimi yt është i pa përsëritshëm
në shtatë miliald njerëz,
kush tjetër, nuk mundet me e dhënë
Vendosa me e mbajtur me shtatë dryna
Por nuk munda, së paku ty pa ta thënë
Nënë
Faqe 18.

Me këtë përmbledhje poetike, Sylë Bajrami, ka arritur për të profilizuar portretin e vet edhe në fushën e poezisë. Poezia është pjesë e jetës publike, ajo e bënë Sylë Bajramin më të kompletuar brenda arkipelagut të poetëve shqiptarë në Gjermani. Vargjet janë mjaftë karakteristike, ato shprehin botëkuptimin intelektual të autorit, i cili shumë procese shoqërore e politike i ka kundruar nga prizmi i vet. Sipas kësaj poezie, (që është treguese e saktë e realitetit), disa gjëra nuk kanë ecur ashtu si ka ëndërruar poeti, prandaj pezmi, mllefi dhe ironia, përbëjnë motiv e strukturë të dukshme. Gjithsesi edhe një dozë pezmi lexohet nëpër poezi, andaj ofshama e Sylë Bajramit, nuk është ehu i një kënge të bukur, por është klithma e poetit që materializon gjëmën e popullit të tij. Edhe vargjet shprehin sakrificën e popullit, përpjekjet historike për liri dhe emancipim. Po ashtu kalvari i përpjekjeve ka kaluar nëpër sfida të shumta, dhe ku janë sakrifikuar breza të tërë luftëtarësh: “Shqiptar/ U ngjita në Majën e Tomorit/ T’i shoh në çdo anë Muranat/ Kullat e djepat ku rriten trimat/ Shtigjet ku këndojnë zanat“, (faqe 7.) Andaj shkruan poeti:

Vitet ikin për t’u bërë shekull
ne ikim për t’u bërë Dhé
ejani na pshurrni te ‘kunxhat‘ e varrit
po nuk e bëmë një punë të mirë
për këtë Tokë, për këtë Copë Atdhe
Poezia AMANETI, faqe 21.

Metafora e kësaj poezie është e ashpër, e prerë dhe jofalëse: ”Për tradhti/ nuk mjafton vetëm me i pshurrë“, ‘kunxhat‘ e varrit, por ”duhet me ua bâ edhe mà zi“, (po aty faqe 21.) Poeti është i prerë, andaj ironizon vesin e keq e të shëmtuar: ”Kur vëllezërit e një Nâne/ në mes veti janë vrarë/ çfarë rëndësie kishte/ cili ishte atdhetar e cili tradhtar”. Vërtetë këto vargje ta ndalin frymën sepse “pa dy djem mbeti Shtëpia”, (faqe 99), ka shkruar ai. Ky ves, që si sëmundja e keqe ka lëshuar rrënjë dhe ka bërë vend në trupin e Arbërit-Atdheut.

Poezitë e vëllimit ‘NËN HIJEN E FJALËS’, kanë specifikat e veta, ato lidhen me fatin e poetit emigrant, i cili edhe nga larag në asnjë rast nuk ka mundur të shkëputet nga hallet e bashkatdhetarëve dhe popullit në atdhe: “Në pritje me një Grusht Dhé/ Izbicë plaga ime”, (faqe 73.) Vetëm kjo simbiozë e lidhë poetin Sylë Bajramin me të tëra hallet e atdheut. Ai asnjëherë nuk është shkëputur nga tradita etnografike që e posedon shoqëria dhe populli ynë: “Në shtratin ku e nesërmja rritet/ Në djepin ku përkundet një ditë e re/ Në hijeshinë e livadhit kur ikën nata/ Kur bëhemi bashkë Dielli pushon mbi këtë Dhé”, (poezia A E DINI KU PUSHON DIELLI, faqe 74.) Prandaj ngado që shkon poeti Atdheun e bartë me vete, sintagmë metaforike që ndërlidhet edhe me botkuptimin metafizik të krijimtarisë letrare e artistike që ka prodhuar dhe prodhon mendja dhe ndërdija e tij intelektuale, sepse siç shkruan ai: “Krismën e psuhkës edhe të këngës/ E bënin për një Atdhe më të mirë”, andaj “Kur pushonte pushka kriste kënga/ Lufta për ata nuk ishte e vështirë”, (poezia NË NJË LUFTË SI KJO, faqe 71.)

Te poeti Sylë Bajrami, Atdheu dhe Mërgimi, krijojnë një simbiozë letrare të cilën e hasim nga poezia në poezi, nga vargu në varg. “Është ky ai fshati im i moçëm/ apo unë jam tash plaku i tij/ kështu si po e shoh Grykën/ as nuk po më hekë mall as nuk ka hijeshi”, e këto halucinacione poetike nuk janë vetëm metaforë, ato janë emocione dhe përjetime emocionale, sidomos kur një mërgimtar kthehet në vendlindje, adhe atëherë kur askush nuk e pret: “Prita të të takoj tek Udha e Hijes/ atje ku bora e pret Lule Lajthinë/ e di pritja ishte e kotë/ por unë e ‘preka’ edhe një herë fëmijërinë”, (poezia ATËHERË ISHTE NDRYSHE, faqe 55.)

Këto motive, kaq emocionale dhe të përjetuara, përsëri janë vargje artistike që shprehin ndjenjë poetike dhe letrare. Këndvështrimi lirik, patriotik, satirik e ironizues e bënë Sylë Bajramin tamam poet i ndjenjës dhe përjetimit, madje me epitete të larta, dhe kjo ndjenjë, lexohet në ADN-n e tij, e vjelur në krahinën zulmëmadhe dhe rezistente ndaj okupatorit serb. Frymëzimet patriotike, poetit i vijnë nga legjendat e shumta dhe nga relitet e rezistencës që kanë bërë figurat markante, që i ka falë atdheut tonë Drenica heroike, e cila si asnjë krahinë tjetër e atdheut është sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ky virtyt ndeshet në personalitetin e poetit dhe lexohet kudo nëpër vargjet e tija poetike duke profilizuar portretin e intelektualit dhe të poetit, i cili tërë jetën ia kushtoi kauzës kombëtare.

E VËRTETA

Në mëngjes e kërkojmë
në mesditë e shohim
në mbrëmje e njohim
shumë vonë
diçka për të thanë,
kur nata na mbulon
të tanë…
Faqe 89.

Në vëllimin poetik ‘NËN HIJEN E FJALËS’, ndeshim një tip poezie e shqetësuar, ky shqetësim nuk është sentimental por është preokupim real, një ekuivalencë në mes reales dhe sentimentalës, kjo e fundit prodhon varg melankolik, ndërsa në një pjesë të vargut, ndeshim rebelimin e poetit Sylë Bajrami, i cili me përkushtim të angazhuar dhe si mërgimtarët i pa epur, gjithnjë është i respektuar nga rrethi dhe shoqëria. Ndërsa përkushtimi poetik do të lë gjurmë, ashtu siç i kanë bërë bujë tekstet për këngë të shumta.

NJË LOT

Një lot
bie në buzën e tharë
njomë pelinin moteve
sy qullur e buzëtharë
nëpër shekuj kotem
lis me dymijë plagë
nga sëpata kusarësh
plumba armiqsh
e gozhda tradhtarësh
pelinin e ndala buzëve
dhimbjen e mbylla në zemër
…t’mos m’prekë n’r rrënjë, n’emër

Faqe 25.

Metafora e kësaj poezie ka vlerë, në anën tjetër motivet e kultivuara japin mesazhin inkurajues, pavarësisht atyre motiveve përplot zhgënjim e dëshpërim të thellë, që si rezultat i pezmit, dalin edhe vargjet protestuese: ”Dhe, çka nëse ardhmërinë time/ nëpër këtë mjegull murane/ e nëpërkëmbi e shkatërrojë vet?!“, (faqe 29), po ashtu edhe vargjet e fundit te poezia ‘ATDHEU IM’: “Dje të përdhosnin të tjerë/ O i Madhi Atdhe// E sot/ Sot të përdhosim ne”, (faqe 27.) Ky lloj toni, është rezultat i rrethanave të jetës në mërgim, në një vend të përparuar, në të gjitha planet e tij. Pikërisht ky mentalitet ndryshe karshi atij në atdhe, e kanë bërë poezinë e Sylë Bajramit, varg i rebeluar, përplot ironi e satira që kritikojnë veset e gabuara, por brenda librit kemi edhe poezi lirike të cilat janë realizime të arrira poetike dhe përbëjnë shtyllën vertebrore të përmbledhjes poetike, ‘NËN HIJEN E FJALËS’.

Për motivin përkushtues, vlenë t’ia përmendim poezitë: “Martin Camaj”; “Mrtinit t’Camajve”, “Ku mbeti ngjyra blu”, kushtuar Gjelosh Gjokajt, “Në Kullën ku fjala merr vulë”, kushtuar Odës së Junikut, “Nuk ka varr”, kushtuar Hysen Zogianit, e veçmas por motivin dhe ndjenjën që kanë dy poezitë kushtuar Fazli Grajçevcit, “Për ty Flamur” dhe Mësuesi”, e kompletojnë suksesin e poetit Sylë Bajrami, i cili metaforikisht, “Ikë si avull që të kthehet në shi”, (faqe 23.) Më ketë, poeti ka arritur të kultivojë një metaforë të fuqishme lirike, sepse vetëm poeti mund të “ikë si avull!”, dhe të “kthehet në shi!…” që e materializon metafora sa e bukur po aq e fuqishme e “kthimit në shi”, kurse shiu që lagë tokën e atdheut është “Përqafim Hyjnor”, (titulli i poezisë), përmes së cilës mëton ta materializoj mesazhin e poezisë.

Dhe në përfundim: Poeti Sylë Bajrami, s’ka se si të mos i gëzohet botimit të këtij libri, i cili poetit i ka hapur shteg edhe në fushën e mendimit poetik. Së këndejmi lirikat e vëllimit ‘NËN HIJEN E FJALËS’, janë koncept në miniaturë i jetës së poetit. Lirikat, kanë në thelb Familjen dhe Kombin, sikurse të gjitha motivet tematike që kanë përball Njeriun-Patriot dhe Poetin-Atdhetar, që din të mendoj dhe atë që e mendon ka mundësi ta materializoj artistikisht, pasi kudo kemi poezi, strofa e vargje thellësisht të përjetuara e artistikisht mirë të artikuluar!…