Përmbledhje poezish nga poeti, Sylë Bajrami

Përgatiti Mustafë Krasniqi

    NË QYTETIN TIM
 
Në qytetin tim s’kemi Cirk,
S’kemi as kopsht zoologjik
Sa prë hir,kemi teatër.
 
Në qytetin tim, si në qendër si në periferi
është plot kazino, pompa e kafiteri
Ta them ashtu kot, gjithmonë janë plot.
 
Në qytetin tim, kur bie nata,
rri në shtëpi, është më së miri.
S’ke drita, sherbehu me një qiri.
 
Në qytetin tim, të bukurën e sheh rrallë
zakonisht, nëpër fytyra njerëzish,
dhe atë, kur nuk kanë ndonjë hall.
 
Në qytetin time do të kishte qetësi e paqe
sikur aty të mos ndodhej një Parlament
mbushur plot “engjuj” e ” melaqe”.
 
Qyteti im ka tregun e gjelbërt
ka edhe atë të bagëtive e t bylmetit.
Ka edhe,Tregun e Zi , në Sallën e Parlamentit.
 
  MARATONA E VDEKJES
 
Pjesëmarrje e detyrueshme
Mbas sinjalit për nisje,
asnjërit nuk i ngutet
 
Te sigurtë,
ne cak do të mbërrinë,
herët a vonë
Askush nuk të pyet
A duanë a nuk duanë
 
Pse, atëherë,
Këtë rrugë e mbushim
Me sharje?
 
Vetë në fillim,
e vetëm mbetemi,
edhe në ndarje
 
Kjo rrugë
Është për dashuri,
Për gëzime e mirësi,
Për shokë e miq.
 
 
Para dhe mbas kësaj,
Ishte dhe mbetet
Një Hiq.
 
  LOTËT E MALLIT !
 

Më janë tharë buzët,
për lotët e tu.
 
 
Në ardhje e në kthim
i gjeja në përqafim !
 
Unë, mundohesha të mbahem,
por kot!
 
Edhe tash kur ike,
nëpër buzë e ndjej ketë lot!
 
Për rrudhat tua,
me një shekull,
paluar në mes.
 
Për fjalen e peshuar hollë,
për plisin !
 
Për dy shokat,
lidhur në brez !
 
Më ka marrë malli
Për një shtrëngim dore.
 
Thënë drejt,
edhe për një sharje.
 
 
Lotët ishin të ngrohtë
Kur takoheshim,
 
Por ishin akull
Ne ndarje.
 
   PER TY
 
Perandorët u ngulen, si hunjë,
 
përreth TROLLIT
Njëri bënte gardh,
me thupra prej Karpateve.
 
Tjetri sillte ferra prej Stambolli.
Une, herë me njërin e herë me tjetrin.
Me bukë, me pritje e me besë.
 
Ata, herë luftonin, herë bënin pazare.
Unë lëngoja, tkurresha,
vdisja në mes.
 
Shty njëri e shty tjetri
Trollin ma mbushën plotë gurë.
 
Sot kam mbetur sa një Xhuxh,
në vend të një Gadishulli
që e gëzoja dikur.
 
Ditëve, ma nxinin Diellin
Netëve, ma pergjysmonin Hënën.
 
Lojë e ndytë e perandorëve.
Edhe kur bëja gati shpatën,
a pushken, për liri.
 
Ndryshkej nga jargët e puthadorëve.
 
ARA E PAPUNËTORIT
 

Nje fshatar e kishte një arë.
Telashe me mexhanikë, shkoi ta pysë një pleqnar
Në lindje, e kam në mexhë, një shpirtzi
po del në arën time e po ma kullote me bagëti
Në veri një tjetër ,shumë puntor.
 
Po del e ma ha mexhen me Traktor
E, ti, lum katundari! Çka po ban ti ,e bveti pleqnari
Unë, a? Unë nuk kam as bagëti as traktor
po e qoj jetën ,tuj pi çaj e raki,
qishtu me zor sikur ti.
 
Po meshkuj a ki? A ki edhe naj shati
me dalë në arë me çelë naj vi,
Kur të shohin që po punon,vjen ndokush e të ndihmon.
 
  IKJET E GJITHËSTINËSHME
 
Na janë bërë ikje të gjithëstinëshme
Pranverë e vjeshtë janë perzier
Gjithëçka e rrënuar e, ne këtheheshim
 
Gjithëçka e ndërtuar e, ne ikim përseri
Po e kërkove fajin, do mbetesh jetim
Theqafen të thonë ata që të repën dy herë
 
Një robëri e hoqe, një robëri të erdhi
Për ju ka vjeshtë, po kurrë më pranverë
Për çdo ditë ikin, për cdo natë rrugëtojnë
me bileta të prera vetë, në një drejtim
 
Nisen per dikun e, nuk e dinë se ku
Keto çerdhe, te lëna, mbeten veç kujtim
Një ëndërr e trishtë që do të mbetet gjallë
për aq kohë sa bredh ky brezi im i vjetër
per ata që vijnë, s’do të ketë lotë as mallë
ata do të jenë tjerë që flasin gjuhë tjetër.