Ruajtja e gjuhës shqipe në mërgatë dhe diasporë ka qenë, është dhe do të jetë domosdoshmëri për mbajtjen e lidhjeve me vendin amë, për vetëdijesimin e përkatësisë kombëtare dhe ruajtjen identitetit kombëtar të çdo shqiptari kudo ndodhet.
Diskutimi në tryezën me temë “Gjuha shqipe në diasporë” u fokusua në sfidat e mësimit plotësues në diasporë, nevojën për institucionalizimin e mësimdhënies, domosdoshmërinë e rritjes së cilësisë përmes kualifikimit të vazhdueshëm të mësuesve, hartimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të teksteve mësimore, krijimin e një rrjeti bashkëpunimi ndërmjet katedrave të gjuhës shqipe, departamenteve e programeve brenda e jashtë vendit me kurset, shkollat e gjuhës shqipe, shoqatat e lidhjet e mësuesve të diasporës kudo ku punojnë.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj. Ogerta Manastirliu dhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Igli Hasani shprehën mbështetjen e plotë institucionale për shkollat shqipe në diasporë.
Përfaqësuesit e diasporës në tryezë paraqitën ide dhe propozime të ndryshme për përmirësimin e situatës së mësimdhënies në diasporë, si:
- Vijimi i punës për hartimin e teksteve mësimore, duke siguruar përmirësimin e tyre të vazhdueshëm në përshtatje me kushtet e mësimdhënies në diasporë;
- Mbështetja për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë përmes seminareve, trajnimeve dhe aktiviteteve;
- Vijimi i punës për institucionalizimin e mësimit të gjuhës shqipe në diasporë;
- Krijimi i mundësive për rrjetëzimin e katedrave, departamenteve dhe programeve të gjuhës shqipe me shkollat shqipe në diasporë;
- Hartimi i një platforme digjitale për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë;
Krijimi i kushteve për hapjen e një programi master për përgatitjen e mësuesve të diasporës (marrë nga QBD fb.).
Ndërsa drejtoresha e QBD-së, Mimoza Hysa, i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në tryezën e diskutimit për sfidat e mësimdhënies në diasporë.
Faleminderit në veçanti bashkëpunëtores së jashtme të QBD-së, prof. Linda Mëniku për gjithë ndihmesën në çdo aktivitet e projekt për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë, për kontributin e pakursyer edhe në hartimin e materialeve në ndihmë të mësimdhënies, për mendimet e vyera e të argumentuara me profesionalizëm për tekstet mësimore dhe parashtrimin e nevojës për përmirësime në përputhje kushtet e mësimdhënies, si dhe nevojës për hartimin e platformave digjitale;
Faleminderit prof. Bardh Rugova për praninë dhe për paraqitjen e modelit më të mirë të rrjetizimit të institucioneve kërkimore shkencore, katedrave e qendrave albanologjike nëpër botë, përmes një tryeze të rëndësishme diskutimi të çështjeve të gjuhës dhe letërsisë shqipe siç është Seminari i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë;
Faleminderit mësuese Aurela Konduri për propozimet e rëndësishme mbi nevojën për një mostër për përgatitjen e mësuesve të ardhshëm të diasporës, për domosdoshmërinë e sigurimit të ambienteve të qëndrueshme, të plan programeve dhe materialeve të tjera me qëllim vijueshmërinë e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Greqi;
Faleminderit mësuese Anila Berberi që hodhi ide të rëndësishme për hartimin e projekteve rajonale për mbështetjen e mësimdhënies në Itali, nevojën për materiale ndihmëse e lojëra digjitale për ta lehtësuar përvetësimin e gjuhës shqipe në kushte dygjuhësie;
Faleminderit përfaqësuesve të KKD-së: Vaxhid Sejdiu e Drita Gjongecaj që, përpos paraqitjes së përvojave të tyre në mësimdhënie, parashtruan kërkesën e grupit të arsimit pranë KKD-së për hartimin e një platforme ndërvepruese për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë;
Faleminderit mësuese Miradije Berisha e Teuta Tabaku për paraqitjen e punës së KKAD-së si përcjellëse e kërkesave dhe nevojave të mësuese në diasporë dhe vendosjes së urave të bashkëpunimit me institucionet shtetërore.
Tryeza e diasporës e programuar për një orë e dyfishoi kohën dhe panelin, madje vijoi gjatë edhe me mësuesit e tjerë të shumtë të pranishëm, në veçanti nga Greqia.
Vëmendja që iu dha gjuhës shqipe në diasporë u pa qartë dhe nga prania dhe mbështetja e dy ministrave, Ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Manastirliu dhe Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Hasani, të cilët ndoqën me interes diskutimet dhe shprehën mbështetjen e pakursyer institucionale për shkollat shqipe në diasporë.
Mendimet dhe propozimet e diskutuara në këtë tryezë do të përbëjnë dhe planin e punës së Qendrës së Botimeve për Diasporën.
Ju faleminderit (Marrë nga Mimoza Hysa fb. )!