Në Rosenheim u festua 16 vjetori i Pavarësisë së Kosovës, nga nxënësit e shkollës shqipe

Dje, më 17 shkurt 2024, shkolla shqipe në Rosenheim nën përkujdesjen dhe organizimin e mësueses Valbona Roqi, për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, mbajti një program kulturo-artistike me nxënësit:  Elina Naimi, Idri Ymeri, Buna Morina, Nori Zeneli, Jon Morina, Zija Dauti, Elina Deskaj, Agneta dhe Olti Gucati, të cilët  pranë të pranishmëve dhe prindërve  shkëlqyen me  interpretimin e tyre. Më pas atmosferë emocionuese i dha kënga e Bora Morina, me këngën “Mora Fjalë“ të shoqëruar nga nxënësit. Ndërsa Agneta Gucati të pranishmit i emocionoi me këngën “Liria ka Emër“.

Manifestimi u hap me himnin kombëtar dhe atë të Kosovës, të shoqëruar me valle  e poezi të recituar nga nxënësit e shkollës shqipe në Rosenheim, të përgatitur nga mësuesja Valbona Roqi, nën përkujdesjen teknike të Rrezarta Roqit.

Në përfundim të programit, mësuesja Valbona Roqi për një fjalë rasti e ftoi Koordinatorin e LAPSh-it në Bavari, Mustafë Krasniqin. I cili i të pranishmit i përshëndeti në emër të LAPSh-it dhe ua uroi 17 Shkurtin – Pavarësinë e Kosovës, gjithë shqiptarëve kudo që janë, nxënësve dhe të pranishmëve, duke  theksuar se:

Ajo që duhet t’na shqetëson dhe të ndihemi me përgjegjësi para atdheut, kullave, gjakut të dëshmorëve është ruajtja e gjuhën dhe kulturës kombëtare, te fëmijët e mërgatës shqiptare. Ku me keqardhje duhet ta pranojmë një fakt se në Rosenheim me rrethinë jetojmë mbi 18 mijë shqiptarë, a mësimin e vijojnë vetëm 12 nxënës. Me këtë mendësi, dukuri të shëmtuar po e pësojnë fëmijët tanë, sidomos brezi i dytë veçse ka filluar ta belbëzoi gjuhën, kurse brezi i tretë ka drojë dhe ta harron në tërësi. Pra, ky injorim nuk na bën nder as krenar, aq më keq për të ardhmen e fëmijëve mërgimtarë, të cilët pa fajin e tyre do ta humbin gjuhën dhe me humbjen e gjuhës e humbin edhe identitetin e të qenurit shqiptar”.

Krasniqi më tej, në emër të LAPSh-it, i bëri thirrje komunitetit shqiptar në Rosenheim me rrethinë, që të jemi në interes të shkollës shqipe, sepse vetëm të organizuar e të bashkuar ruajmë gjuhën te fëmijët tanë për t ‘mos u asimiluar. Pra, të bashkuar mundim dhe dimë, vetëm na duhet bashkimi, sinqeriteti, tha Krasniqi.

Në fund të programit mësuesja Valbona Roqi ftoi të pranishmit që të shërbehen me pije, kafe dhe ëmbëlsira të përgatitur nga prindërit.

Pas programit të nxënësve, manifestimi vazhdoi me valle dhe këngë të përzgjedhura nga Rrezarta Roqit.