Një hartë e vjetër e Ilirisë (Ballkanit)

Bedri Islami

Shkruan: Bedri Islami

Disa vite më parë, kështu si sot, në javën e parë të majit, isha në Badherrenalb, një qytezë e vogël, shtrirë në një dendësi kodrash, ku fillonte edhe masivi i pafund i pishave të zeza. Qyteza, mbushur me banjo termale, nuk e di përse më ndolli kërshërinë dhe mendova të pushoja disa ditë. Jo shumë larg saj ndodhej edhe qyteti i famshëm, Baden -Baden, për të cilin aleatët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhanë urdhër të mos bombardohet, ndoshta nga që në qendrën e vjetër të tij ishte kazinoja e famshme, e , pak më tej banjot e vjetra romake që në kohën e Jul Qezarit. Në lulishten e madhe të qytetit të njohur njeriu mund ta ndjejë veten më ngrohtë se kudo në tokën gjermanike, aq më tepër se aty ka edhe lule të ardhura nga Shqipëria, nga Shkodra, dhuruar nga një shëtitës i famshëm dhe koleksionist i pashoq, Mark Kakarriqi, kryebashkiaku i qytetit tim të lindjes, i cili në shëtitoren e vjetër mbolli blirët erëmirë, dhe, si duket, të ardhura pikërisht nga ky qytet. Mark Kakarriqi ishte ndoshta, njeriu që më shumë se të tjerët kishte lindur për të qenë i lumtur. E adhuronte të folurën e ëmbël shkodrane, por edhe gjithësinë, peisazhin e butë të Toskanës, ku kishte qëndruar disa vite, pikturën, ndaj kishte sjell në Shkodër pikturën e Rembrandit ” Çifuti shëtitës”, pikturë të cilën thuhet se e mori pas vitit 1945 shkrimtari koleksionist , me emrin gjysmë gjerman e gjysmë rus, Ilia Erenburg.

Në Badherrenalb mbrëmjet e majit ishin çuditërisht të bardha. ndoshta nga që bora ishte ende e pranishme dhe, pikërisht në atë moment bardhësie hënore nuk e kuptoje dot se nga cila anë vinte drita, që aq shumë të ngjall emocion dhe shpresë, të afron të dashurit dhe të bën nostalgjik; që, nën ndriçimin e saj nuk të lë të flesh dhe, pikërisht atëherë kur mendon se je në muzg befas e kupton se është agimi mëngjesor. Nganjëherë në një javë përmblidhen disa javë të tjera. Ecja i vetëm në rruginat e jeshilta të qytezës dhe kërkoja mes tyre atë gjë që të mungon, edhe kur ndjehesh i lumtur. Kisha vajtur të frymoja ajrin absolut dhe të shijoja qetësinë, sidomos çastin kur drita lëshohej drejt njerëzve sikur të jetonte fundin e vet. Pak vetë e dinin se ku isha. Është ai çasti kur njeriu kërkon të jetë për disa çaste një ishull i zhdukur. I kaloja ditët në një marramendje të pazakontë. I kisha lënë të gjitha pas dhe nuk e mendoja të nesërmen. Dhe, papritur, nuk e di se si m’u dha të ecja pak më tej rruginave të qytezës , të kaloja urën e vjetër, të drunjtë, që ishte veshur me lëmyshkun e butë, ku kacavareshin lule të shumëllojta e disa të sapoçelura, e, të gjeja një shteg të ri, që çonte më shpejt drejt pjesës tjetër të qytezës. Aty, në fillimin e saj ishte një dyqan, po ashtu, i vjetër, dërrasat e të cilit dëshmonin se gjithçka që mund të kishte kaluar kishte lënë gjurmë aty; në pragun e tij ishin fruta të ndryshme dhe perimet e para, e, pak më tej, shishe të vogla, më e madhja mund të ishte gjysëm litërshe, me pije të ndryshme, si duket prodhim i asaj pjese të qytezës. Nuk e di se si m’u dha dhe hyra brenda. Dukej si një dhomë kukullash, ku ishin renditur me kujdes gjithçka që të ngjallte kujtesën: arra, bajame, lajthi, rrush i thatë, kumbullat e zeza të thara, mana toke, të shumta dhe në disa ngjyra, paketa të vogla me djathra, lule, më tej reçelna dhe, befas, në cepin e saj, një hartë. U afrova dhe e njoha, ishte harta e Ballkanit, por jo e gjitha, fillonte nga një cep i Kroacisë dhe ulej poshtë, duke lënë të pashfaqur viset bullgare apo rumune. Ishte një pjesë ballkanike e prerë. Harta shte e vjetër, u afrova dhe pashë datën, viti 1944, si duket ishte një hartë ushtarake. Nuk jam njohës i mirë i hartave. Bile, mund të them se jam më pak se pak i mirë. Çfarë donte një hartë e vjetër gjermane në një dyqan në fillimet e Schwarwaldit të famshëm, aty ku fillonin pishat e zeza dhe luginat e mbushur me qershi, po ashtu, të mëdha dhe të zeza? U afrova edhe më, po e shikoja me vëmendje dhe befas, oh, Zot, harta nuk kishte kufijtë e zakonshëm! Shqipëria shtrihej nga cepi verior i Mitrovicës dhe deri poshtë, në rrethinat e Janinës. Ishte zgjeruar përtej Dibrës dhe Tetovës, kapte pjesë të mëdha të Shkupit dhe, ja, edhe Manastiri ishte aty. Befas, si të shkëputej nga muri, ngadalë dhe me lëvizje të ndërprera, si duket nga mosha, u duk pronari i dyqanit, që dukej po aq i vjetër, në mos më i vjetër, se sa dyqani i tij. I veshur pastër, me rrobat karakteristike të zonës, pantallonat shajaku, me rripat e lëkurtë, fytyrën e rrudhosur, si copëzat e ngrëna nga lumenjtë, ama trupin e mbante drejt. Edhe sikur të mos e kisha parë hartën, që tani m’u mbush mendja se ishte një hartë ushtarake, do e kisha kuptuar se plaku kishte qenë ushtarak. Pasi porosita çfarë mendova se atij do i bëhej qejfi që po blija, e pyeta për hartën. -Nga jeni? më pyeti ai. I tregova, për më tepër i thashë edhe emrin e qytetit të lindjes, Shkodrës. Më është dukur gjithnjë se emri i qytetit është një pasaportë njohjeje në të gjithë botën. Vërtet, ai kishte qenë gjatë luftës në të gjitha viset e Ballkanit. Kishte qenë toger i xhenjos dhe e kishte përshkruar shumicën e vendeve në këmbë, duke parë urat dhe rrugët, duke ndrequr ose hedhur në erë dhe ndalesa e fundit e tij kishte qenë Preveza. Fliste ngadalë. Kaq ngadalë, sa më dukej se fjalët e tij thyheshin në mes dhe ngjiteshin me vështërsi. Historia e tij ishte, si më tha ai vetë, ” harresa dhe kujtesa priren njëlloj të sajojnë”, por, kur erdhi fjala te ndalesa e tij në Shkodër, gjithçka ishte e saktë. E harta, e pyeta, pse është ashtu? Përgjigja e tij më ndaloi për një çast frymën: – Njerëzit kanë mall për tokën e tyre. Aty ku shtë malli , është edhe kufiri. Ne vendosëm kufirin, këtë që sheh, sipas mallit njerëzor dhe gjuhës së njerëzve. Në Ballkan njerëzit e mbledhin urrejten si ujët e pakët. Njerëzit, në ato brinja, ndeshen shpesh me njëri – tjetrin, dhe duan apo nuk duan, një ditë do të përleshen. Gjithçka mund të ndryshojë, veç kufirit të gjuhës dhe të mallit. Nuk ka rëndësi se si quhen betejat. Emrat, ku zhvillohen betejat, i venë më pas historianët.

U ndamë. Në kthesën e parë të rrugës u ula dhe shkrova fjalët e tij. Më pas emrin që ma kishte dhënë duke i tingëlluar germat me një nderim të veçantë, sikur mburrej për çdo tingëllim të emrit të tij. Dieter Gras. Aso kohe ai ishte 92 vjeç

Schreibe einen Kommentar

Deine E-Mail-Adresse wird nicht veröffentlicht.