Shënohet 14 vjetori i Pavarësisë së Kosovës edhe në Mössingen

Nga Albina Bilalli-Zeqiri

Shkolla e gjuhëve amtare në Mössingen, paralelja në gjuhën shqipe, më 18 shkurt organizoi një program festiv me rastin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Programi u moderua nga nxënësit e kësaj shkolle: Leard Jahaj e Lea Zeqiri.

Manifestimi filloi me intonimin e himnit kombëtar, si dhe me një minut heshtje u nderuan të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë që po e gëzojmë ne sot. Ky program festiv vazhdoi me dy poezi te titulluara „Pavarësia“ që i recituan nxënëset Elsa e Alina Jahaj. Vjershat që u recituan kishin për temë edhe gjuhën tonë amtare, me këtë rast nxënësi Bajram Smajli interpretoi vjershën me titull „Gjuha jonë“. Ndërsa poezinë kushtuar atdheut e recitoi nxënësja Belisa Smajli. Gjatë këtij manifestimi një vjershë për heroin tonë të lavdishëm Adem Jasharin e recitoi Leart Ukshini, ndërsa poezinë „Shqipërisë“ e solli para publikut Edonis Smajli. Vjershën tjetër kushtuar 17 Shkurtit e recitoi nxënësja Besjana Smajli.

 Manifestimi u begatua edhe me dy recitale, njëri kushtuar atdheut e që e recituan Orion e Lea Zeqiri dhe tjetri me titull „Jam jugu i Shqipërisë“ e që u interpretua nga grupi i recituesve Blend Ukshini, Florian e Arion Delijaj, Aulona Lubovci, Lea Zeqiri dhe Leard Jahaj.

Për rëndësinë e gjuhës tonë dhe shënimit të festave kombëtare parat të pranishmëve foli mësuesja Albina Bilalli – Zeqiri , e cila njëkohësisht i falënderoj të gjitha nënat që kontribuuan për realizimin e këtij manifestimi.