Lajmi i zgjedhjes së Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB u vlerësua si një mundësi historike dhe arritje e diplomacisë shqiptare. Shqipëria u votua të premten (11.06) në sesionin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, (OKB) për t’u pranuar si anëtare e përkohshme në Këshillin e Sigurimit, (KS) të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Për anëtare të përkohshme të Këshillit të Sigurimit u votuan: Shqipëria, Gana, Gaboni, Brazili dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u pranuar si pesë vendet e reja të përkohshme, anëtare të Këshillit të Sigurimit për periudhën dy vjeçare 2022-2023.
Republika e Shqipërisë u pranua anëtare e OKB në 14 dhjetor 1955 dhe pas 66 vitesh anëtarësie, u votua për herë të parë për të qenë anëtare në Këshillin e Sigurimit. Ky Këshill përbëhet nga 15 anëtarë, ku SHBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina janë 5 anëtare të përhershme kurse 10 vendet e tjera anëtare janë me një mandat dy vjeçar. Mandati i shtetit tonë Amë fillon më 1 janar 2022.
Për këtë ngjarje të një rëndësie të veçantë ka reaguar edhe Kryetari i Kuvendit të republikës: “Zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit të OKB për vitet 2022-2023 është një sukses i merituar i Shqipërisë. Në këtë arritje kanë meritë të gjitha institucionet shqiptare, që jo thjesht lobuan, por ditën të krijojnë perceptime të drejta dhe bindën 175 shtetet anëtare për garancitë që ofron Shqipëria si një kontribuuese për demokracinë, zhvillimin dhe paqen. Qeveria shqiptare dhe diplomacia shqiptare kanë meritën e tyre të madhe në këtë proces. Kjo nuk është thjesht një arritje diplomatike, por kombëtare. Vetëm një vend që bind për institucione demokratike zhvillim, stabilitet e siguri, mund të kontribuojë në sigurinë dhe paqen në botë. U shpreh mirënjohjen të gjithë kryeparlamentarëve të vendeve anëtare, të cilët iu përgjigjën lobimeve të Kuvendit dhe kontribuuan në votimin për Shqipërinë.”, shkruan në mesazhin e tij Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi (Nga gazeta “Lëvizja”