Stockholm, festohet dita e fëmijëve

-Shoqata Teuta mbledh 250 fëmijë, prindër e gjyshër në ditën e vogëlushëve

Shqiptarët e Stockholmit festojnë për herë të parë ditën e fëmijëve, 1 qershorin. Më shumë se 250 fëmijë, prindër e gjyshër, u mblodhën të shtunën në mbrëmje në palestrën e shkollës në Rönninge, në Jug të Stockholmit, për të kremtuar bashkë festën e fëmijëve. E krijuar vetëm dy muaj më parë, Shoqata Teuta në Stockholm kishte vetëm pak javë që përgatitej për këtë aktivitet masiv ku në fokus ishin fëmijët. Falë kontributit të të gjithëve, stafit, fëmijëve dhe prindërve, në këtë aktivitet mbizotëroi një atmosferë e gëzueshme dhe festive përgjatë gati 3 orëve të programit festiv.

Aktiviteti u hap me një ekspozitë të fëmijëve me temë ATDHEU IM, e cila u ndoq me kërshëri nga të pranishmit e shumtë, të cilët kishin udhëtuar familjarisht nga qytete të tjera jashtë qarkut të Stockholmit për të gëzuar vogëlushët e tyre. Vogëlushët kishin përgatitur dhe lexuan pankarta me citime nga Konventa Ndërkombëtare e fëmijëve.

Fëmijët e veshur me rroba me simbole kombëtare, luajtën gjithashtu përpara publikut disa lojëra karakteristike, duke e elektrizuar sallën me zërat, garën dhe emocionet e tyre. Në fund, ata kërcyen një valle në të cilën ftuan edhe prindërit të merrnin pjesë.

Programi u pasurua ndjeshëm nga vallet që kërcyen grupet e vajzave dhe të zonjave “Miqtë e valles shqiptare”, grupe tashmë të krijuara nga shoqata kulturore shqiptare TEUTA në Stockholm.

Po ashtu, përshëndetje e veçantë për fëmijët ishte rezervuar nga grupi i këngëve polifonike SHQIPONJAT NË FLUTURIM, një grup mjaft aktiv dhe i suksesshëm prej disa vitesh në Stockholm.

Aktivitetin e nderuan përfaqësues të ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës, përkatësisht ambasador Virgjil Kule dhe diplomati Dren Zeka. Ky i fundit, përshëndeti fëmijët për festën e tyre dhe siguroi bashkëpunim të mëtejshëm me shoqatën TEUTA, ndërsa konsullja e ambasadës shqiptare në Stockholm, zj Marsida Kurti, përveç urimit për fëmijët, dhuroi një numër tekstesh shkollore për t’i përdorur në aktivitetet e tjera në vazhdim që shoqata Teuta do të organizojë me fëmijët, duke nisur nga muaji shtator.

Në aktivitet, morën pjesë disa përfaqësues shqiptarë të biznesit, familjarë të Teuta Hazirit një aktiviste e njohur dhe mësuese në Stockholm, e cila u nda nga jeta pak muaj më parë.

Aktiviteti i parë për fëmijët shqiptarë në Stockholm, ishte një bashkëpunim me NBV, edhe kjo një shoqatë jo politike, jo fetare dhe jo fitimprurëse, e cila ka për qëllim mbajtjen larg të shtresave të ndryshme të shoqërisë nga alkoholi, droga dhe vese të tjera negative.

Në fund, disa faleminderime për kontribuesit që bënë të mundur këtë aktivitet.

Zonjusha Kristiana Roko së bashku me zonjën Eli Dukaj, ishin drejtueset e grupeve të valleve ( vajzave të reja dhe zonjat), të cilat për 8 javë me radhë koordinuan gjithashtu edhe bashkëpunim shoqatës me NBV për grupet e valleve.

Veshjet me simbole kombëtare për fëmijët u mundësuan nga Sali Shala. Kurse kostumet popullore për fëmijët nga shoqata Iliria në Norrköping me kryetar Fahredin Berisha si dhe dy kontribuesit privatë znj Shqipe Bunjaku dhe Shaban Veliaj.

Materialet e kostumeve popullore të grupit të vajzave janë kontribut financiar i Ilir Canhasi, ndërkohë që stilimi dhe qepja e tyre është kryer në mënyrë vullnetare nga duararta Marjola Gerveni, stilistja e njohur shqiptare në Stockholm.

Kostumet popullore për zonjat, janë dhuratë e Z Bashkim Hoti, pronar i albtv.se

Një faleminderim i veçantë edhe për zonjën Zerina Preci, organizatore e shkëlqyer eventesh dhe festash të ndryshme, e cila falas dhe me profesionalitetin zbukuroi edhe më shumë ambientin festiv të kësaj dite, me dekorimet speciale për fëmijët.

Një faleminderim special për të gjitha zonjat që sollën për të pranishmit gatime të shumëllojta, fruta, pije, akullore e plotë dhurata të tjera, të cilat e bënë programin 3 orësh të mbyllej në një atmosferë edhe më të gëzuar 😊

Faleminderit shumë dhe të gjithë atyre që ndihmuan në përgatitjet e sallës në fillim si dhe në përfundim të spektaklit festiv.

Ajo që nuk duket gjithashtu është puna e stafit të shoqatës TEUTA, të cilin e falenderoj përzemërsisht për përkushtimin ndaj fëmijëve dhe kontributin e tyre për realizimin me sukses të këtij aktiviteti.

Nga Bordi i shoqatës “Teuta” Stockholm.