Tufë poezish nga autori Mustafë Krasniqi

Shkruan: Mustafë Krasniqi
Poezi të shkruara nga krevati ispitalit në Rosenheim të Gjemanisë

EDHE SOT….

Si duash i quajmë:
qyqarë, ndjellakeqes apo
kancer të pavarësisë
këta që po e shkelin
vullnetin popullit.

Na tmerruan pranë foltoreve
duke u shitur si “patriotë”
secili pandërgjegjshëm lufton
në përkulje për të blerë vota,
nga ata që na vranë,
nuk e njohin pavarësinë.

Mos na tmerroni ju shitës “patriotë”
pavarësia nuk duhet për karrige e pushtet
mblidhni mend se po e koritni fisin
borxh nuk ua ka toka dardane
nënëlokja, gjaku i derdhur i dëshmorëve!

Ju…. mos na torturoni më!

UDHËVE TË NATËS

Në rrezet e hënës përftoi një vetëtimë
një yll mbi lum, thanë u shua
mbi re fluturonte një kalë i bardhë
e ngrehur lart mbi të një engjëll rrinte.

Udhët e prushta ishin, me baltë
diku uji i kishte marrë, harruar ishin
ura si në përrallë qëndronte
përtej burimit të zanave.

U përplasën shpatat
kali i bardhë morri udhë
engjëlli nxori një zë tingulli
u dridhen malet e tha:
mos e vritni vetveten.

I përhumbur isha n’ këtë udhë
pëllumbardhi m’tha:
engjulli ishte princesha jonë.

Mbaje mend se që të tha:
mos e vritni vetveten
t’ma shkatërroni folën mua.

ME PIKTURËN E ËNDRRËS

I përhumbur në shikimin e thellë,
përplasur mbi letrën e bardhë,
pikturës i dhashë një fuqi zjarri,
flokët e kaçurreles era sikur i mori.

Të kuqet faqe si mollëza,
sytë e zinj të saj
n’ portret e buzëqeshur m’ dilte.

Djersët e ballit ia përfytyroja n ‘pikturë,
fshehur m’ iknin lot n’ mjekër
lapsi më ligështohej tek tëmbla buzë,
heshtjen ma theu fuqia e dorës së saj.

Buzëve mos u shto shumë ngjyrë t ‘kuqe,
hedhe fuqinë e zemrës tek zemra ime,
duart vejë mbi gjoksin tim, si princ
poshtë pikturës le të ecë lumi Drin.

Era ma mori fletën e bardhë,
u zgjova duke e kërkuar pikturën,
mantelbardhi zgjohu më tha,
ma fshiu lotin në gushë.

Isha me pikturën e ëndrrës,
mes rrezeve të mëngjesit
hyri e buzëqeshur princesha ime!

MBRËMË NË ËNDËRR

Në fushën e Dardanisë
Diku te fushat me lule
Princesha Teuta
Me kalë të bardhë
Si engjëllush erdhi.

Isha shtri te selishta e moçme
Te lisi plak, i qarë nga furtunat
Dëgjoja cicërimat e zogjve të malit
Krismat e rrënjëve të lisit.

Për erë flladi engjëllusha princeshë
Zgjohu bir i kësaj toke m’tha
Po dridhen varret nga pesha e rëndë
Të rënit të qetë nuk po i lëni, ju…
Si çakej po e hani njëri-tjetrin.

Me lot në gushë belbëzova
Kohë e ligë është
Therje deri në palcë dhimbje kam
Kush nuk më pyet mua, princesha ime.

BILBILI KËNGËN DOT SE NDAL

Ata që flasin me hijet,
nën hije,
nuk i shohin rrezet e diellit,
sikur i verbon fjala e shqipes.

Bilbilin nuk ka kush që e ndalon
e ka zërin e bukur, m’ kot nuk këndon!

Të shterpuarat le të mrizojnë
te mrizi i thashë e thënave
ato…hija i ka verbuar
n’ rreze dielli.

Të padenjit dhëmbzhveshur m’ rrinë
mbi shkronjëbukuren sulen si hiena
e mbytën në llumin e sharjeve.

Ju… m’ kot e keni
bilbili këngën dot se ndal!