U NDAN DËFTESAT PËR NXËNËSIT E MËSIMIT SHQIP NË ROSENHEIM DHE KOLBERMOOR

-Këtë gjuhë hyjnore, të bekuar nga vet zoti mos ua ndalni fëmijëve, se ata janë engjëj dhe të pafajshëm. Andaj shtojuani dashurinë për gjuhën amtare, shqipen e bukur!

Shkruan: Mustafë Krasniqi

Më 10 korrik 2022 në Rosenheim, në prani të përfaqësuesve diplomatik të dy konsullatave  tonë shqiptare në Munih, të Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Arten Hanku dhe Konsullit të Përgjithshëm  të Republikës së Kosovës Afrim Nura, përfaqësuesit të Fondacionit “Besa” Rexhep Nikçi, zëdhënësia e LAPSh-it, Anila Xhani, të prindërve dhe bashkëkombësve pjesëmarrës, në mënyrë ceremoniale ju ndanë dëftesat, për vitin shkollor 2021-2022, nxënësve të cilët ndoqën mësimin shqip në Rosenheim dhe Kolbermoor.

Ky eveniment u përcoll me recitime dhe me pjesën teatrale, “Atdheu është Flori”, të luajtur nga grupi i nxënësve, të udhëhequr nga dy mësimdhënëset e mësimit plotësues të gjuhën shqipe, Valbona Roqi dhe  Drenusha Istogu, në bashkëpunim me prindërit dhe Shoqatën “Shqiponja”.

Në këtë eveniment përmbyllës ishte një atmosferë e hareshme, që skena shkëlqente nga nxënësit, sidomos atëherë në mes rreshtave kur shpërthente zëri i ëmbël i tyre dhe buronte thirrja: „Ejani në shkollën shqipe“, për shokët të cilët nuk janë në mesin e tyre pa fajin e tyre, që edhe ata t’i bashkohen rrugës së dritës, ruajtjes së gjuhës amtare, shqipen e bukur!

Krejt në fund porosia ishte: Shkolla shqipe i pret të gjithë ata nxënët të cilët sado pak ndien dashuri për gjuhën e mëmës, t’i bashkohen shokëve të tyre, për ta vijuar mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Prindër, bashkëkombës, që jetoni dhe veproni në Rosenheim me rrethinë, këtë gjuhë hyjnore, të bekuar nga vet zoti mos ua ndalni fëmijëve, se ata janë engjëj dhe të pafajshëm, e nesër përgjegjësia bie mbi ju, kur, ata, fëmijët e belbëzojnë apo fare nuk e flasin gjuhën amtare!

Shkolla shqipe ju mirëpret në shtator, të dashur fëmijë!