VEÇ DY FJALË, KOMANDANT!

Nga Fetah Sheholli

Tungjatjeta Legjendar!

Sot, për një arsye të fortë, jam para Teje…
Para madhështisë Tënde të djeshme, të sotme, të përjetshme…
Para veprës madhore edhe të bashkëluftëtarëve Tu…
Bashkë me dashurinë për lirinë që na e sollët Ju…
Me fitoren e Juaj që mushkërive tona i solli frymëmarrje të lirë e zemrat na i mbushi me besë e shpresë për të ardhmen.
Dua t‘i ndërroj dy-tri fjalë me Ty, Komandant! Të rrëfehem lirshëm para Çlirimtarit, Idealistit e Ngadhënjimtarit. Jam pak hijerëndë. I deprimuar jo, i shqetësuar, gjithsesi… E di: Madhështia Jote më kupton drejt, më fal, edhe më hap rrugë kur jam ngushtë…
Or, Kryetrim! Sikur nuk ditëm ç‘të bëjmë me lirinë!!! Në dritën e diellit e humbëm rrugën. Po spirohemi me pykën tonë. Vërshuar kanë: xhelozia, ligësia, urrejtja, grykësia, padituria, pabarazia… Pinjollët e atyre që Ti me bashkëluftëtarë i shituat ditën dhe natën, kanë dalë nga lëvozhga e turpit dhe e frikës. Njëherë me druajtje… Pastaj u rehabilituan. Tash janë trimëruar. Po i kërkojnë dhe po i vendosin në krye të vendit. Po na shesin trimëri e atdhedashuri!!!
Frymë të liga na erdhën nga bota e errët. Prej atje ku s‘na lidh asgjë: as historia, as kultura, as përparimi… Duan ta ndalin ngrohtësinë që na e dha Perëndimi. Dje, sot, patundshëm, besoj edhe nesër. Me hanxharë të mprehtë, përplot helm e vrerë, sulmojnë çdo gjë të shenjtë kombëtare: Historinë, Flamurin, Gjuhën, Skënderbeun, Nënë Terezën, pastërtinë e gjakut tonë. Edhe bukurisë pellazgo-iliro-dardane e shqiptare, që s‘ka kund shoqe në botë, po bëhen përpjekje të ethshme që, horizontet e dritës dhe të dijes, t’i ngushtohen vetëm në gropat e syve!!! Jemi kurthuar në rrugëtimin tonë të drejtë. Në vend të shtigjeve të bardhësisë, po ecim së prapthi. Na është mbështjellë lëmshi sepse është bërë sikur flokë arapi.
U largova me shpirt të lehtësuar…

Or, Hero! Ti me trimat Tuaj, bashkuat Tokë e Qiell,
thërrmuat çakej e ciklopë, errësirën e bëtë Dritë.
Hej, grykëhollat e Juaja jehojnë sot e gjithmonë!
Muranë e pathyeshme për grabitqarët e tokave tona!
Vorbullë tmerri për varrmihësit e krenarisë shqiptare!

10 nëntor 2023